Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Dy vëllezërit u mbytën në Shkumbin/ Flet i afërmi: Njërin e mora vetë, i bëra frymëmarrje artificiale

Dy vëllezërit u mbytën në Shkumbin/ Flet i afërmi:

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme fshatin Labinot-Fushë në Elbasan, ku dy fëmijë të mitur, vëllezër 7 dhe 9 vjeç, kanë humbur jetën pasi u mbytën në lumin Shkumbin.

Ngjarja ka ndodhur teksa fëmijët ndodheshin pranë lumit bashkë me nënën e tyre, duke ruajtur bagëtitë. Në një moment, të miturit kanë hyrë në ujë për t’u larë, por rrjedha e fortë dhe një gropë e thellë pranë një prite pranë hidrocentralit rezultuan fatale për ta.


Sipas dëshmisë së një të afërmi të familjes Bica, roja i hidrocentralit ka qenë i pari që ka zbuluar trupat e fëmijëve në ujë. Ai i ka dhënë alarmin dhe një prej banorëve ka tentuar t’u japë ndihmën e parë, por pa sukses.

“Isha te puna, pashë që po vraponin. Roja i hidrocentralit e kishte njërin fëmijë në krah. Ia mora dhe i bëra frymëmarrje artificiale, por nuk pati asnjë reagim. Ishin fëmijë të mirë, i njihja, më kanë ardhur shpesh te puna për të marrë ujë, rrinin aty kur ishte vapë,” ka treguar i afërmi i familjes për mediat.

Trupat e pajetë të fëmijëve janë gjetur pak më vonë në një kanal të lumit dhe po transportohen për ekspertizë mjeko-ligjore. Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie. Dyshohet se bëhet fjalë për një mbytje aksidentale për shkak të kushteve të pasigurta në zonën përreth lumit./K.C/dritare.net