
Ekskluzive/ Pesënjakët që duan të takojnë Fatos Nanon
Dritare.net

Nga Dritare.net
Pesënjakët Kupa njihen nga të gjithë banorët e Laprakës dhe jo vetëm. Lindja e pesë djemve, është arsyeja pse familja është bërë e famshme që prej vitit 2004. Një rast i rrallë në botë dhe i vetmi në Shqipëri.
Në shtëpinë e tyre më mirëpret Rrahmani, vëllai i madh. Përkushtimin e tij me vëllezërit e sheh sapo i takon të gjithë së bashku. Pesënjakët janë pika e tij e dobët. Në pamje të parë të ngjason me një familje pa brenga e të lumtur, gjithë gjallëri nga zhurmat e lojërat e pesënjakëve. Por kur i pyet, tregojnë për dritare.net, dramën e tyre të madhe.
Ja çfarë ndodhi një vit më parë!
Familja Kupa kishte që prej vitit 2005 që nuk i paguante faturat e energjisë elektrike, pasi nuk kishin mundësi financiare. Gjatë vitit 2015, OSHEE u ndërpret energjinë, por Thëllëza, nëna e fëmijëve, shkoi dhe i rilidhi. Ishte 27 korrik. Thëllëza u arrestua nga Policia e Shtetit.
“E di që ishte gabim, por e bëra për fëmijët. Jemi të gjithë pa punë, bashkëshorti është jashtë shtetit dhe mundohet, por kaq ia del, të mbajmë frymën. Nuk e prisja që policia do të vinte për të më arrestuar. U thashë policëve, më lini për hatër të pesënjakëve.”
Por në mesditën e të hënës, nëna e shtatë fëmijëve, shoqërohet nga pesë policë për në komisariat, për t’u liruar në orën 23:00.
Fëmijët e ndoqën nga pas mamanë, deri në rajon. Aty të pestë, shtrënguar pas njëri-tjetrit, rrinin e prisnin te dera mos e shikonin. Kur ra nata ikën kokulur, në shtëpi. Thëllëza, kujton momentin kur i gjeti të gjithë, ngjitur pas njëri-tjetrit, në një cep të dhomës, pa ngrënë gjithë ditën. U ulën atë natë, të gjithë bashkë, dhe nuk vunë gjumë në sy.
Ndërkohë gjatë vitit 2015, të gjithë banorët që ishin debitorë mund të lidhnin akt-marrëveshjen, ku përpos faturës mujore duhet të paguanin një shumë që niste prej 30 mije lekë të vjetra e rritej në varësi të shumës së debisë. Por kur Thëllëza iu drejtua Zyrave për Shërbimin ndaj Klientit, OSHEE, për të lidhur akt-marrëveshjen, asaj iu refuzua kërkesa, si pasojë e kalimit të afatit. Në këto kushte familja Kupa detyrohet të marrë një borxh prej 12 milion lekësh për të shlyer detyrimet energjetike.
Tani i ka mbetur pa shlyer gjithë ky borxh te familjarët që ia kërkojnë dhe një vit për të përfunduar dënimin për rilidhjen e energjisë. Dënimi e detyron të mos largohet nga Shqipëria, ndërsa vajza e saj e vetme, 15 vjeç, ka nevojë urgjente për të shkuar jashtë për një kurim special, mungesa e të cilit po i merr jetën.
Duan të takojnë të vetmit njerëz që i ndihmuan, Fatos dhe Xhoana Nanon, t’i falënderojnë
Nuk duan shpërblime që nuk i meritojnë e aq më pak mëshirë, kërkojnë vetëm atë çka u takon pesënjakëve. Thirrja e Rrahmanit ka trokitur në çdo derë të institucioneve shtetërore, por asnjëherë nuk ka gjetur mbështetje. 21 vjeçari rrëfen për dritare.net përpjekjet e tij që t’i dëgjohet zëri.
“Ku janë ata deputetë, të çfarëdo partie, që vijnë vetëm kur ka fushatë elektorale dhe në televizione flasin për t’i qenë afër njerëzve në nevojë. Ne jemi njerëz në nevojë, por as përgjigje nuk denjoi kush t’i kthente letrave të mia. Në botë mbrohen pesënjakët, në Shqipëri ata janë rast i vetëm.
Mamaja ime është kryefamiljare, ndërkohë i vetmi shpërblim për djemtë është 250 mijë lekë që i morën, kur lindën. Por a mund të jetojnë tetë persona më një shumë të tillë, a munden të gjithë ata që janë në Parlament, të bëjnë një jetë me kaq para?!”
Rrahmani thotë se ka pasur shumë persona që i kanë mbështetur, qoftë edhe moralisht, më shumë me lodra për fëmijët.
“Jo të gjithë njerëzit janë të këqij, ka pasur persona që na kanë ndihmuar dhe ne u jemi mirënjohës me gjithë zemër. Por ëndrra jonë është të takonim edhe një herë Fatos Nanon dhe zonjën e tij, pasi vetëm falë tyre ne kemi një shtëpi këtu në Tiranë. Duam thjesht t’i falënderojmë për çfarë kanë bërë për ne, pasi nuk i kemi harruar. Ka qenë e vetmja mbështetje që na ka ardhur nga shteti.”
Thëllëza, edhe pse është e sëmurë, përsëri qëndron e fortë, ka krenari të madhe dhe nuk është dakord me djalin që i shkruan politikanëve. Ajo u mërzit që njeri prej njerëzve që djali i shkroi, ish kryeministri Berisha, e bëri publike letrën e tij.
Është e zhgënjyer me të gjithë, por rrit fëmijët pa ngritur kokën dhe hapur gojën.
E përvuajtur, asnjëherë nuk e jep veten para fëmijëve, pasi nuk do që shqetësimet t’i përcillen atyre.
Asllani, Beqiri, Shkëlzeni, Sabedini, Resuli edhe pse janë të veçantë për të tjerët, për njëri-tjetrin janë të ngjashëm. Shkojnë në shkollën “28 Nëntori”, janë në klasa të ndryshme, ndërsa në pushim të madh i sheh të pandarë. Të edukuar e të sjellshëm, nuk kanë ndrojtje për të krijuar shoqëri, madje i pëlqen të rrethohen nga sa më shumë miq, pasi në këtë mënyrë marrin më shumë njohuri. Nuk kanë frikë të tregojnë ato çka ata dinë, apo të thonë mendimin e tyre. Edhe pse janë vetëm 12 vjeç, ditët e tyre janë të zëna me aktivitete, paradite shkojnë në shkollë ndërkohë gjatë pasdites janë në stërvitje për basketboll dhe kickbox. Kanë ëndrra të mëdha dhe nuk e dinë ende se ëndrrat ndonjëherë nuk mjaftojnë.
Një nënë e cila lufton me veten për të qenë më e fortë. Një vëlla që shkruan letra dhe kërkon ndihmë. Një vajzë e vogël që pret të mbarojë dënimi i nënës. Dhe pesë djem të veçantë, jo vetëm se janë pesënjakë, por për shpirtin e tyre entuziast, zgjuarsinë dhe edukatën.
Largohem me premtimin se do të shkoj sërish një ditë, t’i intervistoj kur të bëhen kampionë dhe të bëjnë krenare nënën e tyre, që fsheh lotët kur i dëgjon./dritare.net

















