
Çfarë po gatuhet në Alaskë? Trump dhe Putin mes hartës së re të Ukrainës
Dritare.net
Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojnë të premten një samit në Alaska, mes spekulimeve se bisedimet mund të sjellin ndryshime të detyruara në hartën e Ukrainës.
Që prej vitit 2014, Rusia ka aneksuar gadishullin e Krimesë dhe ka mbështetur separatistët në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut, ku luftimet kanë zgjatur mbi tetë vite. Me nisjen e pushtimit të plotë në shkurt 2022, Moska mori nën kontroll edhe pjesë të rajoneve të Zaporizhias dhe Khersonit, duke arritur në një moment të kontrollonte rreth 27% të territorit ukrainas, një shifër që sot ka rënë në rreth 20%.
Në prag të samitit, Trump ka folur për “shkëmbime territoriale”, një ide që ka shkaktuar shqetësim në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane. Raportime nga media ndërkombëtare sugjerojnë se Putin kërkon që Ukraina t’i dorëzojë të gjithë territorin e mbetur në Luhansk dhe Donetsk, përfshirë qytete strategjike si Kramatorsk dhe Slovyansk. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se një tërheqje nga Donbasi është e papranueshme, duke paralajmëruar se Rusia do ta përdorte atë si trampolinë për pushtime të tjera.
Në Zaporizhia dhe Kherson, Rusia dyshohet se po ofron ndaljen e ofensivës në këmbim të ngrirjes së vijës së frontit, por mbetet e paqartë nëse do të hiqte dorë nga ndonjë pjesë e territorit.
Zona është kyçe për “ura tokësore” që lidh Rusinë me Krimenë e pushtuar, dhe Putin e konsideron pjesë të territorit rus që nga referendumi i kontestuar i vitit 2022.
Për Ukrainën dhe aleatët evropianë, diskutimet për kufijtë mund të zhvillohen vetëm pasi lufta të ketë përfunduar dhe siguria e vendit të jetë e garantuar./K.C/dritare.net

















