Na ndiqni edhe në

Kuriozitete

Si po e fiton shkenca, luftën ndaj kancerit!

Si po e fiton shkenca, luftën ndaj kancerit!

Kanceri nuk është një sëmundje e vetme, por një klasë e tërë sëmundjesh dhe fitorja ndaj tij nuk po vjen si rezultat i një zbulimi madhor, por nga mijëra përparime të vogla në parandalim, kirurgji dhe mjekime. Megjithëse kanceri mbetet një ndër shkaqet kryesore të vdekjes në mbarë botën, shkenca po përparon ndjeshëm në luftën kundër tij.

Lufta që nisi me shumë shpresë
Në vitin 1971, presidenti amerikan Richard Nixon shpalli “luftën kundër kancerit”, në një kohë kur besimi në shkencë ishte i lartë, vetëm dy vjet më parë, njerëzimi kishte zbritur në Hënë. Disa mjekë madje besuan se kanceri do të kurohej brenda pak vitesh. Por realiteti nuk e justifikoi këtë optimizëm. Sot, në vendet e pasura, gjysma e burrave dhe një e treta e grave preken nga kanceri gjatë jetës. Në SHBA, ai është shkaku i dytë i vdekjeve pas sëmundjeve të zemrës, me rreth 600,000 viktima në vit.

Megjithatë, një analizë e revistës The Economist thekson se realiteti është më premtues se sa duket në pamje të parë.

Si po e fiton shkenca, luftën ndaj kancerit!

Përparim i ngadaltë, por i qëndrueshëm
Kanceri është i lidhur fort me plakjen. Në vendet e zhvilluara, që nga fillimi i viteve 1990, shkalla e vdekjeve të rregulluara sipas moshës ka rënë në mënyrë të qëndrueshme. Në SHBA, kjo shkallë është aktualisht një e treta më e ulët se në vitet ’90, dhe trende të ngjashme shihen edhe në vende të tjera të pasura.

Ajo që pritej të ishte një luftë e shpejtë, rezultoi të jetë një përpjekje e gjatë, por gjithnjë e më e suksesshme. Një nga fitoret më të mëdha është leukemia tek fëmijët, që dikur ishte thuajse një dënim me vdekje, sot, shkalla e mbijetesës për 5 vjet ka kaluar 90%.

Tri burimet kryesore të sukseseve të ardhshme
Sipas The Economist, fitoret e ardhshme ndaj kancerit do të vijnë nga tre drejtime:

1. Zbatimi global i përvojave të vendeve të zhvilluara
Një ndër sukseset më të mëdha, por më pak të dukshme, është parandalimi. Në vendet e pasura, shkalla e duhanpirjes ka rënë ndjeshëm, duke parandaluar mbi 3 milionë vdekje nga kanceri që nga viti 1975. Si rezultat, nëse vendet me të ardhura të ulëta e të mesme zbatojnë politika të forta kundër duhanit, mund të shpëtojnë miliona jetë.

2. Barnat më të lira dhe zgjerimi i qasjes ndaj tyre
Kanceri i qafës së mitrës, pothuajse gjithmonë pasojë e infektimit me HPV, ka pësuar rënie dramatike në Britani që nga fillimi i vaksinimit të vajzave adoleshente në vitin 2008. Sot, për grupmoshën 20–29 vjeç, rastet janë ulur me 90%. Vaksina indiane më e lirë po mundëson fushata të gjera vaksinimi në vende me të ardhura më të ulëta.

3. Shfrytëzimi klinik i shkencës së re
Shkenca po përparon në dy drejtime kyçe: identifikimin e personave me rrezik më të lartë dhe ndërhyrjen sa më herët. Disa variante gjenetike, si mutacioni BRCA-1, janë tashmë të njohura për lidhjen me kancerin e gjirit apo prostatës. Por për më shumë se gjysmën e rasteve të kancerit, faktorët rrezikues janë ende të panjohur.

Qëllimi është të zbulohen pacientët në fazat më të hershme, kur trajtimi është më efikas. Ky përparim bazohet në analiza të ADN-së në qeliza të gjalla, biomarkues të rinj në gjak apo frymë, dhe kuptimin më të thellë të ndërveprimit mes gjeneve dhe mjedisit, përcjell dritare.net

Ilaçet që mund të ndryshojnë lojën

Sapo të identifikohen ata që kanë nevojë për trajtim, mjekët kanë një arsenal gjithnjë e më të madh mjetesh. Disa ilaçe të zakonshme po tregojnë veti parandaluese ndaj kancerit. Për shembull:

-Aspirina ul në gjysmë rrezikun për kancer të zorrës së trashë te personat me sindromën Lynch.

-Metformina, ilaç i lirë për diabetin, redukton rikthimin e kancerit të gjirit për një grup të caktuar grash.

-Agonistët GLP-1, si Ozempic, po tregojnë rezultate premtuese në parandalimin e disa kancereve.

Një armë e re: sistemi imunitar
Përveç trajtimeve tradicionale, kirurgji, kimioterapi dhe radioterapi, po zhvillohet një metodë e re që mobilizon sistemin imunitar për të luftuar kancerin. Disa vaksina, të personalizuara sipas profilit gjenetik të pacientit, shënjestrojnë kancerin ekzistues. Të tjera vaksina janë parandaluese, si ato kundër gripit, që veprojnë ndaj qelizave parakanceroze. Vaksinat për kancerin e gjirit dhe kolorektal tashmë janë në faza të avancuara të testimeve klinike.

Shkenca nuk ka gjetur një “kurë magjike” për kancerin, por ka ndërtuar, hap pas hapi, një arsenal të fuqishëm kundër tij. Lufta vazhdon, por çdo vit, ajo po shkon më shumë në favorin e njeriut./K.C/dritare.net