“Jo dam-dum në sezon”, ministri Blendi Gonxhja njofton pezullimin e ndërtimeve në zonat turistike
Dritare.net

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të punimeve të ndërtimit dhe aktiviteteve të lidhura me to në zonat turistike gjatë sezonit turistik 2026.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Gonxhja ka bërë të ditur se masa është marrë në zbatim të ligjit nr. 83/2026 dhe vendimit të Këshillit të Ministrave, me qëllim garantimin e zhvillimit normal të sezonit turistik.
“Jo dam-dum në sezon”, shkruan ministri, duke theksuar se periudha e pezullimit nis me hyrjen në fuqi të vendimit dhe përfundon më 15 shtator 2026.
Sipas njoftimit, vendimi përcakton qartë punimet që pezullohen dhe ato që përjashtohen nga masa, zonat ku do të zbatohet pezullimi, rregullat për lejet e ndërtimit, si dhe masat administrative që do të merren në rast shkeljesh.
Institucionet përgjegjëse do të monitorojnë zbatimin e vendimit, ndërsa subjektet që ushtrojnë veprimtari ndërtimore janë ftuar të respektojnë kërkesat ligjore dhe të bashkëpunojnë me autoritetet.
Sipas ministrit, masa synon mbrojtjen e destinacioneve turistike dhe krijimin e një mjedisi më të qetë e cilësor për qytetarët dhe turistët gjatë sezonit veror.