
3 vatra aktive në Berat, izolohet zjarri në Parkun Kombëtar të Kukësit
Dritare.net
Shqipëria po përballet prej ditësh me dhjetëra vatra zjarri që kanë përfshirë territore të gjera nga veriu në jug të vendit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe mjedisore.
Në qarkun e Beratit raportohen aktualisht tre vatra aktive. Në zonën e mbrojtur “Balloll” të Poliçanit, flakët po përhapen në tre drejtime: drejt fshatit Plashnik i Madh, lagjes Selenicë të fshatit Çorogjaf dhe sipërfaqes pyjore. Në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikësish dhe të ushtrisë. Dy vatrat e tjera ndodhen në fshatin Velçan të njësisë administrative Berat dhe në fshatin Orizaj të Skraparit, ku terreni i vështirë e bën të rrezikshme situatën.
Në Kukës, vatra e shfaqur të mërkurën në fshatin Bele të Parkut Kombëtar “Korab-Koritnik” është izoluar dhe po mbahet nën monitorim deri në shuarjen e plotë. Në Korçë, zjarri pranë Parkut Natyror të Gërmenjës është nën kontroll, por era e ka shtyrë drejt territorit grek duke rritur sipërfaqen e prekur.
Në dy ditët e fundit, situata më dramatike është regjistruar në Delvinë dhe Gramsh. Në Delvinë, flakët rrethuan qytetin, duke shkatërruar disa banesa dhe një kishë. Në Gramsh, zjarret kanë përfshirë disa fshatra dhe kanë djegur 39 banesa, sipas një bilanci paraprak, ndërsa janë shkaktuar dëme të mëdha në bagëti e pemëtari.
Autoritetet bëjnë të ditur se në tre muajt e fundit janë identifikuar 137 zjarrvënës, nga të cilët 46 janë arrestuar dhe 91 janë nën hetim./K.C/dritare.net

















