Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Der Standard: Rama anulon takimin me kancelarin austriak

Der Standard: Rama anulon takimin me kancelarin austriak

Kryeministri Edi Rama ka anuluar takimin zyrtar me kancelarin austriak Christian Stocker, i cili ishte planifikuar të zhvillohej të hënën, më 19 tetor, në Vjenë. Lajmi është raportuar nga mediat austriake, ndërsa anulimi i vizitës vjen në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta të dhunshme kundër qeverisë.

Vizita ishte njoftuar zyrtarisht nga Kancelaria Federale e Austrisë më 15 tetor. Sipas programit të publikuar, Rama pritej të mbërrinte në orën 12:00, ku do të pritej nga Stocker me nderime ushtarake.

Anulimi raportohet në një moment të tensionuar për politikën shqiptare. Protestat, që kanë vijuar prej disa ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera, janë shoqëruar me përplasje mes protestuesve dhe Policisë, dëmtime të pronës publike e private dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit. Mediat ndërkombëtare kanë raportuar se demonstratat lidhen me pakënaqësinë ndaj qeverisë, akuzat për korrupsion dhe shqetësimet për arsimin.

Sot Rama deklaroi se protestat nuk kërcënojnë qeverinë e tij, por rrezikojnë rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Shqipëria synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2030./K.C/dritare.net