
Unë e gjeta avionin në fund të detit, po ti ke ndonjë mendje?
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani
Ju kam thënë e stërthënë që plazhi s’ka kuptim po s’bëre ndonjë aktivitet tjetër. Për mua është tepër e mërzitshme të rri gjithë ditën duke u shulluar në diell pasi monotonia më lodh. Kësaj here nga hiçi zgjodha të bëj zhytje në një avion.
Kisha dy vjet pa bërë zhytje e më kapi pak sikleti para se të futesha. Tek Drymades Inn është një grup çunash e gocash që të nderojnë kur bëhet fjala për sporte nga më të ndryshmet. Albanian Adventure ofron zhytje, hiking, climbing, shëtitje me kayak apo stand up paddle ose dhe me makina 4x4 për terrene të vështira. Kisha parë në Instagram disa foto të avionit të famshëm që ndodhej nën ujë, e sigurisht shoqja juaj s’mund të rrinte pa e provuar. Herën e fundit që bëra zhytje ishte në Sarandë dhe Jalë. Në Sarandë kam përjetuar një ndër zhytjet me spektakolare të jetës te një anije e mbytur në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Ishte në 15 metra thellësi dhe bëmë rreth 50 minuta diving.
Kësaj here zhytja do të zgjaste më pak pasi avioni fillon të shikohet qartësisht që kur je në 6 metra. Para se të fillojë procedura, duhet të marrësh disa minuta leksione për mënyrën e komunikimit nën ujë. Duhet të kini kujdes pasi janë dy shenja që ngatërrohen shumë me njëra-tjetrën.
Në jetën normale kur themi që jemi OK përdorim gishtin e parë duke mbledhur grushtin. Kjo në gjuhën e zhytjes do të thotë që “të lutem më ngri lart”. Kurse për të shprehur ndjesinë e të qenit OK, duhet të mbledhësh dy gishtat e parë në formë rrethi.
Nëse nuk ndjehesh mirë duhet të tundësh dorën e pastaj të bësh me shenjë problemin që ke. Për fillestarët është tepër kollaj sepse nuk zhyteni kurrë aq thellë sa të keni nevojë për kohë të gjatë për tu ngjitur sipër. Mos kini fare merak!
Mësohuni të merrni frymë me gojë gjatë zhytjes. Ka nga ata persona që se bëjnë dot. Për mua s’ka qenë problem ngaqë kam qenë me sinozit e shpesh se përdorja hundën për të marrë frymë. Pajisjet e zhytjes vihen pas shpinës tuaj. Në dukje janë të rënda por në det nuk ndjehen aspak.
Gjithmonë pas jush do jetë asistenti profesionist për t’ju ndihmuar. E filluam zhytjen në breg pasi thellësia duhet kapur gradualisht jo direkt pingul. Duhet me patjetër të bësh balancën e presionit të veshit. Mbyll hundën e fry veshët që daullja ta pranojë vendin e ri ku ndodhet.
Shikoja vetëm gurë, këmbë njerëzish që notonin e tek-tuk ndonjë peshk. Vetëm kur faaaap fillon duket avioni. Kur e pashë më vinte për të folur, se mua gojën mund të ma mbylli vetëm ndonjë pajisje me detyrim. Ja bëja me gisht instruktorit, a thua se ai s’e kishte parë me përpara. Thjeshtë ekzaltimi im ishte aq i madh sa doja ta ndaja me gjysmën e botës.
Sa bukur ngjante si objekt avioni në det! Avash-avash tentova t’i afrohesha sa më shumë, por duke qenë se kam patur probleme me veshët që e vogël, mezi e bëra balancën. Me ndihmën e instruktorit arrita ta prek avionin e të pozoj mbi të. Më duket se është MIG i kohës së luftës.
Mbase ka rënë nga ajri por nuk e di saktësisht sepse ekzistojnë legjenda të ndryshme. Ndjehesha e lirë si një peshk. Doja të rrotullohesha e të kërceja, por rrokullisesha pas bombolës së ajrit.
Duke qenë se nuk u ula dot për të prekur fundin e detit, vendosa të ulem te bishti i avionit. Aty bëra një foto ku në dukje jam vetëm, por pas meje qëndron instruktori, i cili e kapi muhabetin e u kamuflua me mjetet e tij. Doja të ulesha te vendi i pilotit duke bërë sikur po i jap avionit.
Te sedilja, çunat e zhytjes kishin vendosur një maskë uji që m’u duk si fantazmë. Duhet marrë parasysh se unë përdor syze qorri për të parë qartë dhe kur s’i kam shikoj turbullt ose flu. Në kthim pashë përsëri një fis peshqish të vegjël, por përveç tyre asgjë tjetër s’më mbushte sytë. Kur ngrija kokën lart e shikoja rrezen e diellit që depërtonte e kuptoja që ishim thellë.
Padyshim zhytja dhe fluturimi me paragliding janë dy nga eksperiencat më të bukura që kam provuar në jetë. Ta sugjeroj nëse do të shkëputesh nga realiteti e të njihesh me një habitat tjetër natyror. Njeriu merr formën e enës ku hidhet dhe duke qenë se 70% e trupit tonë është ujë, besoj se thellësia e detit na bën të ndjehemi vetvetja! /dritare.net

















