Na ndiqni edhe në

Shqip

Çipa për Veliajn dhe Metën: Sistemi i drejtësisë ka problem serioz me proporcionalitetin!

Vendimet për të mbajtur në burg Erion Veliajn dhe Ilir Metën rikthejnë debatin për mënyrën se si sistemi i drejtësisë në Shqipëri aplikon masat e sigurisë. Gazetari Aleksandër Çipa, i ftuar në Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, tha se në të dyja rastet ngrihet një problem serioz që lidhet me proporcionalitetin e masave të vendosura ndaj personave nën akuzë.

Sipas Çipës, shumë juristë e kanë cilësuar sistemin e krijuar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016 si një sistem me tipare represive, ku masat e sigurisë shpesh janë të panegociueshme edhe kur procesi gjyqësor nuk ka nisur.

“Shumë prej juristëve të vendit, kur kanë komentuar amendimet kushtetuese që formësuan sistemin e ri të drejtësisë pas amendimeve të 2016-s, e karakterizojnë si një sistem represiv sistemin aktual të drejtësisë në Shqipëri. Kjo do të thotë se shumë prej masave janë të panegociueshme dhe verdiktet që jepen nga gjyqësori shpesh shkojnë në disfavor të interesit të të akuzuarve, edhe kur ata janë në procese të panisura gjyqësore ose kur procesi i hetimit gjyqësor nuk ka nisur fare”, tha Çipa.

Ai e cilësoi këtë si një problem serioz të drejtësisë shqiptare dhe ngriti pikëpyetje mbi mungesën e proporcionalitetit në masat e sigurisë.

“Ky është një problem shumë serioz që lidhet edhe me mungesën e proporcionalitetit, siç e cilësojnë shpesh juristët. Do të duhej që gjykatat shqiptare të dëshmonin integritet edhe më shumë, sepse aktualisht këtë gjë ua mundëson Kushtetuta dhe kryesisht hapësira ligjore që është amenduar në 2016-n”, u shpreh ai.

Çipa e lidhi drejtpërdrejt këtë problematikë me dy politikanët që aktualisht ndodhen në burg.

“Kjo nuk ndodhi në rastin e zotit Veliaj dhe nuk ndodhi edhe në rastin e zotit Meta”, tha Çipa.

Duke u ndalur te Erion Veliaj, gazetari foli edhe për atë që e konsideroi një paradoks politiko-institucional: Veliaj vazhdon të mbajë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ndërsa ndodhet në burg.

“Te rasti i zotit Veliaj kemi edhe një realitet politiko-institucional gati paradoksal. Vazhdon ta mbartë mandatin e të qenit kryetar i bashkisë së kryeqytetit të vendit dhe e ushtron këtë detyrë në distancë, duke qenë në kushtet e një izolimi në burg dhe praktikisht njëkohësisht merr edhe vendime administrative të rëndësishme për fatin dhe qeverisjen e kryeqytetit”, deklaroi Çipa./dritare.net