
Rutte për dialogun Kosovë-Serbi: Palët të bëjnë kompromise të duhura
Dritare.net
Mark Rutte, sekretar i përgjithshëm i NATO-s, ka thënë se Kosova e Serbia duhet të bëjnë “kompromise të duhura” në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, “të dyja palët duhet të fokusohen në dobitë afatgjate”.
Ai ka thënë se e kupton që kjo kërkon vendime të vështira, por sipas tij, duhet të shihet “pamje më e gjerë”.
“NATO-ja do të vazhdojë të mbështesë plotësisht normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, udhëhequr nga BE-ja. Është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të ofruar të ardhme stabile dhe që të mbrohen të gjitha komunitetet. Për ta shtyrë përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të shfaqin fleksibilitet, të bëjnë kompromise të duhura dhe të fokusohen në dobitë afatgjate. E kuptoj plotësisht që kjo kërkon vendime të vështira, por duhet të shohim pamje më të gjerë. Normalizimi sjell stabilitet më të madh, më shumë mundësi investimi dhe më pas siguri më afatgjatë për të gjithë rajonin në dobi të të gjithëve. Ky është mesazhi që do të vazhdoj ta përsëris”, ka thënë ai në konferencën e përbashkët me presidenten Osmani.
Rutte është zotuar po ashtu se përkushtimi i NATO-s për stabilitet e paqe në Kosovë dhe rajon mbetet i qëndrueshëm.
“Trupat tanë punojnë pa pushim për të siguruar ambient me rend dhe siguri në përputhje me mandatin e KFOR-it. Një rajon më i sigurt nënkupton më shumë siguri për të gjithë zonën e NATO-s”, ka thënë ai. “Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çfarëdo zhvillimi të sigurisë. Dhe në këtë kuptim shpresojmë të shohim bashkëpunim edhe më të thellë në mes të institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it. NATO-ja do të vazhdojë të luajë rolin e vet në mandatin e vet për sigurinë e të gjithëve. Këtë e bëjmë në bashkërendim të afërt me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe rolet tona përkatëse”, ka thënë ai.
Rutte ka shtuar tutje se të gjitha palë duhet të zgjedhin diplomacinë para dhunës.
Rutte po ashtu ka thënë se NATO-ja është në kontakt të afërt edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Do të jem shumë i drejtpërdrejtë... vetëm bashkërisht mund të kemi paqe në rajon. Duhet të ketë zgjidhje politike, e që kërkon lidership nga të gjithë politikanët. Duhet të punojmë së bashku”, ka thënë Rutte.
Ai ka thënë tutje se falë presidentit amerikan, Donald Trump, është bërë “kapërcim” në kuptimin e nisjes së negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Rutte po ashtu ka thënë se mandati i NATO-s është që të sigurohet se Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë efektive në rolin e saj humanitar.
“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e vet humanitar këtu në Kosovë. Kështu është mandati saktësisht i NATO-s, për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare, kur ka fatkeqësi natyrore ose njerëzore. Ky është mandati. Në këtë punojmë çdo ditë dhe vazhdimisht”, ka thënë Rutte.
Ndërkaq, Osmani në përgjigjen e saj ka thënë se FSK-së i është avancuar roli.
“Në NATO vendimet merren me unanimitet dhe akoma janë katër shtete anëtare që s’e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës dhe kjo e shndërron çdo vendimmarrje rreth avancimit të raporteve në mes të NATO-s dhe FSK-së në një çështje jashtëzakonisht komplekse. Megjithatë kjo s’nënkupton që FSK-ja s’e ka mandatin e plotë, ashtu siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e miratuara në Republikën e Kosovës. Si forcë e cila e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Përveç kësaj ne kemi gjetur mënyra të tjera për ta avancuar rolin e FSK-së dhe kontributin e saj për paqe dhe siguri në vende të tjera të globit, nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh, të cilat i kemi me shtetet anëtare veç e veç. Siç e dini, FSK-ja në bashkëpunim me SHBA-në, shërben në misione paqeruajtëse në vende të ndryshme të botës. Njëkohësisht me Mbretërinë e Bashkuar vazhdon të shërbejë nëpër role paqeruajtëse. Dhe tani jemi në proces të negocimit të marrëveshjeve të tjera dypalëshe nëpërmjet të cilave FSK-ja do të vazhdojë të kontribuojë nëpërmjet mandatit të plotë që parashihet në Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë fillimisht ajo. “Siç e dini, para shumë vitesh ka qenë edhe një shkëmbim letrash, në atë kohë nëpërmjet kryeministrit të Kosovës dhe ish-sekretarit të përgjithshëm që ka të bëjë me rritjen e nivelit operacional të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe FSK-së dhe ne do të punojmë së bashku për të parë se si është mënyra më e mirë që kjo të funksionojë në praktikë, duke mos harruar që ushtarët e Kosovës janë trajnuar pikërisht nga shtetet anëtare të NATO-s dhe nga vetë NATO-ja”./KohaDitore

















