Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ju njohim me Pllum Vatnikaj, artistin e ri të muzikës folklorike shqiptare!

Ju njohim me Pllum Vatnikaj, artistin e ri të muzikës folklorike
Nga Kozeta Turishta

Folklori muzikor shqiptar është një ndër pasuritë më të çmuara, ku ndër vite i ka rezistuar dhe lashtësisë si një vlerë e përjetshme që identifikon kulturën e muzikës shqiptare.

Shqipëria gjithnjë ka nxjerrë artistë të mëdhenj në skenën e muzikës shqiptare, por gjithashtu dhe emra të suksesshëm, këngëtarë që dinë aq bukur të këndojnë folk.

Në një intervistë ekskluzive për dritare.net, këngëtari i njohur Pllum Vatnikaj ka rrëfyer jetën e tij personale dhe artistike.

Vatnikaj, është një ndër artistët e rinj më të talentuar, të suksesshëm dhe tepër të dashur për publikun shqiptar në gjithë diasporën. Njihet për këngët e tij në rrymën e folklorit me një repertor të larmishëm, ku me zërin e tij brilant ka fituar zemrat e shqiptarëve kudo nëpër botë si një ndër artistët e rinj më të kërkuar në gëzime familjare, si dasma, dhe evente të ndryshme e jo vetëm.

Vatnikaj, në një intervistë ekskluzive ka treguar të gjithë rrugëtimin e tij në këtë karrierë, të cilën e ka nisur nga dashuria e madhe dhe pasioni që ka patur gjithnjë për muzikën shqiptare. Madje ai shprehet se muzika ka lindur me të e ndër vite e ka kultivuar me ëndrrën se një ditë do të bëhej ai që është sot. Ai ishte diku rreth moshës 13-vjeçare ku kuptoi shkëndijat e para që kishte për këngën. Ishte familja, që i vuri në dukje talentin e tij për këngën, duke e mbështetur akoma më shumë që ta vazhdonte këtë pasion. Jo vetëm familja e tij, por dhe profesorë, muzikologë dhe studiues të mirëfilltë të folklorit shqiptar kishin kuptuar që zëri i tij ishte tepër karakteristik dhe i veçantë për llojin e kësaj muzikë. Jo rastësisht, pasi Vatnikaj vjen nga krahina që mban folklorin më të pastër shqip, Mertur- Tropojë. Ai flet për origjinën e tij  me shumë krenari,  e nuk kishte si të ndodhte ndryshe një djalë që ka lindur në një krahinë dhe vend të bekuar për nga bukuritë natyrale, gërshetuar me vlerat e mëdha që ka gjithashtu dhe në folklorin e përgjithshëm që nga muzika, lirika, lahuta e çiftelia, e shumë instrumente të tjerë, apo vallet, veshjet e kostumet popullore.

Ai ndër të tjera ka treguar për dritare.net se pavarësisht tregut të gjerë në muzikë ku në ditët e sotme konkurrenca është e madhe, një artist i mirë nuk e ndjen atë pasi sipas tij publiku shqiptar është tepër i zgjuar dhe di gjithmonë të zgjedhë mes artit të vërtetë dhe atij komercial. Pllum Vatnikaj në 15 vjetët e tij në skenë, si një artist i kompletuar që di të këndojë jo vetëm folk, por dhe zhanre të tjera, që nga populloret e veriut dhe trevave të tjera, si një tipar që e bën kaq të veçantë nga artistët e tjerë. Ndër vite vazhdon e marton dhjetëra çifte, e sjell kaq shumë gëzim dhe atmosferë në çdo tryezë ku ka evente të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Gjatë kësaj interviste për dritare.net, bie në sy modestia e tij, si të rrallë ata artistë të suksesshëm që dinë të ruajnë mirënjohje për publikun dhe fansat, e për Vatnikajn, asgjë nuk do të kishtë qenë e mundur pa mbështetjen e dashamirësve të muzikës që bën ai, e me përulje përcjell falënderimet më të mëdha duke e quajtur respekt dhe një vlerë kryesore vlerësimin që i bën publiku.

Nëse flasim për koncertet, pjesëmarrja e këngëtarit Vatnikaj është një tjetër sukses që ai zakonisht korr në karrierën e tij, ku deri më tani ka qenë pjesë e shumë projekteve muzikore, festivaleve, dhe koncerteve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare si: Kosovë, Maqedoni, Greqi, Itali, Zvicër, Austri, dhe aktualisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ftuar në aktivitetet më të njohura të komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai tregon për dritare.net se angazhimet e tij janë shtuar akoma më shumë në këto vitet e fundit në Amerikë. Veçanërisht në New York, është tepër i kërkuar në festa të ndryshme, në ambiente muzikore, tryeza familjare, datëlindje, dasma, e gëzime të tjera personale familjare.  Ai ndër të tjera ka veçuar dy këngët e tij të preferuara si: "Jam djalë Dukagjini" dhe "Zana e Dukagjinit" kjo e fundit e risjellë në një tjetër dimension muzikor nga vetë Vatnikaj që është pritur mjaft mirë nga fansat e tij.

https://www.youtube.com/watch?v=6bFh-SFOAfI

Një tjetër këngë që përbën po kaq rëndësi për publikun është gjithashtu dhe "Nimo Zot e Ora e Shalës" ku ka marrë shumë klikime dhe është pëlqyer në masë nga audienca. "Dua t’i falënderoj të gjithë që e pëlqejnë zërin tim kështu.",- e vijon intervistën Vatnikaj. Ai thotë se:  "Ne nuk duhet kurrë të harrojmë  prejardhjen e tonë,  por ta duam dhe ta ruajmë me fanatizëm muzikën shqipe dhe traditën kulturore shqiptare pasi është një aset i vyer i vendit, që prezanton me krenari kulturën tonë nëpër botë."

https://www.youtube.com/watch?v=xmQXhqeyFvI

Artistët e vërtetë nuk e mohojnë kurrë mbështetjen e kolegëve, apo bashkëpunëtorëve të ngushtë. Teksa Pllumi flet me respekt për kolegët e tij më të mirë si kompozitorin nga Dukagjini, Pjetër Kola, orkestruesin e mirënjohur, Behar Neli, të dy janë emra të suksesshëm dhe tepër produktivë në punën e tyre muzikore,  por gjithashtu Vatnikaj vlerëson shumë bashkëpunimin me muzikantin, organistin tepër të talentuar, Fil Avdia, me origjinë nga Kukësi por që jeton në New York dhe është një ndër muzikantët e njohur për bashkëpunimet e tij më artistë të ndryshëm.

Në fund të intervistës, sigurisht që artisti Vatnikaj do të fliste dhe për planet e tij për një të ardhme të afërt, ku e presin dy këngë të reja si një projekt i cili e quan prioritet të këtij viti që vjen 2020. “Dhjetori është muaji që sjell dritat e festave të fundvitit, ku më shumë se asnjë muaj tjetër të vitit festat e shqiptarëve janë prezentë, si në datën e 21 dhjetorit do të mbahet Sofra e Dukagjinit, një ndër eventet më të rëndësishme të këtij komuniteti në New York dhe ndihem i privilegjuar që marr pjesë.”, thotë Vatnikaj.

“Kënga "Nimo Zot e Ora Shales" me tekst dhe muzikë të Pjetër Kola dhe orkestrim të Behar Nelit, videoklipi i Blue Sky në Shkodër, një falënderim për këtë emra të një pune të palodhur por një mirënjohje e madhe shkon për njeriun më kryesor që më ka mbështetur, iniciatorin e këngës sime të Madhin, Kujtim Funici dhe Lin Kumbulla.  Por mbështetja tjetër më e madhe për mua është familja ime e dashur.”,- thotë Vatnikaj i cili çdo sukses ia dedikon vetëm familjes së tij të mrekullueshme, e cila i është gjendur pranë dhe e ka motivuar me kurajë të ecë përpara e të vazhdojë rrugën e artit./dritare.net