Na ndiqni edhe në

Shëndet

SHBA përmbys piramidën ushqimore. Udhëzimet e reja që ndezin debat

SHBA përmbys piramidën ushqimore. Udhëzimet e reja që ndezin

Shtetet e Bashkuara kanë publikuar udhëzimet e reja ushqimore për vitet 2025–2030, të cilat theksojnë konsumimin e më shumë proteinave, yndyrnave të shëndetshme dhe ushqimeve natyrale, duke kufizuar sheqerin dhe ushqimet ultra të përpunuara. Rekomandimet e reja mbështeten nga Departamenti i Shëndetësisë dhe ai i Bujqësisë dhe reflektojnë vizionin e sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., në kuadër të nismës “Make America Healthy Again”.

Një nga ndryshimet më të dukshme është rikthimi i piramidës ushqimore, por në formë të përmbysur, ku proteinat shtazore dhe bulmeti zënë një vend më të rëndësishëm. Udhëzimet rekomandojnë 1.2 deri në 1.6 gramë proteinë për kilogram peshë trupore në ditë, si dhe konsum të bulmetit të plotë pa sheqerna të shtuara.

Gjithashtu, sugjerohet rritja e konsumit të perimeve, frutave dhe drithërave të plota, ndërsa këshillohet shmangia e ushqimeve të përpunuara, pijeve me sheqer dhe produkteve me përmbajtje të lartë kripe. Alkooli duhet të konsumohet sa më pak, pa përcaktuar kufij të saktë ditorë.

Ekspertët janë të ndarë mbi disa aspekte të udhëzimeve, veçanërisht për theksin ndaj mishit të kuq dhe bulmetit me yndyrë të plotë, për shkak të rrezikut për shëndetin e zemrës. Megjithatë, shumica pajtohen se mesazhi kryesor është i qartë: ushqimi i shëndetshëm, i papërpunuar dhe i balancuar është çelësi për parandalimin e sëmundjeve kronike.

Ndërsa udhëzimet nuk detyrojnë qytetarët e zakonshëm, ato ndikojnë drejtpërdrejt në programet federale si ushqimi në shkolla, SNAP dhe WIC, dhe pritet të kenë ndikim afatgjatë në zakonet ushqimore dhe politikat shëndetësore në SHBA./L.F-dritare/net