Na ndiqni edhe në

Shëndet

A mund të na mbrojnë ushqimet nga ftohja? Çfarë thotë shkenca!

A mund të na mbrojnë ushqimet nga ftohja? Çfarë thotë

Kemi hyrë zyrtarisht në sezonin e ftohjeve, me rritje të ftohjeve, kollës, gripit dhe kovidit. Është e pamundur t’i shmangim plotësisht mikrobet, por a mund të na bëjnë disa ushqime dhe pije më rezistentë ndaj viruseve? Dhe nëse sëmuremi, a mund ta shkurtojë sëmundjen, dieta?

Për të qëndruar mirë, kthimi te bazat dhe një stil jete i shëndetshëm është thelbësor, thotë Dr Hilary Jones MBE: mos pini duhan, alkooli me moderim, gjumë i mjaftueshëm dhe shmangie e stresit.

Nutricionistja Rhiannon Lambert paralajmëron se nuk ka mënyrë shkencore për të “rritur” imunitetin. Nuk ekziston një dietë magjike për imunitetin; ajo që nevojitet është një sistem imunitar i balancuar, që kërkon një dietë të balancuar.

Kur ndihesh keq, tundimi për të ndjekur mitet, është i madh. Por sa të vërteta janë ato?

A duhet të hash kur je me ftohje dhe të mos ushqehesh kur ke ethe?
Kjo shprehje e vjetër qarkullon prej shekujsh, por sot nuk qëndron. Pavarësisht nëse ke ftohje, grip apo temperaturë, trupi yt ka nevojë për energji dhe lëndë ushqyese për të luftuar infeksionin. Të hash dhe të pish mjaftueshëm është thelbësore. Edhe nëse oreksi është i ulët, organizmi ka nevojë për karburant. Nuk është e nevojshme të hash si zakonisht, por zgjedhja e ushqimeve ushqyese dhe një diete të larmishme ndihmon trupin të funksionojë sa më mirë gjatë sëmundjes.


A ndihmon hudhra kundër ftohjes?
Hudhra përmban alicinë, një përbërës me veti antimikrobiale, veçanërisht kur konsumohet e gjallë ose shtohet në fund të gatimit. Disa studime të vogla sugjerojnë se mund të shkurtojë kohëzgjatjen e ftohjes, edhe pse provat shkencore mbeten të kufizuara. Megjithatë, është një ushqim i shëndetshëm që ia vlen të përfshihet në dietë.


Patate në çorape: mit apo zgjidhje?
Ky “truk” i përhapur në rrjetet sociale nuk ka asnjë bazë shkencore. Ekspertët thonë se patatet nuk nxjerrin toksina dhe nuk e shërojnë ftohjen më shpejt. Edhe pse nuk është veprim i rrezikshëm, nuk sjell përfitime. Patatet janë shumë më të dobishme kur hahen, pasi përmbajnë vitaminë C, fibra dhe energji.

A mund të na mbrojnë ushqimet nga ftohja? Çfarë thotë
A është supa e pulës vërtet e dobishme kur je sëmurë?
Avulli i supës ndihmon përkohësisht në hapjen e rrugëve të frymëmarrjes dhe jep ndjesi ngrohjeje e rehatie. Edhe pse nuk e shkurton domosdoshmërisht sëmundjen, supa e bërë në shtëpi me perime ka vlera ushqyese: proteina, vitamina, minerale dhe ndihmon në hidratim.

A e parandalon vitamina C ftohjen?
Vitamina C nuk e pengon shfaqjen e ftohjes, por mund të ndihmojë në zbutjen e simptomave dhe në shkurtimin e kohëzgjatjes së saj, nëse konsumohet rregullisht. Marrja e saj vetëm pasi sëmuresh nuk ka të njëjtin efekt.


A duhet shmangur qumështi gjatë ftohjes?
Vetëm nëse ke intolerancë ndaj produkteve të qumështit. Nuk ka prova se qumështi rrit sekrecionet apo mukusin te personat që nuk kanë ndjeshmëri ndaj tij.


A ndihmon mjalti për kollën dhe dhimbjen e fytit?
Po. Studimet tregojnë se mjalti, veçanërisht ai natyral, ka veti antiinflamatore dhe antimikrobiale, duke ndihmuar në qetësimin e kollës dhe dhimbjes së fytit.


A është çokollata e zezë e mirë për kollën?
Po, në disa raste mund të ndihmojë. Ajo krijon një shtresë mbrojtëse në fyt dhe përmban teobrominë, një përbërës që mund të shtypë refleksin e kollës, ngjashëm me disa përbërës të barnave kundër kollës.


A mund ta largosh ftohjen me ushqime pikante?
Specat djegës përmbajnë kapsaicinë, e cila mund të lehtësojë përkohësisht dhimbjen e fytit dhe të ndihmojë në hollimin e mukusit. Kjo mund të jetë e dobishme kur je shumë i bllokuar, por mund të shkaktojë edhe rrjedhje të theksuar të hundëve.


Çfarë ushqimesh ndihmojnë gjatë ftohjes?
Si pjesë e një diete të balancuar, disa ushqime mund të ndihmojnë në rikuperim:

Supa dhe lëngje – ndihmojnë në hidratim dhe përmbajnë cisteinë, e cila hollon mukusin.
Pije të ngrohta – limon me mjaltë për vitaminë C dhe qetësim; çaj xhenxhefili për efekt antiinflamator.
Çajra qetësuese – kamomil ose valerian për një gjumë më të mirë.
Ushqime të pasura me vitaminë C – speca, domate, manaferra.
Zink – ndihmon funksionimin e qelizave imunitare; gjendet te frutat e detit, arrat dhe drithërat e plota dhe mund të jetë i dobishëm që në shfaqjen e simptomave./K.C/dritare.net