Na ndiqni edhe në

Shqip

Dritan Hila: Sot u dënua gjithë kombi shqiptar!

Gazetari Dritan Hila ka folur pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Duke komentuar dënimet e dhëna ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hila tha se shifrat e viktimave të luftës në Kosovë dhe përmasat e dënimeve ngrenë pikëpyetje të forta. Ai u ndal veçanërisht te fakti se katër ish-krerët e UÇK-së nuk u shpallën fajtorë për krime kundër njerëzimit, ndërsa e cilësoi luftën e shqiptarëve të Kosovës si një luftë për mbijetesë dhe liri.

“Specialja dënoi udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me vite burg që nuk i ka aplikuar as për gjeneralët serbë, të cilët ishin në Kosovë. Hashim Thaçi, drejtuesi politik, me 25 vjet, Jakup Krasniqi me 25 vjet, dhe kjo është shumë e çuditshme, sepse zoti Krasniqi ka qenë vetëm një shef i propagandës, ndërkohë që shefi i propagandës i Millosheviçit është presidenti i Serbisë, dhe pastaj Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet.

Në fakt, ajo që të bën përshtypje është se akuza nuk përfshin krime kundër njerëzimit. Pra, këta komandantë ‘kriminelë’ nuk kanë zbrazur asnjë fshat serb, por ishin krime të cilat gjithsej përfshinin 95 vetë. Është në fakt një gjykim i cili, pavarësisht se ne jemi të anshëm, jemi shqiptarë dhe patjetër që emocionet bëjnë pjesë në gjykimin tonë, por shifrat flasin kundër dhe matematika nuk është opinion.

Përballë 11.000 shqiptarëve të vrarë, nga të cilët 1.500 fëmijë, 20.000 femrave të dhunuara, 1 milion shqiptarëve të dëbuar, janë 95 veta. Nga 280 dëshmitarë, shqiptarë. Këtu dua të kujtoj se kundër Millosheviçit nuk doli asnjë dëshmitar serb.

Pra, kundër tyre për 95 persona, për të cilët unë nuk jam i bindur që akuza i ka përputhur të gjitha faktet për t’i dënuar dhe i akuzojnë edhe se pse krijuan një shërbim special. Në cilën luftë shkohet pa krijuar zbulimin dhe kundërzbulimin? Këtë vetëm mendjet e gjykatësve të Hagës mund ta dinë.

Pra, sot është dënuar në një farë mënyre gjithë kombi shqiptar. A e prisnin, a s’e prisnin, mua më kanë bërë përshtypje dy momente. Gjykatësi amerikan që shikonte si i tromaksur në drejtim të Thaçit, që dukej sikur po dënohej ai dhe Thaçi që e priti me buzëqeshje.

Me siguri këta komandantët e kanë ditur se si do të shkojë puna. Të katërt ata janë me një biografi e cila shkon që nga fëmijëria e tyre, të persekutuar nga serbët, të përndjekur, të burgosur në rininë e hershme. Janë njerëz të cilët morën malin në kohën kur Evropa zdërhallej në kënaqësitë e fitores mbi komunizmin, mbi Bllokun e Lindjes, dhe mund të zgjidhnin fare mirë shkuarjen në Perëndim, por zgjodhën të luftonin për vendin e tyre. Prandaj sot u dënuan gjithë shqiptarët.

U dënua një luftë e cila ka një karakteristikë shumë të veçantë. Në qoftë se do të shikojmë të dënuarit nga kombet e tjera, që të gjithë kanë qenë gjeneralë, politikanë, të cilët kanë qenë larg vijës së frontit, ndërsa këta të katërt kanë qenë në vijën e parë të frontit. Dhe prandaj thashë që këta nuk i tremb ai dënim dhe besoj që nuk e kanë problem.

Jeta e tyre ka shkuar mes burgjeve, luftërave, nuk i janë trembur plumbit. Por ajo që na bën të hidhërohemi është sepse faktikisht këtu u dënuan shqiptarët, u dënua pa përjashtim një luftë e cila ishte tipike luftë për liri. Nuk kishte asnjë lidhje me luftërat në ish-Jugosllavi, ku pati një peshë të madhe nacionalizmi dhe shovinizmi të secilit prej kombeve. Ndërsa te shqiptarët ishte një luftë për mbijetesë, ishte një luftë për liri”, tha Dritan Hila./K.C/dritare.net