Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

48 mijë lekë zbritje për fëmijë, ja hapat për të përfituar!

48 mijë lekë zbritje për fëmijë, ja hapat për

Ndryshimet e fundit në ligjin për tatimin mbi të ardhurat sjellin përfitime për prindërit e rreth 500 mijë fëmijëve nën moshën 18 vjeç. Përveç detyrimit për të plotësuar deklaratën vjetore individuale të të ardhurave (DIVA), prindërit mund të përfitojnë zbritje nga baza e tatueshme dhe kompensime financiare.

Sipas ligjit, prindërit përfitojnë një zbritje prej 48 mijë lekësh në vit për çdo fëmijë në ngarkim. Për familjet me shpenzime arsimore shtesë dhe me të ardhura vjetore nën 1.2 milionë lekë, parashikohet gjithashtu një kompensim deri në 100 mijë lekë, me kusht që shpenzimet të jenë të dokumentuara me kontrata dhe mandate pagese.

Për të përfituar këto zbritje, individi me të ardhurat më të larta në familje duhet të hyjë në sistemin e deklarimit elektronik të Drejtorisë së Tatimeve (filling), të plotësojë DIVA-n dhe të deklarojë numrin e fëmijëve në seksionin përkatës, ku sistemi llogarit automatikisht përfitimin dhe uljen e tatimit.

Zbritja prej 48 mijë lekësh nuk është shumë që rimbursohet drejtpërdrejt, por ul bazën e tatueshme, duke sjellë një tatim më të ulët për t’u paguar. Në shembullin e dhënë, një prind me një pagë bruto mujore 80 mijë lekë dhe një fëmijë përfiton një ulje reale të tatimit prej rreth 6 240 lekësh në vit.

Në rast se nga përllogaritja rezulton se është paguar më shumë tatim, prindi mund të kërkojë rimbursimin e tepricës duke paraqitur kërkesë pranë zyrës rajonale tatimore brenda 3 muajve pas datës 31 mars.

Sistemi i tatimeve për individët pritet të hapet më 22 janar 2026, ndërsa afati i fundit për dorëzimin e DIVA-s është 31 mars 2026./L.F-dritare.net