Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

“Fikim radarët”: çfarë fshihet pas shprehjes virale!

ergys-agasi-vlora-hyseni.jpg

Nga redaksia Dritare.net

Shprehja “krejt radarët e shtetit i fik për ty” u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale pas publikimit të një videoje të gazetarit Vullnet Krasniqi. Në video, ai e paraqiti si të pretenduar një bisedë mes ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hysenit, dhe Ergys Agasit. Më pas, gazetari Bledian Koka e përsëriti këtë pretendim në një emision të Euronews Albania, duke thënë se mesazhi ndodhej në dosjen e SPAK-ut.

Por verifikimi i publikuar nga ZËRI thotë se mesazhi konkret nuk gjendet në dosjen e SPAK-ut. Sipas po këtij raportimi, videoja e Krasniqit e paraqiti si interpretim të komunikimeve të pretenduara, dhe më pas disa media e përcollën sikur citimi të ishte pjesë e dosjes.

Dosja, sipas raportimeve mediatike, lidhet me dyshimet se Hyseni i kishte përcjellë Agasit, kur ai ishte në kërkim, informacion të klasifikuar për lëvizjet e strukturave shtetërore. Hyseni është nën hetim për çështje që lidhen me nxjerrjen e sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorit të krimit; këto janë akuza dhe dyshime që duhen dalluar nga një përfundim gjyqësor.

A mund t’i fikë shefi i SHISH-it radarët?

Sipas përshkrimit zyrtar, SHISH-i mbledh dhe prodhon inteligjencë për kërcënimet ndaj sigurisë. Faqja zyrtare nuk e përcakton administrimin e radarëve si detyrë të shërbimit. Radarët ushtarakë të vëzhgimit ajror i përkasin kapaciteteve të Forcës Ajrore, ndërsa mbikëqyrja detare koordinohet nga QNOD-i, strukturë ndërinstitucionale nën Ministrinë e Mbrojtjes.

Prandaj, në këtë rast nuk është identifikuar ndonjë radar konkret që Hyseni te mund te kishte te drejte te ketë fikur. Drejtuesi i SHISH-it mund të ketë qasje në informacion të ndjeshëm dhe të bashkëpunojë me institucione të tjera, por kjo nuk do të thotë se ka autoritet të drejtpërdrejtë operacional mbi radarët e Forcave të Armatosura apo QNOD-it.

Do të ishte mirë që, për çështje kaq të ndjeshme, zëdhënësit e SPAK-ut ta sqaronin publikun, duke qenë se po flitet në emër të SPAK-ut. Dhe ndalimi i botimit të dosjes nga media në vijim nuk bëri gjë tjetër veçse bindi shumëkënd se ç'u botua deri tani është e vërtetë. Pra, diçka nuk shkon. Dikush ka interes që të bëhet dëm. Dhe sigurisht nuk është as SPAK-u, as media, por si SPAK-u, ashtu edhe media mund të ndihmojnë duke zbardhur të vërtetën, për aq sa mund të zbardhet, sa nuk është vonë. / Dritare.net