
Isha në Valencia dhe m'u kujtua Vlora në verë
Dritare.net

Nga Fjorda Llukmani Çfarë ka të veçantë Spanja që ka dyndje turistësh gjatë verës? Thjeshtë menaxhim i mirë i turizmit dhe dy investime me mend, asgjë më shumë. Para disa ditësh udhëtova nga Vjena për në Valencia për të marrë pak diell. Një shoqja ime më ftoi atje e thashë pse jo, unë vdes për pak det.
Në Vjenë temperaturat ishin 7 gradë, shi me gjyma e ftohtë dynjaja. Sapo zbrita në Valencia më erdhi një afsh i ngrohtë. Hoqa xhupin, trikon, bluzën me mëngë të gjata e dola me të shkurtra. Spanjën e kam vizituar dhe dy herë të tjera më parë. Madje udhëtimi i parë fare jashtë shtetit ka qenë nga Parisi për në La Corunna ose ndryshe Galisia pranë kufirit me Portugalinë. Më kujtohej që deti nuk ishte ndonjë kushedi se çfarë, në krahasim me tonin flas.
Gjëja e parë që më bëri përshtypje në Valencia janë palmat. Të larta e hijerënda mund t'i përshkruaja. Besoj kanë vite që i kanë mbjellë, se ato tonat s’duken kaq bukur.
Taksixhiu që më mori nga aeroporti dukej i qeshur e pozitiv. Komplet ndryshe nga austriakët që mezi të hedhin vështrimin, jo më të japin vëmendje. Jam 100% e sigurt që sa më shumë diell të ketë një shtet, aq më të afrueshëm e të ngrohtë e ka popullin.
Shtëpia ku ndodhej shoqja ime ishte buzë detit. “Do të dalim pasdite të shohim perëndimin?”-e pyes unë. “Nona këtu dielli lind nga deti e perëndon nga malet, është ndryshe nga Shqipëria.”,-më kthehet ajo duke qeshur. Më dukej pak e çuditshme se jam mësuar me Dhërmiun ose Durrësin. Gjithsesi në Spanjë dielli perëndon rreth orës 09:30, gjatë verës edhe më vonë. Kjo sepse ndodhet në pjesën më perëndimore të Evropës, por orarin e ka njësoj si Shqipëria, Italia, Austria, Kroacia, Franca etj. Pra imagjinoni që duke qenë më në perëndim, dielli perëndon më vonë se tek ne dhe orari mbetet i njëjtë.
Ndërkohë dielli lind rreth orës 7 të mëngjesit. Ka patur disa diskutime të qeverisë spanjolle për ta ndryshuar orarin, por duke qenë se njerëzit janë mësuar me këtë stil jetese kanë rënë dakord ta lënë ashtu. Punët zyrtare dhe shkollat fillojnë midis 9-10 e mbarojnë rreth 6-7 pasdite. Më kujtohet që gjatë kohës që qëndroja në Turqi u bë një peticion për ndryshimin e orës, vetëm që njerëzit ta nisnin ditën me ditë, jo errësirë që të lindi dielli vonë. Prej dy vjetësh ora ka ndryshuar e nuk është më si më parë.
Dolëm shëtitje nëpër qytet për të parë se ç’bëhej. Miqtë e mi më thoshin që Valencia është e famshme për stilin e arkitekturës që ka. Rreth viteve 1940 qyteti është përmbytur masivisht nga lumi që e përshkonte mes për mes. Që atëherë inxhinierët e arkitektët më të mirë filluan të mendonin zgjidhjen që ky gabim mos të përsëritej. Dhe çfarë bënë? Zhvendosën shtratin e lumit jashtë qytetit. Vetëm në dokumentarë kisha parë diçka të tillë!
“Po shtrati i vjetër ku është?”,-pyes shoqen time. Ajo ma bënte me gisht e më tregonte gjithë vijën e cila sot është e mbushur me parqe, lodra, muze etj. Një nga mrekullitë e arkitekturës së Valencias është “Oqeanografik”. Komplet kjo strukturë me ndërtesa moderne e forma të ndryshme ndodhet aty ku para shumë vitesh kalonte lumi. Dukej aq bukur sa nuk e keni idenë! Këto ndërtime të veçanta janë dashur rreth 10 vjet që të përfundoheshin. Madje njëra prej tyre vazhdonte në ndërtim e sipër.
Ishte në formën e gojës së balenës pasi poshtë saj mund të vizitoje akuariumin i cili është gjigant. Le pastaj lule e palma gjithandej... Një nga ndërtesat dukej si ishull dhe rrethohej nga të gjitha anët me ujë.
Dukej si pishinë por në fakt është shatërvan rreth 50 cm i thellë. Sigurisht nuk lejohej të futeshe brenda edhe në pikë te vapës po të duash të freskohesh. Aq sipërfaqe e madhe është me ujë sa ofronin shëtitje me kanoe.
Një prej ndërtesave ishte muzeu i shkencave. Jashtë saj pashë disa objekte shpjeguese që përdoreshin në kohën e lashtë për të llogaritur orën, hijen e diellit apo si të masësh qiellin me gisht. Valencia dukej shumë shkencëdashëse, e të shtynte kuriozitetin për të mësuar më shumë. Pafund fëmijë të shkollave të qytetit e jashtë saj e vizitonin e humbisnin në lexime. Vetëm po ia bëre mësimdhënien interesante të vegjëlve mund t'i mbajnë mend gjërat.
E famshmja paella spanjolle kësaj here s’më la ndonjë shije kushedi se ca. M'u duk si pilaf me perime. Fakti që e servirin në tavë të sheshtë e gjoja tradicionale, s'do me thënë që ka ndryshim me rizoton. Ajo që hëngrëm ne ishte me mish, barbunja e perime të ndryshme. Ju sugjeroj të merrni më mirë paella me makarona e fruta deti, të paktën kjo më pëlqeu kur isha në Barcelonë.
Te lagjja e shoqes sime vinte bulevardi që përshkonte gjithë vijën bregdetare të qytetit. Me palma nga të dyja krahët e plazh me rërë pafund. Kur ne zgjoheshim për të pirë kafen e mëngjesit, shikoja shumë kurse për sporte ujore. Duke filluar nga zhytja, sërf, varkë me vela, me pedale e si të duash. Pa llogaritur lojërat e shumta. Për shembull volejboll që luhej vetëm me këmbë s’kisha parë ndonjëherë. Luhej me dy persona për skuadër dhe nuk lejohej në botë që ta prekje topin me dorë. Edhe shërbimet i bënin sikur me qenë penallti në futboll.
Tek shijoja kafen e mëngjesit vrisja mendjen me kë më ngjan ky qytet. Me dukej fiks si Vlora. E kam seriozisht! Bulevardi i gjatë, plazhi me rërë, palmat anash, tamam siç duket Lungomare sot. Ama këtu është vetëm për këmbësorët e makinat kalojnë pas pallateve dhe palmat janë mbjellë para 50 vjetësh. Deti i Valencias është ku e ku larg me atë të Vlorës. Më dukej zhul dynjaja as nuk mora mundimin të lahesha një herë.
Prandaj miq të dashur, atë që e bën të veçantë udhëtimin jashtë shtetit, janë investimet dhe menaxhimi që i bëjnë turizmit. Për mendimin tim ne kemi natyrën më të bukur në Evropë, thjeshtë s’kemi mend në kokë ta shfrytëzojmë siç duhet./dritare.net

















