
Greqia ka publikuar sot listën me 29 shtetet, turistët e të cilave do të kenë mundësi të vizitojnë vendin nga 15 qershori, kur aeroportet do të rihapen për fluturime ndërkombëtare. Mes tyre nuk është Italia. Këto janë vendet: Shqipëria, Australia, Austria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Gjermania, Danimarka, Zvicra, Estonia, Japonia, Izraeli, Kina, Kroacia, Qipro, Letonia, Libani, Lituania, Malta, Mali i Zi, Zelanda e Re, Norvegjia, Koreja Jug, Hungari, Rumani, Serbi, Sllovaki, Slloveni, Republika Çeke dhe Finlanda. Lista do të përditësohet më 1 korrik, tha qeveria greke.
Turistët nga këto 29 vende do t’i nënshtrohen testeve sapo të mbërrijnë në aeroportet greke. Fakti që Italia u përjashtua nga kjo listë ka shkaktuar kritika nga politika italiane, drejt asaj greke.
"Korridoret turistike të Evropës janë të papranueshme dhe duhet të ndalohen në çdo mënyrë. Marrëveshjet bilaterale me të cilat Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane do të donin të dërgonin turistët e tyre në Greqi ose Kroaci, duke veçuar Italinë, janë të turpshme dhe rrezikojnë të jenë grusht shteti për turizmin italian.”, kështu thotë kryetarja e partisë nacional-konservatore Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni, informon dritare.net
Ndërkohë, senatori i UDC, Antonio De Poli, tha:
"Jam shumë i shqetësuar për atë që po ndodh: fillimisht Zvicra (e cila hapet për të gjithë, përveç Italisë), më pas Austria dhe Kroacia, sot Greqia. Korridoret turistike në Evropë do të ishin një humbje shumë e rëndë politike për Italinë, e cila do të rezultonte, në një katastrofë ekonomike për të gjithë zinxhirin e turizmit të vendit tonë. Nëse hotelet dhe spa-të në rajonin e Venetos, të cilat jetojnë kryesisht nga turistët e huaj, nuk përgjigjen, ato do të shkojnë direkt në gjykatë për të shpallur falimentimin.”/Përshtati nga HuffPost: Kadrije Çako/dritare.net

















