Rama: Duar të huaja nxisin protestat, pas ekstremeve qëndron matufi
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka akuzuar për ndikime të huaja dhe nxitje nga ekstremistët politikë protestuesit e dhunshëm në Tiranë. Gjatë deklaratës së tij, Rama foli për atë që e cilësoi si një “konglomerat antifa”, duke përmendur Rusinë, Iranin, ekstremistët fetarë dhe Sali Berishën. Ai hodhi poshtë gjithashtu pretendimet për përfshirjen e izraelitëve apo të policëve serbë në protestë, duke e cilësuar këtë të fundit si dezinformim dhe duke paralajmëruar se Shqipëria e ka parë më parë këtë skenar.
“Ata që nuk duan PS në pushtet janë të prirur ta relativizojnë dhunën dhe mendojnë se kjo punë zgjidhet me dhunë dhe është çështje e ditës. Duart e huaja, pse po përpiqet të krijojë idenë që këtu kanë ardhur izraelitët, që këtu, siç thoshte një lajm i rremë i përhapur me shumë shpejtësi, zbresin çdo ditë 1 mijë izraelitë për të më mbështetur mua dhe për të rrahur e vrarë fëmijë? Kujt i intereson? Ky është një konglomerat antifa që frymëzon të rinj të frustruar me ekstremet politike karagjozë, një neo komunist tërësisht i lajthitur dhe një neo ballist nga ana tjetër që nxit dhunë, që paguan për të bërë dhunë dhe që nuk ndalet. Pas ekstremeve politike, qëndron matufi që mbart të keqen e mbrapshtë që e përndjek Shqipërinë prej 1912, vijnë ekstremistët e fesë në një vend që s’ka pasur dhe s’do të ketë kurrë probleme fetare. Ky vend është më i fortë se kurrë në arenën ndërkombëtare. Izraeli është vend mik, siç është Katari. Këta të dy s’kanë marrëdhënie diplomatike.
Qershia mbi tortë janë ushtarët serbë që na paskan ardhur këtu dhe na qenkan nën uniformën e atyre burrave që i kanë pagat sot më të ulëta se të shumëkujt në këtë shtet, që marrin gurë me breshëri, që digjen si të ishin armiq të këtij vendi dhe që u dyshokan se qenkan edhe serbë. Kjo është një marrëzi, por jo kolektive për fat të mirë dhe nuk ka për ta përfshirë popullin shqiptar, as ata që janë kundër kësaj qeverie sepse këtë film ne e kemi parë. Këta s’kanë mend fare, janë komplet kokëboshë”, tha Rama./K.C/dritare.net