
Kryeministri Edi Rama bëri bilancin e ndihmës ndërkombëtare në përballjen me zjarret e ditëve të fundit, duke renditur mjete ajrore të ardhura nga disa vende. “Kemi pasur një avion canader nga Italia, dy nga Greqia, një canader nga Kroacia, dy helikopterë nga Hungaria, një nga Çekia, një nga Sllovakia, dy suedezë dhe dy Black Hawk nga Emiratet,” tha ai.
Rama theksoi se Shqipëria nuk disponon ende avionë zjarrfikës, duke shtuar se “po t’i kishim vetë, do të ishte më mirë, askush nuk e mohon këtë”. Ai kritikoi disa zëra që, sipas tij, shpërndajnë dezinformata për një avion personal të blerë nga qeveria.
“Avionët nuk janë një fjalë goje. Disa, pa mendje ose nga dëshira për ta besuar, kanë ngrënë broçkullën se unë apo qeveria paskemi blerë avion për veten. Nuk ka asnjë avion të tillë. Avioni i shumëpërfolur përdoret vetëm për udhëtime zyrtare. Në çdo udhëtim privat marr avionët e linjës së rregullt, bashkë me familjen. Këtë e dëshmojnë të gjitha biletat,” deklaroi ai.
Sipas kryeministrit, përdorimi i avionit për misione zyrtare nuk i kushton shtetit më shumë se shpenzimet mesatare të kryera nga paraardhësit e tij në detyrë./K.C/dritare.net

















