Na ndiqni edhe në

Opinione

Çadra e inatit!

Nga Gjon NDREJAJ

Ashtu si Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) e quajtur ndryshe si “ Lëvizja e skraparllinjve të inatosur” , lindi në vitin 2004 si një "parti e inatit", një projekt personal i Ilir Metës kundër Fatos Nanos, e ndërtuar mbi zhgënjimin, interesin personal dhe ambicien, por që me kalimin e kohës u shkërmoq nën peshën e mungesës së një platforme të qëndrueshme , po ashtu edhe "Çadra e Inatit" e protestave të vitit 2026 është një koalicion i përkohshëm i pakënaqësive të ndryshme politike.Ajo i ngjet asaj strehës/çadrës ku në rast të ndonjë rrebeshi shiu, mblidhen nga rruga dhe strehohen të gjithë njerëzit pa dallim me qëllimin e vetëm që të mbrohen nga shiu. Kësisoi edhe këta protestues janë tërësisht të ndrryshëm por janë bashkuar në një qëllim; ndryshimin e establishmentit.

Por historia tregon se LSI-ja,kaloi nga qeverisja në harresë, ashtu si edhe kjo "çadër" rrezikon të mbetet një monument rrënuar i një revolte popullore shumë ngjyrëshe por të drejtë. Inati, sado i fortë, nuk mund të zëvendësojë një program politik apo një projekt kombëtar, sepse inati është një forcë që vepron brenda nesh por kundra nesh...

Ndërkohë një ndryshim i dukshëm ka ndodhur në peisazhin publik shqiptar, kalimi nga një dominim pothuajse absolut i retorikës antikomuniste në një rritje të dukshme të mesazheve, simboleve dhe parullave komuniste, veçanërisht në rrjetet sociale dhe gjatë protestave qytetare të vitit 2026. Kjo përbën një nga fenomenet më komplekse sociologjike të dekadës. Megjithatë, ky transformim është vetëm maja e ishullit. Nën sipërfaqe, ajo që po ndodh është një ribashkim i jashtëzakonshëm dhe amorf i fraksioneve që historikisht kanë qenë armiq të përbetuar; marksistët, ballistët, Vllaznia Islame, vorioepirotët, Vetëvendosja dhe paradoksi mbi paradokset , UÇK-ja e Kosovës. Ne po përpiqemi në këtë shkrim të zbërthejmë këtë mozaik, duke argumentuar se ajo që duket si një lëvizje e çorganizuar është në të vërtetë një sintezë komplekse e zhgënjimit ekzistencial, brishtësisë së shtetit ligjor dhe një krize të thellë të vetëdijes kombëtare.

Zhgënjimi nga kapitalizmi...

Arsyeja kryesore dhe më e fuqishme që shpjegon këtë valë nostalgjie dhe revolte është dështimi flagrant i modelit të tranzicionit demokratik për të përmbushur premtimin e tij themelor; mirëqenien. Gjatë tre dekadave të fundit, shoqëria shqiptare u përball me një kapitalizëm të karakterizuar jo nga konkurrenca e ndershme, por nga një oligarki e egër, ku lidhjet familjare dhe korrupsioni zëvendësuan meritokracinë. Në vitin 2026, realiteti është brutal; mbi 40% e të rinjve po kërkojnë të emigrojnë, çmimet e ushqimeve dhe të energjisë kanë goditur ashpër buxhetet familjare, dhe sistemet e mbrojtjes sociale, shëndetësisë dhe arsimit publik janë në dekompozim e sipër.

Pikërisht në këtë vakum të rëndë të sigurisë ekonomike e sociale, kujtesa kolektive bën një lojë kurioze. Shumë qytetarë, veçanërisht ata të moshës së mesme që e jetuan fëmijërinë në dy dekadat e fundit të komunizmit, nuk kujtojnë më mungesën e lirisë së fjalës ose frikën nga policia sekrete, por kujtojnë punësimin e plotë, çmimet e stabilizuara dhe mungesën e frikës për të nesërmen. Edhe pse ky stabilitet ishte i dhunshëm dhe artificial, në krahasim me kaosin e sotëm të papunësisë dhe pasigurisë, ai duket si një "rast i humbur". Kështu, parullat komuniste në protesta duhen lexuar jo si një thirrje për rivendosjen e diktaturës, por po përdoren si një metaforë e fuqishme për të shprehur mallin për një shtet që (më në fund) të kujdeset për qytetarin e tij.

Beteja për autorësinë protestës, luftë narrativash

Protestat qytetare të vitit 2026, të cilat shpërthyen si një reagim organik ndaj dobësisë së qeverisjes, u kthyen shpejt në një fushë beteje për autorësinë e pakënaqësisë popullore. Fillimisht, narrativa antikomuniste u përpoq të kapte vrullin, duke e cilësuar protestën si një vazhdimësi të lëvizjes së dhjetorit të '90-tës. Megjithatë, kur kjo narrativë dështoi të adresonte shkakun rrënjësor, varfërinë dhe pabarazinë; grupet e majta dhe neokomuniste ndërhynë shkathtësisht, duke e etiketuar sistemin aktual si "kapitalizëm kriminel" dhe duke i dhënë protestës një drejtim klasor, duke e ndarë shoqërinë në "oligarkë të korruptuar" dhe "popull të shfrytëzuar". Parullat; “liri për klasën punëtore”, “Shqipëria kërkon, revolucion” janë tipikisht parulla me ngjyra komuniste.

Një nga arsyet pse nostalgjia komuniste dhe retorikat nacionaliste ekstreme lulëzojnë kaq lehtë është mungesa e një ndarjeje të qartë dhe të dhimbshme me të kaluarën. Ky boshllëk historik krijon një "memorie selektive" ku çdo grup mund të ndërtojë narrativën e vet çlirimtare, pa u përballur kurrë me tmerrin e izolimit apo të dhunës së kaluarës. Por ajo që e bën këtë betejë narrative unike, është se ajo nuk po zhvillohet më vetëm midis të majtës dhe të djathtës. Ajo po zhvillohet midis atyre që duan të rikthejnë shtetin dhe atyre që duan ta shkatërrojnë atë. Dhe pikërisht këtu hyjnë në lojë aktorët e papritur.

Rrjetet sociale dhe algoritmet si gjenerator

Nëse do të ishim në vitet '90, ky ndryshim i narrativës do të zgjaste një dekadë. Por në epokën e algoritmeve, transformimi ndodhi brenda disa javëve. Rrjetet sociale funksionojnë në bazë të angazhimit emocional. Mesazhet radikale, qofshin ato ultra-komuniste, ultra-nacionaliste apo fetare, gjenerojnë më shumë klikime sesa analizat e balancuara. Gjatë protestave, vërejmë një fenomen interesant; paroditë dhe memet e simboleve të së kaluarës gradualisht i normalizojnë ato. Faqet me influencuerë të majtë flasin për "anti-imperializëm", ndërsa faqet nacionaliste flasin për "tradhti kombëtare", duke krijuar një ekosistem ku të gjitha ankesat bashkohen në një kanal të vetëm; urrejtjen ndaj establishmentit aktual.

Nuk mund të shkëputet ky fenomen nga konteksti ndërkombëtar. Në vitin 2026, bota është më e polarizuar se kurrë. Lufta në Ukrainë dhe tensionet e tjera globale kanë ringjallur diskutimet për "blloqet" dhe "kampet". Në këtë klimë, disa grupe në Shqipëri po e shohin Rusinë dhe Kinën si kundërpesha ndaj Perëndimit, i cili (sipas tyre) i ka imponuar Shqipërisë një tranzicion të zgjatur e të dështuar. Kështu, parullat komuniste dhe anti-perëndimore nuk janë vetëm një thirrje për të shkuar prapa, por një manifestim i pakënaqësisë gjeopolitike.

Marksistë, Ballistë, Islamistë, Vorioepirotë, VV dhe UÇK-ja, nën një çadër

Tani vijmë te zemra e aforizmit që përmendëm. Protesta e vitit 2026 është një bashkim mekanik, ku forcat e kohezionit janë të zbehta dhe që nuk mund të shpjegohet me logjikën klasike politike, sepse ajo mbledh së bashku:

Marksistët; që kërkojnë drejtësi sociale dhe rikthim të shtetit të mirëqenies, duke e parë kapitalizmin si armikun kryesor. Ballistët; që mbajnë flamurin e "Shqipërisë Etnike" dhe e shohin qeverinë aktuale si të dorëzuar para ndërkombëtarëve, duke e akuzuar për tradhti dhe shitje të territorit. Vllaznia Islame ; e cila ndonëse e kamufluar, kërkon ndikim më të madh kulturor dhe fetar, duke u ndjerë e persekutuar nga shteti laik dhe duke testuar forcën e saj numerike në rrugë, me një prezencë të konsiderueshme në protestë; Vorioepirotët (minoriteti grek); ata protestojnë për çështjen e pronave të “ mohuara” dhe të drejtave të pakicës, duke sjellë në shesh një agjendë që tradicionalisht është tabu për nacionalistët shqiptarë. Vetëvendosja (VV); Edhe pse në pushtet në Kosovë, në Shqipëri ajo vepron si opozitë e ashpër, duke kanalizuar pakënaqësinë e diasporës dhe të të rinjve me një retorikë anti-establishment.

Çfarë i mban bashkë këta aktorë që në teori duhet të përplasen për vdekje? Armiku i përbashkët. Për ta, sistemi aktual oligarkik nuk është thjesht i korruptuar; ai është një sistem që i ka përjashtuar ata të gjithë nga tryeza e vendimmarrjes. Marksistët nuk ndajnë vizionin fetar të Vllaznisë Islame; Ballistët urrejnë Vorioepirotët; por të gjithë ndajnë dëshirën për të shembur elitën që i ka mbajtur jashtë loje. Ky është ajo që quhet një "Koalicion i Negativitetit"; një çadër e madhe inati, ku i vetmi program i përbashkët është shkatërrimi i të tashmes.

Paradoksi çadrës; UÇK-ja e Kosovës.

Por mozaiku nuk do të ishte i plotë pa aktorin më paradoksal dhe më të rëndësishëm; UÇK-ja e Kosovës. Këtu qëndron paradoksi që e transformon të gjithë analizën. UÇK-ja e Kosovës është një forcë që u krijua, u armatos dhe u mbështet nga Perëndimi (NATO dhe SHBA) për të çliruar Kosovën nga Serbia në vitin 1999. Ajo është simboli i aleancës më të fortë transatlantike në rajon. Ndërkohë, qeveria shqiptare e vitit 2026 është aleati më besnik i Perëndimit në Ballkan, duke ndjekur verbërisht udhëzimet e Brukselit dhe Uashingtonit. Pse, atëherë, veteranët dhe strukturat e UÇK-së së Kosovës janë kaq aktivë në protestat kundër qeverisë shqiptare!?

Shpjegimi qëndron në dy shtylla: Së pari, tradhtia e ndjerë e dialogut Kosovë-Serbi. Në vitin 2026, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, është parë nga një pjesë e madhe e veteranëve të UÇK-së si një kapitullim i paprecedentë. Ata të nxitur nga qarqe të caktuara në Kosovë, përfshirë edhe VV, e akuzojnë kryeministrin shqiptar se po vepron si "zbatues i dëshirave serbe" dhe po e shtyn Kosovën drejt një federalizmi të butë që cenon sovranitetin e saj. Duke qenë se qeveria e Kosovës (e kryesuar nga VV) është në bisedime të vështira me Perëndimin, UÇK-ja e Kosovës e sheh veten si roje të interesit kombëtar, duke e zhvendosur fushën e betejës në Tiranë për të goditur aleatin më të dobët të Perëndimit-Shqipërinë.
Së dyti, pakënaqësia specifike dhe prestigji i humbur i Veteranëve të UÇK-së të cilët ndjehen të përdorur dhe të frustruar.

Pas luftës, ata prisnin njohje dhe status të veçantë jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë hapësirën shqiptare. Në vend të kësaj, shteti shqiptar i ka trajtuar në heshtje si qytetarë të zakonshëm, duke u lënë përshtypjen tek ata se po minimizon rolin e tyre në çlirimin e Kosovës për të mos acaruar Serbinë. Kjo krijon një ndjenjë të thellë tradhtie: "Ne derdhëm gjak për lirinë e Kosovës, dhe ju (qeveria shqiptare) po na e shisni këtë liri për para dhe interesa në BE."
Por paradoksi thellohet më tej; UÇK-ja e Kosovës qëndron në të njëjtin shesh me ballistët, të cilët në vitin 1944 bashkëpunuan me pushtuesit gjermanë dhe luftuan kundër partizanëve shqiptarë.

Pavarësisht kësaj, sot ata bërtasin bashkë kundër "tradhtarëve të kombit".
Nga ana tjetër UÇK-ja qëndron me marksistët edhe pse ajo ishte një lëvizje kryesisht nacionaliste dhe antikomuniste (pasi luftonte kundër Jugosllavisë së Titos, e cila ishte në një farë mase komuniste).
UÇK-ja qëndron me Vllazninë Islame, megjithëse struktura e UÇK-së ka qenë e përzier fetarisht dhe në një farë mase laike.

Ky absurditet logjik është pikërisht forca e protestës. Duke sjellë në Tiranë kapitalin simbolik të "pushkës çlirimtare", UÇK-ja e Kosovës i jep të gjithë kësaj lëvizjeje amorfe një “legjitimitet të pathyeshëm” . Askush nuk guxon të akuzojë për antishqiptar një protestues që qëndron nën flamurin e UÇK-së. Kjo e vë policinë dhe qeverinë në një pozitë të pamundur; çdo përplasje fizike me ta do të cilësohej si "sulm ndaj çlirimtarëve të Kosovës", duke rrezikuar jo vetëm qetësinë sociale, por edhe marrëdhëniet ndërshtetërore Shqipëri-Kosovë dhe aleancën me NATO-n.
Aktivizimi i UÇK-së së Kosovës e zhvendos protestën nga arena e brendshme politike në arenën e sigurisë kombëtare. Kur në shesh qëndron një forcë që ka kapacitet organizativ ushtarak (edhe pse simbolik) dhe që nuk njeh autoritetin e gjykatës shqiptare, shteti detyrohet të reagojë jo me dialog, por me logjistikë sigurie , gjë që e ngurtëson më tej konfliktin.

Rrënojat e protestës...

Në analizën përfundimtare, protesta e vitit 2026 nuk është as një kthim i komunizmit, as një ringjallje e nacionalizmit të shekullit XX, as një revoltë fetare dhe as një aksident mediatik. Ajo është produkti i ndërveprimit të hidhur midis një të kaluare të pa trajtuar dhe një të tashme të padurueshme, ku secili grup sjell traumën e tij. Por shtimi i UÇK-së së Kosovës e kurorëzon këtë mozaik si një fushë rrënojash pa arkitekt, një revoltë që ka mjaft energji për të shkatërruar, por aspak vizion për të ndërtuar.
Shoqëria shqiptare nuk po bëhet komuniste, as balliste, as islamike; ajo po bërtet për ndryshim, duke përdorur gjuhën e vetme që duket se kupton pushteti ; gjuhën e revoltës simbolike dhe të mitit të armatosur. Zgjidhja nuk qëndron në ndalimin e këtyre mesazheve, por në adresimin e kërkesave njerëzore të protestuesve. Dhe në këtë iluzion, çdo flamur i kuq, i zi, i gjelbër apo i artë do të përzihet në të njëjtin baltë, deri në momentin kur shoqëria të gjejë guximin të shkruajë një kapitull të ri, pa maska dhe pa pushkë të huaja për interesat e tyre.

Ky është rreziku por njëherit edhe shpresa e vitit 2026./dritare.net