Ju tregoj ditën e parë të shkollës, në Vjenë!

Nga Fjorda Llukmani

Në ditën e parë të shkollës në Austri, m’u duk vetja si fëmija më i lumtur i ditës. Prej kohësh mendoja që më duhej një diplomë evropiane dhe ja ku më doli si me porosi. Pas 6 muajsh qëndrim në Vjenë duke qenë praktikante në një agjenci të Bashkimit Evropian, aplikova për të ndjekur studimet master. Shkolla që zgjodha është jashtë Vjenës rreth një orë me tren.

Arrita ta fitoj nëpërmjet një prezantimi që bëra për veten dhe një temë që ka lidhje me BE. Besoj jua merr mendja që nga goja jam shpuzë e ua prish mendjen kollaj të gjithëve, por prapë se prapë konkurrenca ishte e lartë e nuk e kisha të sigurt fitoren. Për dy ditë më lajmëruan që u pranova për të ndjekur degën “Menaxhim i projekteve të BE-së” në Burgenland. Studimet e mia janë part time, pra shkoj të premte dhe të shtunë një herë në dy javë. E mira është dhe që nuk paguaj për studimet, pasi edhe në shkollat shtetërore të Austrisë duhet të paguash diku tek 400-600 euro semestri.

Disa prej jush mund të thonë që s’qenkam aq e zonja në jetë meqë s’fitova dot shkollë në Vjenë, por shkova në rrethinat e saj. Kam lexuar komente në Instagram të tipit: “Po të ishe studente kaq e mirë, kishe fituar studimet në Universitetet e Vjenës edhe mos na u mburr ne me një diplomë që do  të marrësh nëpër fshatra.” Më vjen për të qeshur, por meqë jeni aq të zgjuar, hajde fitojeni ju shkollën këtu pra. Gjithsesi unë u kujtova vonë për të aplikuar në Universitetet e Vjenës, por prapë se prapë jam shumë e lumtur me zgjedhjen time.

Duke qenë part time, në degën time është e pamundur të mungosh. Ama mua që ditën e parë më duhej të nisesha në Turqi pasdite për dasmën e shoqes sime të ngushtë. Futem në klasë e filloj t’u flas të gjithëve si njeri social. Disa më shikonin me habi sesi mund të hyja kaq shpejt në muhabet me njerëzit. “Më falni, por a do të shihemi për dy vjet shpesh bashkë? Pse mos ta njohim njëri-tjetrin sa më shpejt?”- u thosha unë duke qeshur. Në klasë kam edhe moshatarë, por kryesisht janë mbi 28 vjeç. Madje edhe mama që kanë vendosur të ndjekin studimet.

Në bankën pas meje ulet njëra prej tyre. Duke i qeshur i them: “Mirëmëngjesi si je? Si e ke emrin?” Kur ajo ma kthen në anglisht: “Quhem Jonida.” “Ah d.m.th qenke shqiptare!”-i them unë sikur sapo zbulova gjëegjëzën e shekullit. “Ua po ti ku e kuptove?”,-më thotë një vajzë e huaj që ishte në bankë me mua. “Jam vetë shqiptare”-i them “dhe ky emër është i shpeshtë nga anët tona”. Jonida më buzëqeshi e ia bëmë me shenjë njëra-tjetrës që do të komunikonim më vonë në gjuhën tonë. Në fakt është mungesë respekti të flasësh shqip në mes të tjerëve sepse kushdo ka dëshirë të futet pak në muhabet.

LEXO DHE :  Policia zbardh krimin në Dukagjin/ 55-vjeçari u vra nga djali i xhaxhit

Prezantimet e para lidheshin me universitetin në përgjithësi. Që në fillim na tregonin daljet e emergjencës në raste zjarri apo tërmetesh. Aty e kuptova sa rëndësi ka jeta e çdo individi në këtë shtet. Më vonë u njohëm me këshillin studentor që bënin aktivitete të shumta. Madje organizonin edhe festa apo udhëtime me gjysmë çmimi pasi një pjesë e paguan shteti. Çdo këshill ka një farë buxheti transparent në dobi të nxënësve. Për mirëseardhjen tonë kishin planifikuar një festë me ushqime dhe pije 5 euro personi. Në çmim përfshihej dhe alkooli. Hë më thuaj, si mos të isha kaq e lumtur për shkollën time të re?

Po ashtu për Krishtlindje mblidhen bashkë ata studentë që s’kanë shkuar me pushime në shtëpi. Si e si që mos të ndjehesh i vetëm në atmosferë festive. Tani në shtator për shembull organizohet natë kulturore. Secili prej nesh gatuan ushqime të shtetit nga vjen dhe i prezanton te shokët e shkollës. Madje këtë ditë mund të sjellësh edhe familjen ose miqtë për t’u njohur me vendin ku t’i do të studiosh.

Më pas u njohëm me platformën mësimore. M’u duk vetja shumë mbrapa bote që kisha marrë bllok shënimesh në vend të laptopit. Unë jam akoma në Shqipëri me metodën e vjetër të marrjes së leksioneve. Këtu çdo gjë është online. Secili student ka kredencialet e veta për t’u futur në platformën personale. Aty shikon orarin, profesorët, leksionet e shkarkuara, detyrat e shtëpisë etj. Madje javës që kaloi patëm orë leksioni online. U futëm në platformë 25 veta dhe duke dëgjuar profesorin teksa fliste.

Patjetër dhe biblioteka online. Na mësuan si të skanojmë dokumente, si të printojmë etj, etj. Na këshilluan që letrat duhen përdorur vetëm në raste të veçanta. E mira është të mbrojmë ambientin duke përdorur kompjuterin e jo letrën sepse për ta prodhuar priten shumë pemë. Eh, çfarë lloj hallesh që ka Evropa ë!

Tani që po ju shkruaj jam në tren, rrugës për në shkollë. Nga të dyja krahët shikoj vreshta të shumta me rrush. Zona e Burgenlandit mbahet për prodhimtari vere e madje në universitetin tim është një degë për menaxhimin e verërave.

Udhëtimi me tren më kujton kur isha e vogël e shkoja në plazh në Shkozet të Durrësit. Ama tani kemi një ndryshim: në vend të shkuarjes me pushimeve jam në rrugëtim të kapjes së përgjegjësive më të mëdha. Sa shpejt fluturojnë vitet…/dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.