Na ndiqni edhe në

Arkiv

Eni Vasili dhe 10 gratë që vranë

Eni Vasili dhe 10 gratë që vranë

Dhuna nuk ka as gjini, as fytyrë , as kombësi. Ajo ka vetëm një tipar të dallueshëm- të ligën. Autorja,  ato intervista i ka përdorur si çelës për të  hyrë  me sa i është  lejuar, në  jetët e dhjetë grave, është përpjekur të cekë fundin që vetë ato e kanë bartur në kurriz dhe e vuajnë pas hekurave të kryqëzuara të burgut.

Eni: Është pak e çuditshme kjo që thua. Burgu, i bukur?’

Kena: Nuk është e çuditshme, çdo femre që përjeton burgun, i ndalet koha, ndalet në momentin kur ka hy këtu. Ajo e di që ka një të ardhme, bën plane për të nesërmen e largët, por plane ditore nuk bën, se është në një rutinë dhe jeton thjesht vetëm momentin e afrimit të lirisë. Unë kam fatin e mirë që dal pas tetë muajve. Janë edhe 260 ditë, nga 2744 gjithsej… Planifikoj çdo ditë, çdo gjë, që nga dita e parë që do dal.’

une kam vrare

Kur i lexon, mendon se i ka shkruar ndonjë profesore psikologjie, sociologjie, filozofie. Nërsa është një e dënuar për vrasje. Personazh i librit ‘Unë kam vrarë’ të Eni Vasilit.

Mbasi e përfundon librin ‘Unë kam vrarë’, të ndodh si rrallë herë me libra të tjerë, që të mendohesh gjatë, më gjatë nga sa është vetë një cikël jete. Dhe gruaja shqiptare, shpesh herë  e kufizon jetë n e saj me atë  të  fëmijëve, pa e njohur më  së  shumti kumtin që  përcjell lumturia, gëzimi, paqja, hareja dhe mirëkuptimi.

Eni Vasili ka filluar një mision që duket fare i thjeshtë. Ka intervistuar dhjetë  gra të  dënuara për shkak se kanë vrarë. Në shumë raste mund të përdoreshin për të fituar më tepër bujë, siç edhe ka ndodhur.

Me mjeshtëri, gazetarja ka ndërtuar pyetjet që nuk janë asnjëherë njëlloj për çdo rast, duke e bërë të pangjashme njërën histori me tjetrën. Rëndësi dhe vlerë në strukturën e librit janë meditimet e vetë autores. Është e pamundur të rrish indiferente dhe të mos trazosh emocionet, përsiatjet, mendimet e përfundimet për çdo histori, kur ke përballë jo vetëm portrete të plakura para kohe, por kur sheh qartë se burgu i ka dhënë atë që nuk ka mundur dot t’ua japë shoqëria dhe shteti: guximin për të shpresuar.

Autorja,  ato intervista i ka përdorur si çelës për të  hyrë  me sa i është  lejuar, në  jetët e dhjetë grave, është përpjekur të cekë fundin që vetë ato e kanë bartur në kurriz dhe e vuajnë pas hekurave të kryqëzuara të burgut.

Mbi të gjitha, ka dashur të nxjerrë në pah disa probleme që i kemi përpara syve dhe nuk i dallojmë. Ato fillojnë pak e nga pak, diku më fuqishëm e diku më butë, diku më dhunshëm e diku në mënyrë më të rafinuar, por gjithmonë janë, sepse Shqipëria, shoqëria dhe moraliteti i kësaj shoqërie janë një tokë e begatë për të lulëzuar dhunën ndaj gruas.

Muret që  i ngremë  dita ditës me mentalitetin e gabuar, me paragjykimet, me indiferencën, ato gra, janë  munduar t’i shëmbin me një  akt që  i ka qasur deri në  pikën më  të  padukshme, por më  të  rrezikshme, mendimin për të  vrarë  dhe vetëvrasjen.

Autorja nuk ka bërë  rolin e psikologut. Eni Vasili ka bërë vetëm një punë të menduar mirë: u ka dhënë mundësinë që ato të rrëfejnë dhe ka patur durimin për t’i dëgjuar, hera- herës për t’i drejtuar në hullinë e logjikës, të ngjarjes dhe të pasojave.

Në të shumtën e historive del një rrënjë që ka pjekur më vonë frutin e vrasjes. Është dhuna dhe paragjykimet ndaj femrës.

Nëse personazhet e Enit kanë duruar torturat, të rrahurat, të lënët pa ngrënë, poshtërimin, fyerjen, diskriminimin, shumë prej nesh jemi kthyer në skllave të vogla e të lumtura të një kuzhine, të një burri që i do të gjitha gati e që e trajton gruan si një ‘fat’ për ta urdhëruar e vënë në punë… sa ai të shohë sportin; sa të lexojë gazetat; të pijë me shokët; të luajë; të argëtohet me gjithë fantazinë e një  burri zakoni. Fëmijët, në shumë prej rasteve të librit e kanë vështirësuar jetën e gruas, në vend që ta lumturonin atë. Sepse janë gojë për të ushqyer, për t’u kujdesur e pamundësi për t’iu plotësuar nevojat më jetike.

Dhe vjen ai çasti, kur gjithë jeta bëhet një gur i fortë, një fuqi që të bën të lutesh për vdekjen e  dhunuesit.

Problemi i dytë që kalon çdo cak arsyetimi është padrejtësia e drejtësisë shqiptare në rastet e këtyre grave.

Në libër njohim avokatë inekzistentë, mashtrues e të paaftë; gjyqtarë, hetues e prokurorë që nuk i shkojnë në thelb çeshtjes, por vënë në pazar 30 vjet burg me 50 mijë euro. Punonjës të policisë që në shumicën e rasteve nuk kanë reaguar  ndaj kallëzimeve, ankesave, lutjeve për ndihmë që gratë kanë kërkuar.

Dhe ajo që nuk është shkruar në libër, ajo që duhet të shqetësojë shoqërinë tonë, institucionet që pretendojnë se janë krijuar për t’iu gjendur njerëzve në  kushte jetese të kufijve të mbijetesës, çfarë do bëhet me këto qënie njerëzore, kur të dalin prej portës së burgut. Si do ta përballojnë realitetin jashtë, që mund të jetë i ndryshëm për shkak të ndërtesave të reja, por jo prej një gjykimi të shëndoshë e inkurajues.

Një  problem i padukshëm që  shfaqet si shqetësim, pothuaj në  të  gjitha rrëfimet, është  fati i fëmijëve të  mbetur pa prindër. Kush kujdeset për ta? Çfarë  ndihme marrin? Për të  ngrënë ? Për t’u shkolluar? Për të  përballuar traumën? Asnjë  rast nuk më  la të  kuptoja se shteti mori përgjegjësitë e veta.

Djali i Adrianës ‘jepej me qira’ e flinte rrugëve; fëmijët e Dallëndyshes u rritën rrugëve të  Greqisë ; Xhemilja nuk i ka parë  asnjëherë ; Lulja ia besoi vajzës së  madhe…

Megjithëse libri “Unë kam vrarë”, shkruar nga Eni Vasili dhe botuar nga UET Press  përcjell rrëfimet e dhjetë grave që kanë vrarë dikë në jetën e tyre, vrasjet janë pika fundore e jetës së tyre, kërrusur nën peshën e dhunës, varfërisë, injorancës, paragjykimeve dhe klanit të familjes.

Fatet e njerëzve, tashmë të vrarë nga gratë, janë të ngjashëm me fatet e gjahtarëve që bien në kurthin që kanë ngritur me duart e tyre për të shijuar dhimbjet e presë.

Ndërsa fatet e dhjetë grave që janë përcjellë në libër përmes intervistave që gazetarja ka zhvilluar, i kemi shkruar të gjithë ne së bashku, me indiferencën dhe paragjykimin tonë.

Më  vjen në  mendje një  fjali e një  njeriu që  vuajti kampet naziste, shkrimtari e veprimtari i shquar, Èlie Wiesel.  ‘Jam betuar të mos rri asnjëherë indiferent, në çdo vend apo situatë në të cilën qëniet njerëzore janë të detyruara të durojnë  vuajtjen dhe poshtërimin.  Duhet të mbajmë qëndrim. Neutraliteti është në favor të shtypësit, asnjëherë  në krah të viktimës. Heshtja ndihmon dhunuesin, asnjëherë viktimën.’

Dhuna nuk ka as gjini, as fytyrë , as kombësi. Ajo ka vetëm një  tipar të  dallueshëm- të  ligën./mapo.al