Pse çmimi i naftës ka rëndësi më shumë nga sa mendoni ju?!
Dritare.net

Përshtatur nga BBC
Konflikti mes SHBA-ve dhe Izraelit me Iranin po ndikon në jetën e përditshme të njerëzve në mbarë botën, jo vetëm në vendet e përfshira drejtpërdrejt. Bllokimi i eksportit të naftës, gazit dhe produkteve të tjera nga Gjiri Persik, së bashku me uljen e prodhimit nga disa vende, ka shkaktuar një krizë të furnizimit që ka çuar në rritje të ndjeshme të çmimeve.
Kjo rritje e çmimeve ka tronditur tregjet financiare, por ndikon gjithashtu te qytetarët e zakonshëm: çmimet e benzines dhe naftës janë duke u ngritur, kostot e ushqimeve dhe pushimeve rriten dhe bizneset përballen me shpenzime më të larta. Analistët paralajmërojnë se ndikimet mund të jenë të mëdha, duke përfshirë mundësinë e një ngadalësimi ekonomik global, ku disa vende janë më të ekspozuara se të tjerat.

“Kjo është tronditja më e madhe e furnizimit të naftës në historinë moderne të tregut global,” tha Hunter Kornfeind, analist i lartë i energjisë në Rapid Energy Group.
Çmimet e karburanteve rriten
Në SHBA, çmimi mesatar i benzinës ka shkuar mbi 3.50 dollarë për galon, ndërsa nafta ka arritur 4.78 dollarë për galon, sipas Shoqatës Amerikane të Automjeteve. Në Mbretërinë e Bashkuar, çmimet e benzinës dhe naftës janë rritur respektivisht me 4.95 dhe 9.43 pence për litër që nga fillimi i luftës. Lëvizjet në tregun e naftës ndikojnë zakonisht te çmimet e karburanteve pas rreth dy javësh.
Rreziku për fluturimet dhe ekonominë
Gjiri Persik furnizon Evropën me rreth gjysmën e karburantit për avionë. Çmimi i karburantit të avionëve është dyfishuar, duke i bërë më të shtrenjta fluturimet dhe duke rrezikuar anulime të fluturimeve. Megjithatë, disa linja ajrore evropiane kanë kontrata me çmim të fiksuar për muaj ose vite, ndërsa disa kompani amerikane nuk e kanë këtë mbrojtje, duke u ekspozuar ndaj rritjeve të menjëhershme të kostove.
Scott Kirby, drejtori i United Airlines, paralajmëroi se rritja e çmimeve të fluturimeve mund të ndodhë shpejt. Nëse konflikti nuk zgjidhet shpejt, çmimet globale të naftës mund të kalojnë nivelet e vitit 2022 dhe disa analistë parashikojnë se çmimi mund të arrijë deri në 150 dollarë për fuçi. Kornfeind paralajmëroi se ndikimi ekonomik mund të jetë “mjaft drastik”, pasi familjet dhe bizneset do të reduktojnë shpenzimet e tjera, duke ngadalësuar ekonominë globale.
Efektet në industri dhe ushqime
Kriza e energjisë mund të ndikojë në prodhimin e çipave dhe teknologjinë e lartë, ndërsa rritja e çmimeve të plehrave kimike mund të rrisë kostot e ushqimeve. Fermerët amerikanë po përballen me çmime më të larta për plehrat, që rrisin ndjeshëm shpenzimet dhe mund të eliminojnë fitimet e tyre nga prodhimi i këtij viti.
Harry Ott, fermer në Karolinën e Jugut, tha: “Këto janë kohë të vështira, dhe ajo që po ndodh me plehrat ishte totalisht e papritur. Askush nuk e kishte parashikuar këtë.”
Konflikti ka efekt zinxhir në mbarë botën, nga tregjet globale te fermat lokale, duke treguar se çmimi i naftës ndikon më shumë se sa mund ta mendonim fillimisht./K.C/dritare.net