CNN: Pse po protestojnë iranianët dhe çfarë do të thotë kjo për regjimin?!
Dritare.net

Protestat antiqeveritare në Iran kanë vijuar për të trembëdhjetën ditë radhazi, duke shënuar një nga sfidat më serioze për regjimin iranian në vitet e fundit. Demonstratat janë përhapur në mbarë vendin, ndërsa autoritetet kanë ndërprerë aksesin në internet dhe linjat telefonike, duke izoluar Iranin pothuajse plotësisht nga bota e jashtme.
Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, dhjetëra persona janë vrarë që nga nisja e protestave, ndërsa qindra të tjerë janë plagosur dhe mbi 2 mijë persona janë arrestuar. Protestat nisën si reagim ndaj rritjes së fortë të çmimeve dhe inflacionit, veçanërisht pas shtrenjtimit të produkteve bazë si vaji dhe mishi i pulës, por më pas u shndërruan në protesta të hapura kundër regjimit.

Demonstratat kanë përfshirë më shumë se 100 qytete, përfshirë provinca të varfra dhe me tensione etnike si Ilam dhe Lorestan. Në disa zona, protestuesit kanë brohoritur parulla kundër liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei, duke sfiduar drejtpërdrejt autoritetin e tij. Autoritetet iraniane raportojnë se qindra efektivë policie dhe forca të Basij-it janë plagosur gjatë përplasjeve me protestuesit.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, kjo valë demonstratash ka nisur nga tregtarët e bazareve, një grup tradicionalisht i lidhur me regjimin islamik, çka shihet si një sinjal i rëndësishëm i pakënaqësisë së thellë ekonomike dhe sociale. Qeveria ka tentuar të zbusë situatën me ndihma financiare, por masat nuk kanë arritur të ndalin protestat.
Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar Iranin për pasoja të rënda nëse forcat e sigurisë përdorin dhunë ndaj protestuesve, duke deklaruar se SHBA është e gatshme të reagojë ashpër. Nga ana tjetër, Ajatollah Ali Khamenei ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për nxitjen e protestave dhe i ka bërë thirrje Trumpit të përqendrohet në problemet e vendit të tij.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, i zgjedhur në vitin 2024, ka pranuar vështirësitë ekonomike, por pushteti real mbetet në duart e liderit suprem. Ndërkohë, Garda Revolucionare Islamike ka paralajmëruar se ruajtja e regjimit është “vijë e kuqe”.
Në skenën politike ka dalë edhe Reza Pahlavi, djali i shahut të fundit të Iranit, i cili nga mërgimi ka mbështetur protestat dhe ka bërë thirrje për veprime të koordinuara në mbarë vendin. Megjithatë, mbështetja reale për një alternativë politike mbetet e paqartë.
Situata në Iran mbetet e tensionuar, ndërsa protestat vazhdojnë dhe komuniteti ndërkombëtar ndjek me shqetësim zhvillimet./L.F-dritare.net