
Çfarë ndodh me të vërtetë me lumturinë kur bëhesh prind?
Dritare.net
Hulumtimet tregojnë se të kesh fëmijë ndikon keq në cilësinë e jetë, por e vërteta mbi prindërimin dhe lumturinë është shumë më e ndërlikuar.
Nga Paul Bloom-The Atlantic
Ndër vendimet më të mëdha në jetë është ai nëse do të bësh apo jo fëmijë. Psikologë dhe studiues të tjerë të shkencave sociale janë përpjekur të kuptojnë se çfarë ndikimi ka prindërimi në lumturinë tonë. Disa prej tyre kanë dalë në përfundimin se, nëse dëshiron të jesh i/e lumtur, më mirë është të mos bësh fëmijë. Të tjerë e kundërshtojnë këtë ide, duke theksuar se kjo varet nga shumë faktorë, përfshirë kush je ti dhe ku jeton. Por ekziston edhe një pyetje më e thellë: Po sikur përfitimet e të pasurit fëmijë të mos kenë të bëjnë fare me lumturinë, të paktën jo në kuptimin e zakonshëm të saj?
Studimet e hershme janë të qarta: të bëhesh prind ka ndikim negativ në cilësinë e jetës. Në një hulumtim të mirënjohur, psikologu Daniel Kahneman dhe kolegët e tij kërkuan nga rreth 900 gra që punonin të regjistronin çdo ditë aktivitetet e tyre dhe nivelin e lumturisë gjatë secilit aktivitet. Rezultatet treguan se koha me fëmijët nuk ishte aq argëtuese sa aktivitete të tjera si të shikuarit televizor, blerjet apo gatimi.
Studime të tjera tregojnë se, pas lindjes së një fëmije, prindërit përjetojnë një rënie të lumturisë që zgjat për shumë kohë. Gjithashtu, kënaqësia në martesë bie dukshëm dhe nuk rikuperohet zakonisht deri sa fëmijët të largohen nga shtëpia. Siç thotë profesori i Harvardit, Dan Gilbert: “Simptoma e vetme e sindromës së ‘flluskës bosh’ është një buzëqeshje pa fund.”
Nuk është për t’u habitur. Të kesh fëmijë, sidomos në vitet e para, nënkupton vështirësi financiare, mungesë gjumi dhe stres të lartë. Për nënat, kjo përfshin edhe barrën fizike të shtatzënisë dhe gjidhënies. Prindërimi mund ta kthejë një marrëdhënie të dashur në një betejë të përditshme për të gjetur kush do flejë, kush do punojë e kush jo. Siç vëren gazetarja Jennifer Senior në librin e saj All Joy and No Fun, fëmijët janë shkaku më i shpeshtë i grindjeve mes çifteve, më shumë se paratë, puna, vjehrrit, zakonet personale apo jeta seksuale.
Por… është më e ndërlikuar se kaq
Siç ndodh shpesh në psikologji, rezultatet që në fillim duken të thjesht, “fëmijët të bëjnë të palumtur”, por studime të tjera nxjerrin përfundime më të ndërlikuara. Për shembull, ndikimi negativ i prindërimit në lumturi është më i madh për disa sesa për të tjerë. Një studim tregon se baballarët e moshës 26–62 vërtet përjetojnë një rritje në lumturi, ndërsa prindërit e rinj ose beqarë përjetojnë rënien më të madhe. Gjithashtu, vendi ku jeton ka shumë rëndësi. Një punim i vitit 2016 që analizoi 22 shtete tregoi se lumturia e prindërve varet edhe nga politikat sociale, p.sh., prindërit në Norvegji dhe Hungari janë më të lumtur se çiftet pa fëmijë, ndërsa në Australi dhe Britani janë më të palumtur. Vendi ku fëmijët ndikojnë më keq në lumturi? Shtetet e Bashkuara.
Pra, fëmijët i bëjnë disa njerëz të lumtur, të tjerët të palumtur, dhe shumica ndodhen diku në mes, në varësi të moshës, gjinisë dhe vendit ku jeton. Megjithatë, mbetet një paradoks i madh: Shumë njerëz do të kishin jetë dhe martesa më të lumtura po të mos kishin bërë fëmijë, por gjithsesi e përshkruajnë prindërimin si gjënë më të mirë që kanë bërë ndonjëherë. Pse nuk pendohemi më shpesh që kemi bërë fëmijë?
Një shpjegim është ai i “shtrembërimit të kujtesës”. Kur mendojmë për të kaluarën, kemi prirjen të kujtojmë çastet e lumtura dhe të harrojmë pjesët e mërzitshme apo të vështira. Jennifer Senior shprehet kështu: “Vetja jonë përjetuese i thotë studiuesve që ne preferojmë të bëjmë punët e shtëpisë, të flemë, të bëjmë pazar apo të lexojmë e-maile sesa të kalojmë kohë me fëmijët… Por vetja jonë që kujton u thotë studiuesve se askush dhe asgjë nuk na sjell më shumë gëzim se fëmijët tanë.” Kjo mund të mos jetë lumturia e përditshme, por është ajo që kujtojmë, që e thurim në rrëfimin e jetës sonë.
Ka edhe shpjegime të tjera që s’kanë të bëjnë fare me lumturinë, të paktën jo në kuptimin klasik të saj.
Një ndër to ka të bëjë me lidhjen emocionale. Shumica e prindërve i duan fëmijët e tyre dhe ideja që jeta do të ishte më e mirë pa dikë që e do është e padurueshme. Më shumë se kaq, ata preferojnë një botë në të cilën ekzistojnë fëmijët e tyre, edhe nëse kjo i ka bërë më pak të lumtur.
Profesori Kieran Setiya sjell një shembull nga filozofi Derek Parfit: imagjinoni që nëse do të kishit bërë një fëmijë disa muaj më vonë, ai nuk do të kishte një problem të përhershëm shëndetësor (si dhimbje kronike të kyçeve). Por ju vendosët të mos prisni. A do të pendoheshit? Nga njëra anë, po, do të ishte më mirë për fëmijën të mos kishte vuajtje. Por nëse do të kishit pritur, do të kishit një fëmijë tjetër, jo këtë që keni sot. Kjo dashuri unike ndaj një personi konkret mund ta tejkalojë edhe humbjen e përgjithshme të cilësisë së jetës.
Kjo lidhet edhe me një pikë tjetër: jeta nuk ka të bëjë vetëm me lumturinë. Kur them se rritja e fëmijëve të mi është gjëja më e mirë që kam bërë, nuk nënkuptoj që ata më kanë dhënë kënaqësi të përditshme apo që kanë qenë të mirë për martesën time. Kam parasysh diçka më të thellë: kuptimin, qëllimin, dhe përmbushjen. Dhe nuk jam i vetmi. Në sondazhe, prindërit raportojnë se ndihen më të përmbushur në jetë sesa ata që nuk kanë fëmijë. Një studim nga psikologu Roy Baumeister dhe kolegët e tij zbuloi se sa më shumë kohë kalonin njerëzit duke u kujdesur për fëmijët, aq më kuptimplotë e ndjenin jetën e tyre, edhe pse nuk raportonin se ishin më të lumtur.
Pra, prindërimi ka lidhje të paqarta me kënaqësinë, por mund të japë diçka më të thellë dhe më domethënëse, qoftë në lidhjen me të tjerët, qoftë në ndjesinë e përmbushjes. Shkrimtarja Zadie Smith e përshkruan prindërimin si një përzierje të çuditshme “tmerri, dhimbjeje dhe kënaqësie”. Ajo nënvizon rrezikun e lidhjeve të ngushta: “A nuk është mjaftueshëm e vështirë ta humbasësh një të dashur? Pse të shtosh edhe dhimbjen e mundshme të humbjes së një fëmije, që nëse ndodh, është shkatërrim i plotë i qenies sate?” Por ky shkatërrim pasqyron edhe vlerën e jashtëzakonshme të asaj lidhjeje. Siç shkruan autori Julian Barnes, duke cituar një mik të tij mbi pikëllimin:
“Dhimbja është po aq e madhe sa ishte dashuria.”/K.C/dritare.net

















