Ktheni insitutet shkencore. Pa to shteti nuk ka frena!
Dritare.net

Ndërsa Shqipëria po përballet me një situate kritike përmbytjesh që nga veriu në jug, një nga emrat më të njohur të inxhinierisë hidroteknike në vend, Dr. Kristo Goga, ka lëshuar një paralajmërim të fortë lidhur me keqmenaxhimin e sistemeve të kullimit dhe urbanizimin e pakontrolluar. Në një intervistë për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, inxhinieri 85-vjeçar, i cili ka projektuar disa nga veprat më madhore hidrike në vend, përfshirë digën e Bovillës dhe sisteme të ndërlikuara kullimi, solli në vëmendje dëmin e pariparueshëm që i është bërë infrastrukturës mbrojtëse të vendit gjatë tre dekadave të fundit.
Sipas inxhinierit Goga, rrënjët e krizës aktuale datojnë në mesin e viteve '90, me vendimin e qeverisë së asaj kohe për të mbyllur Institutin e Studimeve dhe Projektimeve të Bonifikimit. Ky vendim, të cilin Goga e cilëson si një 'krim shtetëror', shkëputi zinxhirin e transmetimit të njohurive dhe largoi ekspertizën teknike nga vendimmarrja. Ai argumenton se shkrirja e instituteve kërkimore i hoqi shtetit 'frenat', duke i lënë dorë të lirë politikës dhe ndërtuesve privatë të veprojnë pa kritere shkencore mbi territorin. Fokusi kryesor i analizës së inxhinierit ishte situata alarmante në qytetin e Durrësit dhe atë të Vlorës. Goga shpjegoi teknikisht se si kthimi i zonave të gjelbra dhe parqeve në sipërfaqe betoni ka rritur në mënyrë drastike koeficientin e rrjedhjes së ujërave sipërfaqësore.
'Kur ishte park, 50% e reshjeve thithej nga toka. Tani që është beton dhe xham, 100% e ujit rrjedh dhe përfundon në rrugë,' theksoi ai, duke ilustruar se si infrastruktura e vjetër e kanalizimeve është e paaftë të përballojë këtë fluks të shtuar artificialisht.
Një tjetër pikë kritike e ngritur gjatë bisedës ishte ndërtimi masiv në zonën e ish-Kënetës në Durrës dhe ndërhyrjet e papërgjegjshme në kanalet e ujërave të larta. Inxhinieri tregoi raste konkrete ku ndërtuesit kanë injoruar paralajmërimet e ekspertëve, duke ndërtuar mbi kolektorë kryesorë apo duke dëmtuar funksionimin e hidrovoreve. Ai denoncoi faktin se hidrovorët, dikur objekte të sigurisë së lartë me furnizim të dyfishtë energjie, sot trajtohen si asete dytësore, shpesh të sabotuara nga ndërtimet pa leje ose të legalizuara në mënyrë abuzive. Përveç problematikave në zonat bregdetare, Goga u ndal edhe te siguria e digave. Si anëtar prej dekadash i Komitetit Kombëtar të Digave të Mëdha, ai shprehu shqetësimin për mirëmbajtjen e tyre, duke marrë si shembull Digën e Liqenit Artificial në Tiranë. Ai paralajmëroi se ndërtimet luksoze pranë digave përbëjnë një rrezik potencial për sigurinë kombëtare, duke i krahasuar ato me 'mina me sahat' nëse nuk menaxhohen nga inxhinierë të kualifikuar. Mesazhi i inxhinierit Goga shkon përtej kritikës teknike; ai është një thirrje për rikthimin e meritokracisë dhe shkencës në administrimin e territorit./ dritare.net