“Çfarë haku po merr ndaj PS-së?”, Rama sulmon Ndrecën: E bëmë deputet, tani gënjen kundër nesh
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka folur në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste edhe për Erion Veliajn dhe avokatin e tij, Plarent Ndrecën, duke mbajtur qëndrime të ndryshme për dy anëtarët e partisë.
Sa i përket kryebashkiakut Erion Veliaj, Rama është shprehur se ai nuk do të përjashtohet nga PS-ja, por do të mbetet një anëtar i thjeshtë, pa asnjë funksion drejtues. Sipas tij, një element human dhe fakti që Veliaj ndodhet në izolim kanë ndikuar në këtë vendim.
“Nuk përjashtohet se ka një element human, se i ka duart e lidhura. Në rast të kundërt do të ishte jashtë”, mësohet të ketë deklaruar Rama.
Ndryshe ka qenë qëndrimi i kryesocialistit për deputetin dhe avokatin e Veliajt, Plarent Ndrecën, për të cilin ka kërkuar përjashtimin nga Partia Socialiste.
Rama e ka akuzuar Ndrecën se në daljet e tij publike ka bërë deklarata të pavërteta kundër PS-së, duke përmendur edhe pretendimet për kërcënime ndaj Veliajt dhe kërkesën për dorëheqjen e tij nga drejtimi i Bashkisë së Tiranës.
“Ndreca në të gjitha daljet publike gënjen. Nuk e kuptoj se çfarë haku po merr ndaj PS-së, e cila e ka vënë në pozita të larta e deputet. Gënjejnë që të dy. E kanë për nevojat e tyre apo jo, kjo është historia e tyre. Nuk e meriton PS-ja gjithë këtë që po i bëjnë”, mësohet të ketë thënë Rama.
Kryeministri ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet për takime dhe biseda të zhvilluara nga Veliaj, përfshirë ato me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, duke i cilësuar si të sajuara.
Në përfundim, Rama ka kërkuar largimin e Ndrecës nga PS-ja, duke argumentuar se ai nuk mund të jetë pjesë e partisë ndërsa, sipas tij, e akuzon atë për persekutim.
“Plarent Ndreca, anëtar i kësaj partie që po i bëka persekutim. Atëherë të ikë nga kjo parti e të bëjë avokatin. Nuk ka më lidhje me këtë parti, do të jetë jashtë kësaj partie”, mësohet të jetë shprehur Rama.