Ekskluzive/ “Rezistenca për Parkun” dhe armët kimike (Foto)
Dritare.net
Mbrëmë ishte nata e dytë e rezistencës së qytetareve kundër betonizimit të Parkut te Liqeni Artificial. Të rinjtë u mblodhën në të njëjtin vend pas thirrjes që bënë gjatë ditës përmes rrjeteve sociale. Kërkuan ndihmën e qytetarëve që të mbështesnin kauzën dhe të bashkoheshin me pjesën tjetër të lëvizjes.
Por thirrjes për në orën 18:00, tek ulliri, pranë burimit, afër Kishës së Shën Prokopit nuk iu përgjigjën shumë qytetarë. U mblodhën, sërish ata që quhen të Rinjtë e Rezistencës kundër betonizimit të Parkut.
Ulliri është pema që i mbledh. Aty kanë vendosur batanijet për të kaluar natën e dytë. Drita e rrugës ndriçon shumë pak pjesën ku janë pozicionuar. Të rinjtë e “Organizatës Politike” dhe asaj “Për Universitetin” lëshojnë muzikë dhe këngë revolucionare për t’u dhënë zemër edhe atyre që e kanë me hezitim për të qëndruar dhe për t’u bashkuar me grupin, e në të njëjtën kohë edhe për tu argëtuar. E të tjerë i bien kitarës melodi këngësh të njohura, të shoqëruara me fjalë që i drejtohen policisë apo kryetarit të Bashkisë.
Janë të mbledhur nëpër grupe të vogla ku tema mes tyre është parku, qeveria, Bashkia, e deri te zhvillimet më të fundit në Kosovë.
Pjestarët e lëvizjes "Qytetarët për Parkun", i shqetëson vazhdimësia e rezistencës, çfarë do bëjnë më tej, si do vazhdojë rezistenca e tyre.
Erdi flet për ndryshimin e strategjisë së rezistencës. “Nuk mund të rrimë t'i shohim ndërsa ata punojnë. Të zhvendosemi drejt Bashkisë në Sheshin Skënderbej, pasi aty do jemi më të dukshëm dhe sensibilizimi do të jetë më i madh. Rezistenca nuk është e fortë pasi njerëzit nuk na shohin, mediet nuk e diskutojnë si problem, nuk flasin për këtë që po ndodh e shumta i kushtojnë ndonjë titull që kalon në ekran".
Altini nuk është dakord me të, sipas tij nuk mund të rrezikojnë të zhvendosen para Bashkisë me këtë mbështetje të siguruar deri tani. "Zgjidha jonë është të qëndrojmë, të paktën ne që jemi këtu për momentin duhet të jemi të vendosur dhe të bindur që kjo është gjëja e duhur. Qëllimi jonë është ta mbrojmë parkun nga betonizimi. Ne nuk mund të bëjmë më shumë se kaq sa po bëjmë".
E të njëjtit mendim janë edhe pjesëtarët e tjerë të grupit. Njëri e thekson me forcë vazhdimin e rezistencës, është e sigurt thotë ai që shoqëria civile ka vdekur në Shqipëri e nuk ka njerëz për protesta, por kjo nuk duhet të na dekurajojë.
Erdi ka një teori për atë që po përpiqet të bëjë Bashkia.
"Do bëjnë të njëjtën gjë siç bënë edhe me pallatin te ekonomiku, që futën një rrugë për të veçuar atë pjesë toke dhe pastaj prenë pemët për të ndërtuar pallate. Edhe këtu këtë gjë do bëjnë, do shkëpusin këtë copë të Parkut duke filluar nga Garda e cila ka një pjesë të vetën e për të vazhduar deri këtej, për ta mbushur me ndërtime".
Sipas tij Bashkia nuk ka të drejtë të prekë këtë pjesë të parkut pasi futet në zonën A. "Bashkia e quan park urban, por ky nuk është park urban është Park Qytetar. Ne nuk jemi kundër parqeve për lodra për fëmijë, thotë ai, le të ndërtohen në gjithë Tiranën, por edhe këtu do e fusin betonin? Shumica prej nesh janë të lidhur me parkun, kam pothuajse 15 vjet që jetoj në Tiranë".
Të njëjtën gjë thonë edhe motrat binjake nga Elbasani, edhe ato vijnë çdo darkë aty për t’u sensibilizuar me pjesën tjetër. Ato janë studente në master. Ka qenë dita e fundit e sezonit të provimeve, e vetmja kohë e lirë për to është pikërisht pasditja pas kthimit nga puna. I pyes si ka mundësi që protestojnë njerëzit që janë nga rrethet dhe shumë pak ata që janë nga Tirana. "Nuk jemi nga Tirana, thotë njëra prej tyre. Por ky është vendi ynë, këtu jetojmë tani. Më habit fakti qe këtu dalin njerëz për vrap, njerëz që shëtisin por nuk i bashkohen rezistencës qytetare kundër betonizimit".
Ka kaluar goxha kohë ora po shkon 21:30 dhe ka ardhur momenti që të merren vendime për atë që do ndodhë më pas, si do të kalohet nata. Bashkia ua ka ndaluar çadrat por ata janë siguruar me batanije dhe jastëkë.
Dikush bën thirrje me magnetofon që të mblidhen dhe të diskutojnë. Afrohen grumbull.
Martini nga "Qytetarët për Parkun”, hedh idenë e një organizimi. “Të dimë kush do të qëndrojë dhe kush do të ikë, kush do të rrijë sot ta kalojë natën këtu dhe kush do të vijë nesër”. Sipas tij lind nevoja e një lloj organizimi të brendshëm që t'i japë drejtim çështjes. Krijimi i një grupi pune që do të merret me organizimin dhe ndarjen e punëve dhe anën logjistike.
Mbështetja vjen edhe prej të tjerëve. Në momentin që bëhet votimi për ata që do jenë pjesë e këtij grupi, shumë pak duar ngrihen lart. Po kështu shumë pak duar ngrihen edhe për të kaluar natën. Entuziazmi i natës se kaluar ka qenë më i madh, por rezultati ishte me 7 vetë që u zgjuan në mëngjes. Propozohet ideja e shkrimit të emrave dhe numrave të telefonit për ata që do rrinë.
Ambjentalisti, që njëkohësisht i bie edhe kitarës fton të gjithë të pranishmit për të qëndruar bashkë. “Nuk ka asnjë lloj problemi, thotë ai, këtu jemi të sigurt, kemi respekt për njëri- tjetrin. Nata është e bukur, ajri i pastër, të gjithë keni ndenjur ndonjë natë jashtë, pse të mos rrini edhe tani. Unë jam i pari që do rri, nuk lëviz prej këtej".
Çështjet që shtrohen janë të shumta dhe ajo ç’ka është më e rëndësishme duhet të bashkohen. Duhet të bien dakord se cila është rruga më e mirë e rezistencës.
Njëri prej tyre ua drejton të gjithëve këto pikëpyetje që herë pas here i shprehin edhe në grupime të vogla. Ka ardhur momenti të ballafaqohen të gjithë dhe të vendosin.
“Jemi ne të gatshëm ta mbajmë parkun ashtu siç duhet? A jemi ne të gatshëm të lidhemi me pranga, në tufa që ta mbajmë njëri- tjetrin? Ne duhet të vrasim mendjen të krijojmë ide ta mbrojmë parkun para këtij rrethimi. Ne duhet të vrasim mendjen çfarë do bëjmë të shtunën nga Bashkia deri këtu”, shprehet ai.
Ideja mbizotëruese si mënyrë për t’i dalë kësaj çështje në krye, dhe pothuajse në mënyrën e tyre të gjithë bien dakord, është masivizimi, përfshirja e sa më shumë qytetarëve të njohur dhe të panjohur.
Stavro pjesë e lëvizjes "Për Universitetin”, shtron në diskutim atë çfarë duhet të bëjnë, si do masivizohet kjo çështje. "A të vijmë këtu e të shohim punimet siç ndenjëm sot apo të shpërhapmi në qytet të bëjmë lajmërime", pyet ai pjesëmarrësit.
Lindita shprehet se një mënyrë e mirë është shtimi i medieve, për të pasqyruar atë që ndodh aty. “Shtimi i medieve, prania më e madhe e tyre për të treguar atë që ndodh. Pas tyre të vijnë edhe studentët e mjedisit pasi në fund të fundit nëse nuk merren me këtë gjë, me çfarë do merren. Nuk duhen përjashtuar as grupet e interesit” , thotë ajo.
Shembulli më i mirë dhe protesta më e suksesshme që është arritur prej tyre, janë armët kimike. Nuk mungojnë krahasimet, ndjekja e të njëjtave taktika. Përfshirja e studentëve, nxënësve mund të ndihmojë masivizimin. Kjo pjesë ka kundërshtime. Disa nuk shohin të njëjtat ngjashmëri, u duken raste që nuk mund të imitohen. Sipas tyre çështja e atëhershme u bë emergjent përmes mediave.
"Medias nuk ia ndjen kjo që po ndodh këtu. Armët kimike ishin panik. Po as studentëve nuk u bëhet shumë vonë që të vijnë dhe të protestojnë. Shpërndarja nëpër lagje i jep fund nismës tonë. Ne po bëjmë disa role njëkohësisht, po bëjmë qytetarin, gazetarin, këngëtarin, politikanin. Përveç qytetarëve që janë të bindur që kjo çështje është e duhura, duhen thirrur edhe qytetarë të njohur dhe me ndikim", është sugjerimi i Klodit, logianit të shkëndijes.
Mbështetja vjen edhe prej Eljanit. “Për këtë që po bëjmë ne, duhet të reagonin 15 organizata. Por njerëzit tanë duhet të vazhdojnë para. Armët kimike ishte çështje që prekte ndërkombëtarët dhe prandaj pati edhe atë sukses”.
Gjergji, qytetari që proteston për liqenin, për parkun, për pemët dhe nuk është pjesë e asnjë grupimi aty. “Shqiptarët njihnin armët kimike dhe nuk njohin dioksidin e karbonit”, shprehet ai për këtë mungesë sensibilizimi të qytetarëve.
Dikush del vullnetar për printimin e materialeve që duhet të shpërndajnë e të njëjtën gjë kërkon prej të gjithë atyre që munden. Ata kërkojnë individualizimin e kësaj kauze, kërkojnë që ajo të identifikohet, të ketë një logo, të ketë pankarta që vendosen mbi pemë.
Një tjetër aktivist shprehet për krijimin e një logoje identifikuese për parkun dhe të gjithë pjesëmarrësit ta vendosin në fotot e tyre në FB. “Në këtë mënyrë identifikohen aktivistët dhe shihet kush është mbështetës. Ne kuptojmë se kush jemi dhe sa jemi. Kemi vendosur logo edhe për armët kimike, e kemi vendosur për Charlie Hebdo, pse të mos e vendosim edhe për parkun”, thotë ai. Disa mendojnë të rikthejnë logon e kaluar, me maskë edhe pemë. Disa janë për një logo të re. Dikush propozon një logo tjetër me një njeri që të futet në beton, për të treguar se betonizimi i parkut është betonizim i secilit që jeton në këtë qytet.
Parimisht të gjithë duken dakord, diskutimi mbyllet, fillon shpërndarja. Ata që do të rrinë, kanë marrë edhe masat për të qëndruar, ushqime dhe rroba. E ata që do të ikin do të kthehen sërish në mëngjes. Policia qëndron e veçuar në cepin e vet, një makinë ndërtimi afrohet drejt kishës. Për momentin nuk ka asnjë lëvizje. Të gjithë i pret një natë e gjatë në Parkun e qytetit të tyre/dritare.net
[cycloneslider id="per-parkun"]