Dhuna ndaj protestuesve në Tiranë, pezullohen dy efektivë policie
Dritare.net

Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra dy efektivë, pasi në rrjetet sociale u publikuan video ku ata shfaqen duke tejkaluar detyrën dhe parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë. Sipas reagimit zyrtar, vendimi është marrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, Gjithashtu, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka marrë urdhër për të nisur menjëherë hetimin disiplinor ndaj dy punonjësve.
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT
"Menjëherë pas publikimit të videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy punonjës policie në tejkalim të detyrës dhe të parimit të proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të dy punonjësve të Policisë, konkretisht:
Inspektor E. P. dhe inspektor T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.
Njëkohësisht, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor për dy punonjësit e Policisë.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga ana e punonjësve të Policisë.
Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve."/K.C/dritare.net