Klosi sqaron vendimin për Spiropalin dhe Ndrecën: Nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të PS-së
Dritare.net

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka reaguar lidhur me diskutimet dhe vendimmarrjen e Asamblesë Kombëtare për Elisa Spiropalin dhe Plarent Ndrecën.
Përmes një reagimi, Klosi thekson se të dy nuk mund të jenë më pjesë e forumeve të Partisë Socialiste, por sipas tij, nuk ka kuptim përjashtimi i tyre nga vetë partia, duke qenë se anëtarësimi në PS mund të bëhet edhe përmes aplikimit online.
Klosi tha se moshedhja në votim e kërkesës në Asamble kishte një arsye të thjeshtë.
Sipas tij, tre anëtarë që ishin kundër përjashtimit në parim u shprehën lirisht gjatë diskutimeve dhe në përfundim situata ishte e qartë.
“Keqkuptimi padyshim i qëllimshëm i prononcimit për median ka prodhuar një lajm të rremë. Po, Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca nuk mund të jenë më pjesë e asnjë forumi të partisë. Por në një parti si PS, ku cilido aplikon online dhe bëhet anëtar, nuk ka sens përjashtimi edhe nga partia. Nesër është një ditë e re dhe Partia Socialiste do të vazhdojë rrugën me frymën pozitive të kësaj asambleje”, përfundon Klosi./L.F-dritare.net