
9 bombat e NATO-s që vranë 73 civilë shqiptarë!
Dritare.net
Familjarët dhe të mbijetuarit kanë kujtuar 24-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Gjakovë, ku gabimisht ishte goditur në karvanin e refugjatëve midis rrugës Gjakovë dhe Deçan. Ata kanë rrëfyer për tmerrin që kishin përjetuar atë ditë, kur nga frika e forcave serbe ishin nisur për në Shqipëri, por që u qëlluan nga granata në Mejë të Gjakovës
Copëzat e granatës që ka në trup ia kujtojnë Safet Shalës tmerrin që kishte përjetuar më 14 prill të 1999-s, kur aeroplanë të NATO-s gabimisht qëlluan në karvanin e refugjatëve midis rrugës Gjakovë dhe Deçan.
Në të njëjtën ditë, 24 vjet më parë, nga bombardimet u vranë 73 civilë dhe u plagosën 36 të tjerë në fshatrat Bistrazin, Gradish, Madanaj dhe Mejë.
Shala bashkë me familjen e tij dhe qytetarë të tjerë kishin marrë rrugën për në Shqipëri, në përpjekjen për t’u shpëtuar krimeve që Serbia i kryente në Kosovë.
Ai ishte shofer i traktorit të parë që kishte mbi 30 persona, të cilëve rruga iu ndërpre në gjysmë.
“Kur jemi nisë (plaku Ali Mal Krasniqi v.j.) ma ka dhënë një pako me cigare dhe e kam shti në gjepin e jaknës. Kur jemi nalë, e kam nalë me dhezë një cigare, edhe pas 20 ose 30 sekondave ka ndodhë ai bombardim. Njëherë ushtimë dhe bombardim, gati si përnjëherë. Sekondat kanë qenë në pyetje aty”, ka thënë Shala.
Pas kësaj ai kishte mbetur pa vetëdije për rreth 40 minuta. Teksa rrëfen, iu kujtua thirrja e vajzës së tij pesëvjeçare në atë kohë.
“Njëherë e kam ni çikën time – që ka qenë tmerri ma i madhi për mua në jetën time – kur më ka thënë që i ka pa njerëzit t’u lëvizë, ata që nuk kanë qenë të plagosur. Babi, tha, mos më le vetëm. Ka qenë vetëm 5 vjet. Më tha: ‘babi të lutem mos më le vetëm se shkuan tanë’. Vetë me vete, çka ka me të ba babi. Unë isha i palëvizshëm”, tregon Shala.
Nëna e Safetit mbeti e vrarë aty, ndërsa u plagosën bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët – 4 dhe 5-vjeçar.
Fëmijët i kishin marrë dy kushërinj të tij dhe kishin vazhduar për në Shqipëri, ndërsa ai, bashkëshortja dhe nëna kishin mbetur aty, ku më pas ishin përcjellë për në Spitalin e Gjakovës për trajtim.
Sundim Krasniqi ishte 14 vjeç dhe ndodhej në karvanin e civilëve që u godit gabimisht nga bombat e NATO-s.
Babai i tij, dy motra, vëllai dhe gjyshja mbetën të vrarë.
“Jemi kanë në fshatin Pacaj, dhe prej aty kemi marrë drejtimin për në Shqipëri dhe kemi qenë në traktor dhe kemi ardhur rrugës në Mejë. Jemi kanë të parët në kolonë dhe ka gjuajtë NATO dhe të shtëpisë time i kanë mbyt pesë veta. Ka mbytë edhe më shumë të tjerë. Ka mbytë edhe dy kushërinj të tjerë dhe nja 7 të Junikut. Po flas për traktorin tonë. Të lënduar kam qenë unë, nëna, motra dhe vëllai ka qenë i djegur”, ka treguar ai.
Pasojat e bombardimeve vazhdojnë t’i vuajnë ende Sundimi dhe nëna e tij.
“Unë jam i plagosur. Para një viti e kam pasur edhe një operacion tjetër në Prishtinë. Nana i ka pasur krahun, gjurin dhe dorën. Tash mirë, po krahun e ka të dalë prej veni”, ka treguar ai.
Shkrimtari Adem Lushaj në librin e tij “Krime serbe në Kosovë, rasti i Deçanit”, ka përmbledhur rrëfime të shumta nga të mbijetuarit.
Sundim Krasniqi ishte 14 vjeç dhe ndodhej në karvanin e civilëve që u godit gabimisht nga bombat e NATO-s. Babai i tij, dy motra, vëllai dhe gjyshja mbetën të vrarë
Në mesin e tyre është edhe nëna e Sundimit, Zojë Krasniqi, e cila për shkaqe shëndetësore nuk ishte në gjendje që të rrëfente për KOHËN edhe njëherë përjetimet e 14 prillit të 1999-s.
“Ditën e 27 marsit të vitit 1999 (ditë e shtunë), diku rreth orës 10.00, erdhi vëllai (Arifi) e na tha se duhet sa më parë t’i lëshojmë shtëpitë. Kemi shkuar këmbë deri te lagjja ‘Gaxherri’. Aty kemi hipur në traktor të Sadri Shalës dhe kemi shkuar në fshatin Pacaj. Vëllai shkoi në fshatin Sheremetaj. Në fshatin Pacaj kemi qëndruar deri më 14 prill 1999. Serbët kishin filluar t’i djegin shtëpitë në fshatin Dobrosh. Ne iu bashkuam banorëve që iknin, të cilët kalonin nëpër fshatin Pacaj. Morëm rrugën për në Sheremetaj. Gjatë rrugës, në fshatin Rracaj, pamë tre policë duke djegur shtëpitë, kështu që nuk bëmë ballë të ndaleshim askund dhe vazhduam rrugën për në Gjakovë”, citohet ajo në libër.
Sipas saj, kur kanë arritur në fshatin Mejë, janë ndalur për të kërkuar ujë për fëmijët dhe aty ka ndodhur tragjedia.
“Ende pa zbritur nga traktori, kemi dëgjuar zhurmën e aeroplanëve që kanë gjuajtur në afërsi të vendit ku ishim ndalur. Nga shpërthimet u vranë dhe u plagosën shumë persona. Unë u plagosa rëndë. Nga plagët që kam marrë në këmbë dhe kraharor, kam humbur vetëdijen. Më janë djegur flokët dhe fytyra. Në mesin tonë kishte shumë të vrarë e të plagosur. Pasi erdha në vete e pashë burrin tim, Shkëlzenin dhe tre fëmijët, Vlorën, Sabrijen dhe Blendin, të vdekur. Po ashtu, e pashë të vdekur edhe vjehrrën, Shkurtën, dhe shumë persona të tjerë përreth”, ka treguar ajo.
Zoja, së bashku me djalin Sundimin dhe disa të plagosur të tjerë, ishte dërguar për shërim në Spitalin e Gjakovës.
Aty kishte qëndruar deri në kohën kur kanë hyrë në Kosovë forcat paqeruajtëse të NATO-s
Sipas një raporti të “Human Right”, zëdhënësit e NATO-s dhe të SHBA-së fillimisht pretenduan se objektiv ishte një autokolonë ekskluzivisht ushtarake dhe se forcat serbe mund të kenë qenë përgjegjëse për sulmet ndaj civilëve.
Në atë raport thuhet se më 16 prill, zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea, dhe gjenerali Giuseppe Marini deklaruan se “në një rast dhe vetëm një, ne kemi prova për humbje jetësh nga radhët e civilëve. Në të gjithë rastet e tjera, ne jemi të sigurt se kemi goditur automjete ushtarakë”.
Përfundimisht, NATO pranoi se piloti i një avioni F-16 kishte hapur zjarr gabimisht mbi atë çka ai kishte besuar se kishin pasur qenë kamionë ushtarakë dhe për këtë shprehu “keqardhjen më të thellë”.
Pak ditë më vonë, më 19 prill, NATO e modifikoi sërish qëndrimin e vet, si gabim të një piloti të vetëm, dhe deklaroi se rreth një duzinë avionësh ishin përfshirë në një sërë sulmesh mbi dy autokolona, duke hedhur mbi to në total nëntë bomba./koha.net

















