
Shtegu i Mullinjve në Dhërmi po të pret ta vizitosh!
Dritare.net
Ecjet në natyrë kanë dalë në modë që kur njerëzit filluan të postonin në Instagram këtë trend të ri në turizëm. Ky efekt pozitiv i rrjeteve sociale sjell dhe kuriozitetin e njohjeve të vendeve të reja. E mira është se ka plot shtigje të shkurtra e të mirëmbajtura për ecje, që mund të kalohen nga ata që s’duan të ngjisin male, por destinacione që nuk kërkojnë mund dhe kohë.
Shtegu i Mullinjve ndodhet midis plazhit të Dhërmiut dhe fshatit mbi shkëmb. Sa herë merr kthesën për Dhërmi, në të majtën tuaj mund të shikoni pamjen nga larg, e cila duket sikur ajo rrugë s’të çon gjëkundi.
Prej pak vitesh ky shteg është sistemuar për turistët. E shtruar me gurë, gjatë rrugës ka shenja ndihmuese për të njohur vendin ku po kalon. Mund ta filloni në rrugën dytësore të plazhit të Dhërmiut, ose pranë burimit të Potamit në fshat.
Quhet “Shtegu i Mullinjve” sepse është plot me mullinj, të cilët dikur punonin me rrjedhën e burimit të Potamit. Sot janë ndërtesa thuajse të braktisura e të mbuluara me shkurre e gjethe.
Shpesh shtegun e thyejnë urat e mbajtëset prej hekuri me ngjyrë të kuqe, që shkojnë shumë me natyrën përreth. Dikur kjo rrugë përdorej nga banorët e fshatit për të zbritur poshtë në plazh. Një vajzë e vogël që njoha këto ditë më thotë se ka qenë plot baltë e gjarpërinj dhe njihej vetëm nga njerëzit e zonës. Pas rregullimit është kthyer në pikë turistike për ata që pëlqejnë të ecin.
Gjatë kësaj shëtitjeje do të mund të shihni dy kisha të vjetra shekullore, ujëvarën piktoreske, gjurmët e hidrocentralit të parë të ndërtuar në fshatrat e Shqipërisë etj. Një prej tyre është dërstili, ose siç njihej ndryshe Trovea ka qenë vendi ku gratë e fshatit Dhërmi lanin rrobat e mëdha dhe qilimat prej leshi.
Aty vendasit kishin ndërtuar me urë një hon me hark ku shfrytëzohej rrjedhja e lirë e ujit të Potamit që binte me forcë nga lartësia. Presioni i ujit krijonte një vorbull të thellë poshtë dhe rrotullonte rrobat që hidheshin, duke ngjarë me procesin e centrifugës në lavatriçen e ditëve tona.
Gratë dhe plakat e fshatit zbrisnin me mushka të ngarkuara me materialet që do të lanin. Një person aty paguhej për të mbajtur radhën. Me një shkop të posaçëm merrej me rrotullimin e rrobave në vorbull, e cila ishte një punë shumë e rrezikshme sepse vendi ku binte uji me presion ishte shumë i thellë. Pas larjes gratë e fshatit i ndernin rrobat për të kulluar uji i tepërt dhe pas një procesi prej disa orësh, ngjiteshin përsëri me mushkat e ngarkuara në fshat për punët e tjera të ditës.
Shtegu ka stola e vende për t’u ulur ku mund të shijosh pamjen. Stoli im i preferuar gjendet tek ujëvara e cila është e vogël, por surprizuese kur e sheh në një vend që s’ta merr mendja.
Problemi qëndron që ka shumë plehra. Kam shkuar mbi 5 herë e gjithmonë e kam gjetur pis. Pak para ujëvarës do të shikoni hidrocentralin e parë që u ndërtua në fshatrat e Shqipërisë në 1952 që ishte privat. Punonjësit paguheshin nga fshati nga të ardhurat e energjisë. Për ngritjen e këtij hidrocentrali ndihmuan dhërmiotët emigrantë. Investitorët kryesorë ishin emigrantë në SHBA. Në 1960 hidrocentrali u shtetëzua, por sot e kësaj dite kanë mbetur vetëm muret.
Përgjatë shtegut ka dhe burime ku mund të pini ujë, kështu që mos merrni shishe me vete. Më pëlqen shumë që e kanë shtruar me gurë sepse bëhet më e lehtë për t’u kaluar nga vizitorët. Madje kam parë dhe fëmijë të vegjël që i marrin prindërit me vete. D.m.th që Shtegu i Mullinjve është i përshkueshëm nga të gjitha moshat.
Pasi ngjitesh sipër ujëvarës, avash-avash do të shikosh fshatin e Dhërmiut që është i ndërtuar mbi gurë. Më duket sikur kaloj në mes të kanionit dhe anash fillojnë shtëpitë e lagjet e ndryshme.
Kush ka dëshirë të ecë më shumë, mund të vazhdojë ngjitjen në fshat, ose mund të ktheheni përsëri andej nga erdhët. Një ditë pasi shijova perëndimin te manastiri lart në fshatin e Dhërmiut, më zuri muzgu dhe nata te Shtegu i Mullinjve. Në fillim pata paka frikë sepse s’ka ndriçim, megjithëse nuk isha vetëm.
Nuk ma merrte mendja që rrugën time do ta ndriçonin gjithë kohës një tufë me xixëllonja. Kisha vite të tëra pa parë këtë insekt që dikur e kapja me dorë dhe e fusja në një gotë që të shikoja si shkëlqente. Gjatë 20 minutave ecje, ato shkëlqenin tufa-tufa buzë përroit të Potamit. Shpeshherë ndalonin dhe pranë këmbëve të mia. Jo vetëm që s’pata frikë, por u lumturova që u kthyem në errësirë pasi u bëra nostalgjike. Çdo gjë ndodh për një arsye dhe këto ndodhitë e bukura nuk ndodhin duke qëndruar vetëm buzë detit, por kur del e eksperimenton pak me natyrën përreth./dritare.net

















