Na ndiqni edhe në

Opinione

"Përmbytjet" histori e jetuar

"Përmbytjet" histori e jetuar

Nga Auron Tare


Duhet të ishte vjeshta e vitit ’99. Arkeologët e ekspeditës ishin larguar. Ne që ishim pjesë e Fondacionit Butrinti dhe që kishim mbetur pas, po përgatisnim Planin e Menaxhimit të zonës që më vonë do të njihej si Parku Kombëtar i Butrintit.
Barinjtë e ardhur për të dimëruar në fushën e Vrinës dhe ata pak fermerë që kishin mbetur në atë kohë asaj ane, na kërkonin ndihmë, pasi një kanal kullues në zonë e mbyste fushën çdo dimër. Kishte vite pa u pastruar ai kanal dhe askush nuk kujtohej për këtë cep të harruar.
Vendosëm të bënim diçka dhe, në Sarandë, kërkova të dija se kush merrej me menaxhimin e rrjetit të kanaleve kulluese. Pyeta dhe mësova se ku ndodhej kjo zyrë. Pasi e gjeta një godinë e vjetër me shkallë betoni, korridor plot myk dhe e palyer prej kush e di sa kohe trokita duke kërkuar drejtorin. Nuk ishte, por më thanë që vinte diku nga ora 12 e drekës.
Ika dhe u ktheva diku pas orës 12. Ngjita përsëri shkallët prej betoni, nëpërmjet korridorit të palyer dhe hyra në zyrën e vogël. Drejtori, një burrë i rrumbullakët me një shqipe ku dallohej një theks i lehtë nga minoriteti, më pyeti se çfarë kërkoja. I thashë se vija nga Fondacioni Butrinti dhe donim të pastronim kanalin e dikurshëm që derdhej në liqen.
I çuditur, më pyeti se çfarë pune kishim ne me kanalet kulluese. I thashë se thjesht donim të ndihmonim fermerët e zonës, asgjë më shumë.
“Nuk e bëjmë dot,” më tha, “nuk kemi as mjete, as naftë.”
“E di,” i thashë, “se ma thanë barinjtë dhe fermerët përgjigjen tuaj, por prandaj kisha ardhur. Donim të ndihmonim me një donacion.”
I zgjata një zarf të bardhë ku ishin 2500 USD.
“Vetëm më duhet një shkresë që i dorëzova,” i thashë, kur e mori zarfin.
Hapi sirtarin e një tavoline të vjetër që duhej të ishte trashëguar nga koha e komunizmit, nxori një letër dhe një laps. Shkroi diçka, ma zgjati dhe e hodhi zarfin në sirtar. Pastaj, me një lëvizje që nuk e harroj, e mbylli sirtarin me barkun e madh.
“Mirë,” më tha, “do përpiqemi.”
Ika dhe pas një jave pjesa e kanalit që kishim kërkuar të hapej u pastrua. Një eskavator i vjetër, një makinist dhe disa ditë mjaftuan që kanali të pastrohej dhe fusha të mos përmbytej më.
Kohë më pas, kur drejtoja parkun, në një zyrë të Ministrisë së Bujqësisë dëgjova se fondi për pastrimin e kanaleve përqark Butrintit jepej çdo vit.
“Si ka mundësi,” pyeta, “që barinjtë dhe fermerët ankohen çdo vit se fushat përmbyten?”
“Nuk e di,” më tha personi përgjegjës, “por ne në raportime i kemi kanalet të pastruara dhe fondin e përdorur.”
Pastaj më pa në sy dhe më tha:
“Për këtë punë nuk kërkoj dot llogari, se ai drejtori në Sarandë i përket aleatëve.”
Në atë kohë isha ende shumë naiv për të kuptuar se çfarë lidhje kishin kanalet kulluese me aleatët lokalë dhe me votat e zonës. Nejse, për ta zgjidhur këtë hall, u desh ndërhyrja e kryeministrit Nano që kanalet përqark Butrintit të pastroheshin rregullisht.
E kujtoj gjithmonë këtë histori sa herë ka përmbytje në Shqipëri. Më kujtohet ish-drejtori i dikurshëm i asaj zyre të vogël, zarfi i bardhe, letra e vjeter, mbyllja e sirtarit me barkun e madh dhe nenqeshja e tij. Sot nuk eshte me nenpunes i shtetit por quhet operator turistik dhe ka një nga hotelet më të larta (në kate) në qytet./Marrë nga Facebook-u i autorit