Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Shteti Bektashi/ Edi Rama flet për mikroshtetin e parë mistik në botë

Shteti Bektashi/ Edi Rama flet për mikroshtetin e parë mistik në
Në shtator të vitit 2024, Shqipëria u bë lajm ndërkombëtar kur kryeministri Edi Rama shpalli nga foltorja e Kombeve të Bashkuara në New York një iniciativë të pazakontë: krijimin e një mikroshteti të pavarur, brenda territorit të Tiranës, të dedikuar urdhrit islamik sufist bektashi. Në atë fjalim, Rama vlerësoi rolin historik dhe shpirtëror të bektashinjve në promovimin e paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri dhe më gjerë.

I intriguar nga kjo deklaratë, fotoreporteti dhe dokumentaristi britanik Robert Hackman nisi pergatitjen e nje dokumentari per historine e bektashizmit ne Shqiperi. Ai kërkoi një intervistë të posaçme me kryeministrin shqiptar për të zbuluar më shumë rreth idesë. Intervista u realizua në Tiranë dhe është pjesë e dokumentarit të ri “Nga Frashërit tek Edi Rama. Shteti Bektashi, historia e patreguar!" nga Robert Hackman, prodhuar nga Rudina Xhunga dhe Dritare TV.

Më poshtë, intervista e plotë e Edi Ramës për këtë nismë që ka ngjallur debat dhe kuriozitet në të gjithë botën.

Robert Hackman-Zoti Kryeministër, njoftimi për shtetin e pavarur bektashi erdhi fillimisht nga ju. Çfarë e frymëzoi këtë ide?

Edi Rama: Bektashizmi është një urdhër shumë i veçantë dhe një thesar kombëtar për ne. Ndryshe nga komunitetet e tjera që janë pjesë e konstelacioneve më të mëdha dhe që mund të mbështeten në zinxhirë të gjatë solidariteti dhe ndihme për edukimin e klerikëve të rinj apo për ndërtimin e infrastrukturës së tyre, bektashinjtë janë zotë të fatit të tyre dhe nuk i përkasin asnjë konstelacioni tjetër. Prandaj është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për t’i mbajtur ata gjallë, sepse ndryshe ata do të përballen me zhdukjen.

Duke u dhënë atyre një status të veçantë, jam i sigurt se do të ndihmojë që të krijojnë të ardhura më të mira dhe të kenë një vend që meritojnë, përtej kufijve të vendit.

Robert Hackman: Çfarë do të thotë një shtet i pavarur bektashi për popullin shqiptar dhe për Evropën?

Edi Rama: Është një simbol i rëndësishëm edhe pse në përmasa modeste. Është vetëm një sipërfaqe e vogël toke, pak hektarë, që ata tashmë e zotërojnë dhe ku kanë qendrën e tyre. Por për Shqipërinë është një pjesë shumë e çmuar e trashëgimisë kombëtare, ndërsa për komunitetin është një garanci që ai do të vazhdojë të ekzistojë pa u zhdukur.

Robert Hackman: A do të ndihen komunitetet fetare të tjera në Shqipëri të favorizuara apo të diskriminuara nga kjo iniciativë?

Edi Rama: Nuk ka asnjë arsye për këtë. Kjo nuk është një garë mes komuniteteve shqiptare ku dikush favorizohet e tjetri jo. Bektashinjtë janë një komunitet që mbështetet vetëm te vetvetja, ndërsa myslimanët sunitë, ortodoksët dhe katolikët i përkasin konstelacioneve shumë më të mëdha dhe kanë pika reference jashtë vendit, si dhe shumë mundësi për të edukuar imamët apo priftërinjtë e rinj. Prandaj nuk shoh arsye që ata të ndihen të trajtuar në mënyrë të padrejtë.

Kjo intervistë është pjesë e dokumentarit “Nga Frashërit tek Edi Rama. Shteti Bektashi, historia e patreguar!”, realizuar nga Robert Hackman me produksion të Rudina Xhungës dhe Dritare TV. Dokumentari eksploron historinë, filozofinë dhe të ardhmen e urdhrit bektashi në Shqipëri, nga vëllezërit Frashëri te qendra botërore në Tiranë, deri te përpjekja më e fundit për ta kthyer atë në një mikroshtet simbolik që shpërfaq rolin e Shqipërisë si vend i paqes dhe bashkëjetesës ndërfetare. Ndiqni dokumentarin të plotë në kanalin YouTube të Dritare TV dhe në Dritare.net/dritare.net