Na ndiqni edhe në

Shqip

Inxhinieri hidroteknik: Pse mbyllja e hidrovorit të Porto Romanos e rrezikon qytetin e Durrësit!

Inxhinieri hidroteknik: Pse mbyllja e hidrovorit të Porto Romanos e

Inxhinieri Kristo Goga ka ngritur alarmin për atë që po ndodh me hidrovorin e Porto Romanos, duke deklaruar se ndërhyrjet e fundit përbëjnë shkelje shtetërore dhe rrezik serioz për përmbytje të gjithë zonës. Ai tregon se ka qenë personalisht dëshmitar i përpjekjeve për të bllokuar grykën e hidrovorit ekzistues, pikërisht në pikën ku kanali kullues derdhet në det.
“Kanë vajtur në Porto Romano me një firmë që donte të bënte punime pas kanalit, në pas derdhjes së hidrovorit në det. Donin t’ia zinin grykën,” shprehet Goga, duke theksuar se kjo nuk është një pikë e zgjedhur rastësisht. “Ajo është pjesa më e thellë dhe prandaj është bërë hidrovori aty,” shton ai.
Sipas tij, plani ka qenë që gryka ekzistuese të mbyllej dhe ujërat të devijoheshin përmes një kanali tjetër anës argjinaturës, duke u derdhur më në veri. “Ja zinin grykën atje dhe kishin menduar të bënin një kanal tjetër anës së argjinaturës, ta derdhnin më në veri,” thotë ai, duke vënë në dukje se një veprim i tillë është tentuar pa asnjë leje shtetërore. “I pyeta nëse kishin marrë leje nga shteti. Më thanë se do ta rregullonin vetë, pa pritur askënd.” thekson Goga.



Ai shprehet i indinjuar, duke sqaruar se hidrovori dhe gjithë fusha përreth janë rezultat i projekteve të tij profesionale. “Unë gjithë këtë fushë këtu kam dorë, kam bërë projekte, dhe nuk ma bën zemra ta prish punën time,” deklaron ai. “Kjo është punë shteti,” shton më tej.
Goga tregon se ka refuzuar të përfshihet në këto ndërhyrje, duke e bërë të qartë qëndrimin e tij. U thashë; Nuk vij me ju. Ju po sfidoni shtetin,” shprehet ai.
Duke folur për gjendjen aktuale të hidrovorit të Porto Romanos, Goga pranon se sistemi ka probleme, por thekson se shkaku nuk është ndërtimi apo pozicioni i tij. “Ç’të meta ka sot? Ia kanë rritur prurjen kulluese,” thotë ai, duke shtuar menjëherë: “Por duhet mirëmbajtur. Nuk është mirëmbajtur.”
Një tjetër shqetësim serioz, sipas tij, është ndërtimi i një hidrovorit të ri disa kilometra më sipër. “Është nisur një hidrovor i ri,” shprehet Goga, duke zbuluar se ky objekt është menduar të vihet në funksion pasi të mbyllet hidrovori aktual. “Ai duhet të punojë kur të mbyllet ky. E duan ta mbyllin këtë hidrovor,” thekson ai.
Sipas inxhinierit, kjo strategji është e gabuar që në themel. “Atë hidrovor të ri do ta kapë territori i portit,” thotë ai, duke ngritur një pyetje retorike: “Si ndërton hidrovor në një zonë që dihet se do bëhet port?”
Goga sqaron se nëse vërtet synohet heqja nga funksioni e hidrovorit ekzistues, atëherë duhet ndjekur një zgjidhje e plotë teknike dhe jo improvizime. “Nëse doni ta hiqni hidrovorin e Porto Romanos, duhet ta çoni kanalin deri te argjinatura veriore dhe atje të ndërtoni hidrovor të ri,” shprehet ai.
Duke iu referuar historikut të veprës, Goga thekson se hidrovori aktual nuk është një ndërtim i rastësishëm apo i huaj. “Hidrovori i Porto Romanos e ka projektin shqiptar,” deklaron ai. “Ka pasur projekte italiane më parë, por shqiptaret e ndryshuan dhe e vendosën këtu.”
Ai rikujton gjithashtu funksionin historik të sistemit kullues në këtë zonë. “Para italianëve, në kohën e luftës kundër malaries, ishte sistem që lejonte hyrjen e ujit të detit për të kripur kënetën,” shprehet Goga. “Kjo ishte arsyeja pse u ndërtua hidrovori: kontrolli i kënetës dhe përmbytjeve,” përfundon ai.
Në përfundim, inxhinieri paralajmëron se mbyllja e hidrovorit të Porto Romanos pa një zgjidhje të qëndrueshme teknike dhe institucionale përbën rrezik serioz. Sipas tij, çdo veprim i tillë mund të sjellë rikthimin e kënetës dhe përmbytjen e gjithë zonës, duke vënë në pikëpyetje jo vetëm mjedisin, por edhe zhvillimin e ardhshëm të Porto Romanos./dritare.net