Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Disa këshilla nga ambasadori Sokol Gjoka për studentët!

Disa këshilla nga ambasadori Sokol Gjoka për studentët!

Ambasadori Sokol Gjoka thotë se dhuna nuk është mënyra e duhur për të arritur qëllimet politike, qoftë edhe për të rrëzuar një qeveri. Sipas tij, dhuna dëmton institucionet, të cilat janë të të gjithëve, si dhe biznesin privat.

I pyetur se çfarë duhet të bëjnë studentët, Gjoka renditi gjashtë hapa. I pari është masivizimi i protestës, edhe me përfshirjen e qytetarëve. I dyti, protesta duhet të jetë civile, pa dhunë dhe me mesazhe të mirëpërcaktuara. I treti është ngritja e një përfaqësie që të negociojë në emër të tyre. I katërti, një plan veprimi, i cili sipas tij duhet bërë publik në pikat e përgjithshme, që ta njohin palët dhe opinioni publik. I pesti është bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar, ndërsa i gjashti bisedimi me kryeministrin Rama.

“Kur do ulesh në bisedë, me kë do ulesh? Me qeverinë. Qeveria është kryeministri”, tha Gjoka. Ai e konsideron gabim refuzimin e studentëve për të biseduar me Ramën dhe e quan këtë kushtëzim të pazbatueshëm.

Sipas tij, qeveria është legjitime, sepse doli nga zgjedhjet e 2025, të cilat nuk u kontestuan dhe u pranuan nga faktori ndërkombëtar. Gjoka shton se e vetmja mënyrë për ta rrëzuar qeverinë është mocioni i mosbesimit në parlament. Me numrat aktualë kjo nuk mund të ndodhë, ndaj sipas tij rruga e vetme mbetet tryeza e bisedimeve.

Si alternativë, nëse studentët nuk duan të ulen me kryeministrin, ambasadori përmend negocimin përmes Presidentit të Republikës si institucion. Ai e quan këtë një alternativë institucionale dhe diplomatike.

Gjoka foli edhe për rolin e policisë, duke kujtuar deklaratën e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë. Deklarata u bën thirrje forcave të rendit për vetëpërmbajtje, për të shmangur përdorimin e tepruar të forcës dhe për të garantuar të drejtën për protestë paqësore. Sipas tij, në rrugë del policia, por politikat i bën qeveria. Ai thekson se duhet ndaluar me çdo kusht përshkallëzimi i situatës drejt viktimave, sepse dhuna prodhon dhunë dhe gjërat dalin jashtë kontrollit, siç ndodhi në vitin 1997.

Për vendimin e kryeministrit për t’u dhënë nga 2500 euro policëve që përballuan protestat, Gjoka tha se nuk ishte mënyra e duhur. Sipas tij, shpërblimi mund të bëhej në forma të tjera dhe jo në një formë kaq publike.