Na ndiqni edhe në

Fjorda di një Vend

Çfarë pashë në aktivitetin kur Shqipëria mori kryesimin e OSBE!

Çfarë pashë në aktivitetin kur Shqipëria mori

Nga Fjorda Llukmani Kryefjala e javës kudo nëpër lajme ishte marrja e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria. Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka selinë kryesore në Vjenë. Duke qenë këtu duhej medoemos të ndiqja aktivitetet e tyre për të mësuar më shumë se çfarë synimi ka dhe ç’do të thotë për ne. Misioni Shqiptar i OSBE-së në Vjenë përbëhet nga një grup personash që kanë punuar në diplomaci dhe në disa prej ministrive. Pasi morën kryesimin u zgjeruan në numër me staf që erdhi nga Tirana e disa të huaj që punonin për sekretariatin këtu. Zhvilloj një takim me ambasadorin Igli Hasani, i cili më bëri dhe një tur në ambientet e reja përballë Operës Shtetërore që jua kam përmendur shpeshherë. Zyra më e bukur nga ku bëheshin mbledhjet kryesore është me pamje nga Opera. Në bashkëbisedimin që pata me ambasadorin, mësoj historikun e kësaj organizate dhe lidhjen me Shqipërinë. “OSBE u mbajt në Helsinki në 1975-ën ku u pranua nga 34 shtete të Evropës. Shqipëria ishte i vetmi shtet që iu propozua për të qenë pjesë, por nuk pranoi. Qeveria shqiptare e kohës, kërkoi në vitin 1990 anëtarësim të plotë. Një delegacion na vizitoi në gusht të 1990-ës dhe gjeti që ne ishim shumë larg parimeve e të drejtave të njeriut. Për disa kohë u pranuam të kishim statusin e vëzhguesit. Ngjarjet e dhjetorit 1990 luajtën rol pozitiv dhe në qershor 1991 u anëtarësuam me të drejta të plota në KSBE, Konferenca për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë quhej atëherë”- shprehet Igli Hasani. Ndërkohë që fliste mendoja sa me fat mund të jetë, që përfaqëson vendin e tij në një mision kaq të rëndësishëm. Historinë ma rrëfeu shkurt e m’u duk si një përrallë, aq me pasion fliste. Më vonë lexoj si e përfundonte CNN-i lajmin e mbledhjes në Berlin ku ne u pranuam në organizatë: “Tani me demokratizimin e Shqipërisë, Evropa u bë e plotë.” Çdo vit OSBE-ja kryesohet nga një shtet i ndryshëm. Ministri i Jashtëm i atij shteti shërben si kryetar i radhës dhe punon me kryesinë paraardhëse dhe pasardhëse. Të tria këto kryesi formojnë Trojkën. Në këtë rast, Shqipëria e ka marrë kryesimin nga Sllovenia dhe do t'ia pasojë Suedisë vitin tjetër. Çdo kryesi ka përfaqësues personalë që mbulojnë çështje si parandalimi dhe menaxhimi i konflikteve, sigurimi i barazisë gjinore, diskriminimit etj. Që të marrësh kryesinë duhesh votuar nga të 56 shtetet anëtare, e siç duket Misioni i OSBE në Vjenë ka punuar fort që të marrë pëlqimin e tyre. Dikush mund të pyesë: “E ç‘punë më hyn mua në xhep ky lloj Kryesimi?” Do të thosha që është punë imazhi. Për shembull disa persona që njoh që punojnë në organizata të ndryshme ndërkombëtare në Vjenë, ma kanë përmendur që janë në dijeni që Shqipëria merr Kryesimin e OSBE-së. Madje një shoqja ime e klasës që punon te Misioni i OSBE për Serbinë më tha: “Janë grup i lezetshëm ata njerëzit e tu!” Me ‘njerëzit e tu’ ka dashur të thotë për shqiptarët që punojnë në mision. Sigurisht mua më bëhet qejfi ngado ku marr komente pozitive për vendin tim. Kështu i zbardhim faqen vetes nëpër botë, e mbase marrim shembull për të rregulluar dhe punët e shtëpisë tonë. Ditën e inaugurimit ishte mjegull dynjaja dhe vranësirë kudo në Vjenë. Për çudi sepse atë javë koha mbajti xham dhe me diell. Gjithsesi shiu thonë është bereqet. Një ditë më parë shikoja live vizitën e kryeministrit në ambientet e reja të zyrës së OSBE-së dhe mendoja sa me fat është të jesh gazetare, pasi unë i kisha parë para tij. Në ditën e inaugurimit më kënaqet syri kur shoh gazetarë shqiptarë duke raportuar përpara selisë së OSBE-së. S’ka lezet më të madh kur shikon fytyra të njohura e që je rritur me to në ekran, megjithatë do të veçoja Muhamed Veliun. Zërin e tij “Muhamed Veliu, Top Channel, Londër” e kam në mendje sa herë ndeshem me të diku apo në ekran. Ama kohët e fundit zërin që vinte nga Londra, ma zëvendësuan emocionet dhe lotët ndërsa gazetari raportonte për viktimat e tërmetit. Përveçse profesionist, në radhë të parë njeri që kemi fatin të na përcjellë lajme të mira e të këqija. Se çfarë u tha në konferencën për shtyp e keni parë mjaftueshëm në lajme, kështu që s’kam pse t’i përsëris dy herë. Ajo që më shijoi më shumë, ishte pritja që u bë në darkë. Vjena ka plot salla të këndshme ku bëhen pritje diplomatike, por kjo për ne qe e veçantë sepse ishim në qendër të vëmendjes. E kush tjetër mund ta marrë kollaj fare vëmendjen e të gjithëve përveç kryeministrit Rama? U shfaq me pantallonat alla çitjane e bëri një koment të tipit: “Ju që jeni në rreshtin e parë mos më gjykoni për çfarë kam veshur, por çfarë do të flas.” Të ftuarit ishin kryesisht nga stafi i brendshëm i OSBE-së, por dhe shqiptarë që punojnë e jetojnë në Vjenë. Një prej tyre dhe Ermelinda Meksi, e cila është femra e parë që u emërua si zëvendëskryeministre, pozicioni më i lartë zyrtar i mbajtur nga një grua në ato vite. Jam e sigurt që prej saj janë motivuar shumë femra, prandaj meriton respekt maksimal nga unë. Në tavolinë isha me një prej të dërguarve në Shqipëri të OSBE-së në vitet 1997-1999. Fliste me dashamirësi të madhe për vendin tonë, e një nga gjërat që i mungonte më shumë ishte ushqimi dhe deti. “Ndajmë të njëjtin mall për Shqipërinë”- i them unë. Më pas ndeshem me ambasadorin e momentit të OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt, për të cilin u fol shumë para një muaji. Kishte qenë ambasador në Kosovë në kohën e luftës dhe ma përshkroi si kohën më të vështirë në karrierën e tij. Megjithatë këtë vit dilte në pension e akoma se kishte menduar çdo bënte. “Mbase mund të fillosh të ngjisësh malet e Shqipërisë.”- i them unë. “Mos kujto se nuk e kam bërë këtë gjë më parë,”- më përgjigjet ai tek tregonte histori të përjetimeve në udhëtime. Personazh tepër pozitiv dhe i thjeshtë. Kur shoh njerëz me pozitë të jenë kështu mendoj se kush arrin majat e karrierës dhe suksesit në jetë, s’ka arsye në botë që të bëjë tangërllik. Ata që e bëjnë ose s’kanë arritur asgjë, ose u rroftë ajo që kanë. Prandaj ky kryesim i Shqipërisë, së një prej organizatave më me emër në botë, le të shërbejë si shembull që po u bëmë bashkë duke dhënë maksimumin tonë, çdo gjë është e arritshme. Gjykimet për punën e tyre t’i bëjmë pak më vonë. Le t’u japim një herë kohë të na tregojnë se çfarë dinë të bëjnë e pastaj vërsuluni me ankesa e kapje gabimesh. Të them të drejtën më mungoi prania e Ditmir Bushatit pasi është nismëtari i këtij kryesimi. Gjithmonë e kam admiruar qetësinë e tij e më ka habitur si s’e kam parë një herë me nerva gjatë karrierës në politikë. Shkodranët kanë ngrënë gjithmonë bukë veç! Por m’u bë qejfi kur lexova se ish-ministri është caktuar i dërguar i posaçëm i Shqipërisë në OSBE. Punët e politikës nuk merren vesh kurrë, por m’u kujtua një shkrim në Bibël që thotë: “Hidhja Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë. Ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.”/dritare.net