
Na u bë sebep datëlindja e mbesës që u pamë me familjarët!
Dritare.net
Nga Fjorda Llukmani
Të qenit mbyllur në shtëpi, nuk e pengoi familjen time të krijonte një atmosferë festive me rastin e një sebepi. Këto janë momentet e vogla të lumturisë që na mbajnë gjallë pavarësisht rrethanave. Kushërira ime Viodi që jemi si motra, festonte ditëlindjen e parë të vajzës së saj Victorias. Nga afrimiteti që kemi bashkë unë e quaj veten si teze. Qëkur ngecëm në karantinë po shpresonim mos të na kapte ditëlindja brenda, por ashtu ndodhi. E në fakt nuk qe fundi i botës.
Tortën dhe zbukurimet i porositën gjatë javës. Duke qenë se data e lindjes ra e diel, prindërit u morën me përgatitjet para të shtunës që mbyllet lëvizja nëpër qytet. Bashkë me Viodin organizuam një ‘mbledhje’ online me familjen. Zgjodhëm aplikacionin Zoom që unë e përdor për mësimet online, por pse jo dhe për një takim ndryshe virtual. U siguruam që të gjithë pjesëtarët e familjes ta shkarkonin e të dinin për ta përdorur. Kështu shmangëm shpjegimet e vonesat për ditën që duhej të flisnim së bashku.
Si ditëlindja e parë në jetë, megjithëse në rrethana të çuditshme, s’mund të rrinim pa ia kënduar këngën Victorias. Ftesën dhe detajet e mbledhjes ua dërguam të ftuarve me Whatsapp. Të dielën në orën 11 paradite ishim gjithë sy e veshë. Futem në mbledhjen e “Vicky’s birthday” dhe avash-avash futet xhaja, halla, daja, gjyshërit e gjyshet. Hyrja në shtëpi nëpërmjet derës u zëvendësua me një njoftim në ekranin e kompjuterit. Prindërit u siguruan mos të mungonte asgjë në sfond që të dukej ambienti festiv.
Biles e respektuan sebepin dhe duke u veshur bukur. Dhe unë si teze megjithëse në shtëpi, nuk vesha pizhame, por një bluze të kuqe. Ndërkohë aplikacioni regjistronte gjithë videon tonë që flisnim dhe kushërira ime kishte vendosur kamera në dhomë. “Kur të rritet t’ia tregojmë gocës ta ketë kujtim”-më thoshte ajo. Pritëm ata që erdhën me vonesë (fiks si në jetën reale) e filluam me urimet. Të gjithë bashkë kënduam “Shumë urime për ty!” Disa ishim para, e disa mbrapa me notat muzikore sepse interneti nuk është i shpejtë njësoj kudo. Victoria e ulur para laptopit shikonte ekranin me fytyrat tona dhe duartrokiste duke qeshur. Vrisja mendjen pale çfarë mendon ylli vogël kur na shef kështu si nga televizori.
Dikush nxori qenin për ta uruar Vickyn, e dikush tjetër këndoi me kitare. Gjyshet për pak nuk filluan duke qarë që nuk ishin me mbesën afër. Ama rrethanat këto janë dhe kjo ishte zgjedhja më e mirë e mundshme e momentit. Unë nuk u mërzita fare, madje u kënaqa që na u bë sepeb kjo ditëlindje për t’u parë me familjarët njëkohësisht. Vetëm torta na ngeli fiksim që nuk e shijuam dot. Por Victorias si mungoi njeri në ditëlindjen e saj të parë sepse sot kemi teknologjinë. Ajo nuk do ta mbajë mend por do pyesë kur të rritet.
Ndjenjat që kemi për njerëzit nuk veniten kur nuk shihemi, madje shtohen prej mungesës. Prandaj nëse keni një arsye sado të vogël për të festuar këto kohë, mos lejoni që karantina t’ju prishi qejfin. Fakti që jeni në shtëpi s’do të thotë që s’mund të organizoni një minifestë. Thirri miqtë për sebepin tënd virtualisht dhe ndajeni gëzimin bashkë, pse jo dhe me një gotë verë në dorë. Po sikur mos të kishim as teknologjinë?/dritare.net

















