Na ndiqni edhe në

Editorial

Detarët shqiptarë, ose kavalierët e detit (Kur Shqipëria ia kalon Greqisë dhe Italisë)

Detarët shqiptarë, ose kavalierët e detit  (Kur Shqipëria ia
Nga Dritan Hila

Ky mbase është një lajm që nuk u intereson shumë njerëzve, por kush është i apasionuar me lundrimin, duhet ta mësojë. Dhe ca më shumë që të vlerësojë Kapitanerinë Shqiptare ose siç quhet tani, Drejtoria Detare.

Në prag të sezonit turistik, Greqia ka ndërmarrë një hap të rrallë në praktikën detare: ka vendosur pagesë për të gjithë ata që kërkojnë ndihmë nga Roja Bregdetare.

Ndryshe nga sa ndodh në tokë apo në alpinizëm ku ndihma nga ajo e karroatrecit deri tek ambulanca apo ekipeve të shpëtimit, paguhet, në det është një praktikë e përgjithshme që ndihma është falas. Të kuptohemi që bëhet fjalë për njerëzit dhe jo për mjetet.

Por për shkak të vijës bregdetare të gjatë dhe turistëve të shumtë ku nuk mungojnë aventurierët, Roja Bregdetare e Greqisë u përgjigjet shumë thirrjeve të njerëzve në rrezik. Dhe kjo ndodh edhe në rastet kur shërbimi meteorologjik këshillon që mos të dilet në det. Por varka me vela apo sërfistë, nuk marrin parasysh lajmërimet, duke bërë që të mobilizohet ndihma e shpejtë që përfshin lëvizjen e mjeteve detare, helikopterëve dhe shpesh vënien në rrezik të jetës së personelit shpëtues.

Ndaj Greqia nga sivjet do të aplikojë pagesën për shpëtimin në det.

Por mos harroni që edhe vende si Italia apo Mali i Zi, kur vijnë në ndihmë të lundërthyerve, këtë e bëjnë vetëm për personelin. Nëse kërkon që të shpëtohet edhe mjeti, pagesa mund të shkojë deri në 50% të vlerës së tij.

Krejt e kundërta ndodh në territorin shqiptar. Në rast rreziku, kapitaneritë shqiptare dhe policia kufitare, kanë shkuar në ndihmë të personave të rrezikuar, duke rimorkiuar ata bashkë me mjetin.

Jo më larg se gushtin e shkuar, Kapitaneria e Durrësit i erdhi në ndihmë në det të hapur në mes të furtunës, jahtit të shtetasit italian Vittorio Vegni, të cilit i ishte prishur motori. Vetë personi kishte mbetur i mrekulluar nga profesionalizmi i shqiptareve dhe pagesa: Vetëm 200€. As kostoja e karburantit të rimorkiatorit.

Në blogun e tij, miqtë shkruanin se për raste të ngjashme në Itali apo Francë, ndihma kishte shkuar me vonesë dhe çmime të kripura, nga 5.000€ e më shumë.

Duhet thënë se vitet e fundit, sidomos pas emërimit të Paulin Ndreut, një detar i vjetër, në drejtimin e këtij sektori, lehtësitë burokratike janë përmirësuar. Por duhen bërë disa ndryshime, të cilat shkojnë përtej vullnetit të mirë të administratës, dhe duhen pasqyruar në ligj.

Së pari duhet thjeshtuar legjislacioni për mbajtjen e një mjeti lundrues personal, nën 10 m. Vetëm për të marrë një leje lundrimi për këtë lloj mjeti, duhen mbi 11 dokumente.

Së dyti, duhen përfshirë në policën e sigurimit të skafeve dhe gomoneve, rastet e shpëtimit në det, në mënyrë që kostot e karburantit, konsumit të mjeteve apo rrezikimit të personelit shtetëror, mos t'i lihet në kurriz taksapaguesve shqiptarë që nuk kanë lidhje me pasionet e lundrimit.

Gjithsesi ajo që duhet thënë si në gjithçka që ka lidhje me turizmin dhe shqiptarët, ky është ende një vend ku mund të gjeni njerëz që ju ndihmojnë pa interes dhe çmimet janë akoma të lira./dritare.net