
Gjithçka që duhet të dini mbi përplasjen SHBA-Iran!
Dritare.net

Me urdhër të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, mëngjesin e së premtes është vrarë në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit të Irakut, Kasem Sulejmani.
Sulejmani, ishte udhëheqësi i forcës Quds në Iran, ndërsa ka qenë numri 2 i Republikës Islamike.
Menjëherë pas vrasjes së Sulejmanit, e gjithë media botërore por edhe shtetet anembanë botës i kanë kthyer sytë nga Lindja e Mesme.
Retorikat janë përshkallëzuar ndjeshëm, ndërsa SHBA-Iran po shkëmbejnë kërcënime të frikshme ndaj njëra-tjetrës.
Udhëheqësit e Republikës Islamike, që në minutat e para do të betoheshin për hakmarrje, ndërsa Presidenti Trump, do të ironizonte deri në tallje këto kërcënime.
Menjëherë pas sulmit, është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Teheran, dhe për herë të parë kjo mbledhje drejtohej nga vetë Ajetollah Khomeini, lideri supreme i vendit, si për të dëshmuar se kjo ngjarje ka rëndësi të veçantë.
Trump nga ana tjetër disa herë i ka bërë thirrje Iranit për vetëpërmbajtje, ndërsa ka vënë theksin se SHBA ka ushtrinë më të fuqishme në botë, dhe se përballja me të do të ishte shkatërruese për Iranin.
Republika Islamike, më vonë njoftoi tërheqjen e plotë nga marrëveshja bërthamore e 2015, që u konsiderua aso kohe si marrëveshje historike, e cila ndalonte Iranin në vijimin e aktivitetit bërthamor.
Në lidhje me tensionet në rritje, presidenti i Iranit Hasan Rohani ka thënë se nëse SHBA ka prerë duart e Iranit, atëherë vendi i tij do të presë këmbët e SHBA.
Varrimi i Sulejmanit do të bëhej madhështor në Iran, ndërsa miliona persona do të dilnin në shesh teksa kortezhi me trupin e tij, do të kalonte mes për mes turmës e cila ulërinte “Vdekje Amerikës”.
Irani nga ana e tij, ka nisur sulmin mbi bazat amerikane, ndërsa liderët e vendit flasin për 80 ushtarë amerikanë të vdekur nga raketat, lajm ky i pakonfirmuar nga pentagoni.
Për ngjarjen reagoi dhe Garda Revolucionare e Iranit duke thënë se sulmi ishte si një hakmarrje për vdekjen e Soleimani të premten e kaluar.
“Ne po paralajmërojmë të gjithë aleatët amerikanë, të cilët i dhanë bazat e tyre ushtrisë së saj terroriste, se çdo territor që është pika fillestare e veprimeve agresive kundër Iranit do të jetë në shënjestër,” tha ajo përmes një deklarate të mbartur nga agjencia shtetërore e Iranit.
Menjëherë pas vrasjes së Sulejmanit, SHBA do të niste për Lindje të Mesme mijëra trupa ushtarake, për të qenë në gatishmëri, ndërsa Parlamenti i Irakut, do të vendoste me rezolutë tërheqjen e trupave amerikane që kanë baza në vendin e tyre.
Retorikat që konflikti të devijojë në një luftë të përgjakshme janë shtuar, shumë vende të botës janë pozicionuar qartazi pro SHBA-së, ndërsa vende të Lindjes së Mesme janë në dyjëzim të madh.
Një vend mjaft i fuqishëm në botë, por me një ndikim të jashtëzakonshëm në Lindje të Mesme është edhe Rusia.
Nën flamurin rus, mijëra trupa janë të vendosur në Siri, ku regjimi i Bashar al-Asadit mbështetet nga Putini, por edhe nga Teherani.
Në Siri, trupat rusë kanë edhe raketa antiajrore S400, që është njëherësh edhe sistemi më i përparuar në botë i raketave.
Ende nuk dihet qartë nëse Rusia do të ndërhynte në një luftë SHBA-Iran, por gjasat janë që rusët të ndihen të detyruar të dalin krah aleatëve të tyre.
Turqia e Rexhep Tayyip Erdogan ka bërë deklarata duke bërë thirrje për një qetësim të situatës, ndërsa vetë Erdogan është shprehur i habitur për vrasjen e Sulejmanit. Në rast të një konflikti të shpallur, Turqia ndodhet mes dy zjarresh, ku nga njëra anë janë marrëdhëniet e mira me Iranin, por nga ana tjetër duke qenë anëtare e NATO-s ka edhe detyrime ushtarake, që mund ta bëjnë neutral në këtë konflikt.
Izaeli dhe Arabia Saudite, nga ana tjetër janë aleatë të betuar të Shteteve të Bashkuara, ndërsa në një konflikt SHBA-Iran, qartazi do të mbështesin SHBA-në.
Forcat speciale izraelite mund të gjenden të detyruar të sulmojnë objektivat iraniane në rajon, ndërsa ajo përbën një ndër forcat më të sofistikuara në botë.
Arabia Saudite, ka ende hesape për të larë me Iranin, pasi pak muaj më parë cisternat e naftës të sadusitëve u sulmuan, dhe Riadi zyrtar bëri fajtorë drejtpërdrejtë Teheranin. Por nëse Muhamed Bir-Selman vendosë që të dalë qartas në krah të Trump, Tehrani mund të sulmojë sauditët aty ku dhëmb më shumë, pikërisht në cisternat e naftës që lundrojnë në Gjirin Persik, duke ndalur kështu burimin kryesor të ekonomisë saudite.
Iraku, Siria, Libani, dhe Pakistani janë katër vende të rëndësishme në Lindje, edhe nga ana strategjike. Iraku qartas është pro Iranit, Bashar-al Assad i Sirisë është aleat i fortë jo vetëm me Teheranin zyrtar por kishte marrëdhënie të ngushta edhe me Sulejmanin, ndërsa Libani kontrollohet nga Hezbollahu, një grup terrorist i cili financohet nga Irani.
Pakistani ka marrëdhënie të mira me Iranin, dhe do të jetë krah tij me ç’të mundet.
I diskutueshëm është roli i Katarit. Në vend ndodhet baza më e madhe amerikane në Lindje, ndërsa aty strehohen rreth 10 mijë trupa amerikanë. Por përtej trupave, në bazë ndodhen edhe pajisje të rënda luftarake, përfshirë F-22 dhe B-52. Duke qenë se në Katar ndodhet baza amerikane, Irani mund të sulmojë këto baza, duke cënuar sovranitetin e Katarit, i cili do të detyrohet të mbajë anë.
Liderët evropianë nga ana tjetër, kanë bërë thirrje për përmbajtje nga të dyja palët, ndërsa kanë dënuar sulmet e bazave amerikane nga Irani./ Dritare.net

















