Depresioni gjatë dhe pas shtatzënisë, kërko ndihmë!

Nga Marsida Simo- Sociologe

Shoqëria pret kaq shumë nga ty kur ti bëhesh nënë dhe kjo peshë rëndon në ankthin tënd në një botë kaq të madhe që po nis para teje. Ti lind një qenie të vogël, një vete në miniaturë e cila meriton një jetë më të mirë sesa ti. Por këtë nuk mund ta bësh e vetme pasi të duhet një bashkëpunim i mirë me bashkëshortin i cili po ashtu kalon faza ndryshimi, por ti e di, jo aq vështirë se sa ti. Pastaj janë njerëzit rreth e qark teje që janë sy e vesh gati për të vënë një notë për ҫdo veprim tëndin. Dhe kur e shikon që liria po minimizohet, dhe vetja ka kaluar në plan të fundit, hijet e dyshimit kalojnë herë pas here me idenë nëse do jesh apo jo një nënë e mirë.

Fatmirësisht, kohët e fundit po flitet pak më tepër për depresionin pas lindjes, si një ҫështje e cila mund të prekë më tepër nëna sesa mund ta mendojmë.

Ҫarë është më saktë depresioni pas lindjes (PPD)?

Depresioni pas lindjes, zakonisht përkufizohet si nisje e çrregullimit të humorit që prek një grua pas lindjes së fëmijës.  Nivelet e dy hormoneve, estrogjeni dhe progesteroni, bien shumë shpejt pas lindjes. Ky ndryshim shkakton ndryshime të humorit.  Një grua që sapo ka lindur mund të ndiejë ankth, trishtim të thellë dhe rraskapitje nga ҫrregullimi i orarit të gjumit dhe gjithë sistemit të ndryshuar të ditës. Nëse këto simptoma vazhdojnë të përkeqësohen dhe të zgjasin, mund të bëhen aq të rënda sa të ndërhyjnë në aftësinë e nënës për të kryer aktivitete të përditshme qoftë edhe për  tu  kujdesur për veten apo të voglin e saj.

Një nënë e re që ka depresion pas lindjes mund të ketë vështirësi në gjumë, qoftë duke fjetur shumë ose shumë pak. Të ushqyerit e  shpeshtë gjatë natës gjithashtu e bëjnë të vështirë që ajo të marrë pushim të mjaftueshëm.

Disa nëna mund të kenë ҫrregullime me të ushqyerin duke dashur të ushqehen më shumë ose duke humbur oreksin. Nënat që ushqejnë fëmijën me gji kanë një presion brenda vetes për mënyrën e të ushqyerit personal dhe kjo ҫon në një tjetër stres.  Patjetër që edhe trupi ka nevojë për më tepër për lëndë ushqyese.

Një tjetër simptomë lidhet edhe me kujdesin e tepruar që tregon nëna ndaj fëmijës për shkak të frikës nëse i ndodh diҫka e keqe.

“Baby Blues”

Ekziston edhe një tjetër term për të përshkruar këtë situatë, dhe njihet si  “baby blues”, e cila mund të themi se është gjendje më e lehtë se depresioni pas lindjes. Baby blues, zgjat më pak në kohë dhe ka më shumë mundësi të kurohet më me lehtësi. Por edhe kjo situatë nuk duhet neglizhuar qoftë nga nëna apo partneri i saj.

LEXO DHE :  Na tregoni muajin e lindjes, t’ju tregojmë karakterin që keni!

Jo vetëm depresion pas lindjes

Edhe pse më së shumti po flitet dhe po njohim shqetësimet e nënave pasi kanë lindur, duhet theksuar se ka dhe nëna të reja të cilat e kalojnë këtë shqetësim gjatë shtatzanisë. Kjo mund të vjë për arsye nga më të ndryshme, por mund të listojmë disa nga faktorët më kryesorë:

  1. Mos planifikimi shtatzanisë
  2. Një problem shëndetësor i fëmijës
  3. Problem shëndetësor i nënës

Në një nga takimet në grup me nënat e reja, njëra prej tyre theksoi se pjesën më të madhe të shtatzanisë e kaloi shtrirë në krevat sepse rrezikonte lindje të parakohshme.

“Kisha frikë të shkoja edhe në tualet. Ecja ngadalë dhe përfytyroja me veten nëse do më ndodhte diҫka e keqe. Nuk do ja falja vetes. Ishte shume e tmerrshme të rrije gjithë ditën kot pa bërë gjë. Fillova të mendoja vetëm gjëra të këqija. Shtatzania mu bë një barrë edhe në mendje. Më mbyti ankthi dhe mërzitja saqë doja vetëm të qaja dhe të rrija vetëm.”

A duhet kërkuar ndihmë?

E këshillueshme ndër të tjera do të ishte të parandalimi, nëse nëna e re merr më shumë informacione para se të lindi, mbi mënyrën e të ushqyerit, përkujdesit, e shumë aspekte të tjera. Faktikisht në vendin tonë nuk ka kurse të tilla të mirëfillta. Këtë vit në muajin qershor doli një njoftim nga mediat se në Maternitetin Mbretëresha Geraldinë kanë nisur takime për kurse prenatale. Nuk dihet nëse ky kurs u zhvillua një herë apo do të jenë periodike. Sipas të dhënave të publikuara nga faqja e këtij materniteti, ekipi i mjekëve gjinekolog pret numrin më të lartë të lindjeve në Shqipëri. Çdo vit në këtë maternitet priten 7000 lindje. Madje në maternitete mungojnë psikolog të cilët në situata të caktuara t´i vijnë në ndihmë nënave.

Gratë që kanë depresion pas lindjes mund të vuajnë nga simptoma më të lehta deri tek ato më të rënda që mund të zgjasin diku deri në dy javë.  Sa më herët të kapet dhe të nisi përkujdesja dhe trajtimi nga ekspertët, aq më e lehtë do jetë për nënën, fëmijën dhe partnerin. Nëse simptomat vijojnë më tej nëna ka nevojë për trajtim më të specializuar.

Një mjek mund të rekomandojë që një grua me depresion pas lindjes të këshillohet me psikiatër, punonjës socialë dhe psikologë. Dy lloje të terapisë janë gjetur të jenë shumë efektive në trajtimin e depresionit pas lindjes. Terapia ndërpersonale (IPT) e cila ndihmon të fitojnë një kuptim më të thellë të marrëdhënieve që po krijohen dhe i ndihmon duke punuar nëpër fusha problematike. Terapia njohëse e sjelljes (CBT) përfshin ekzaminimin dhe ndryshimin e mendimeve dhe sjelljeve negative.  Gjithashtu e sugjerueshme është pjesëmarrja në grupe mbështetëse./Dritare.net

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.