Borxhi i Kinës ndaj shqiptarëve. Flet ambasadori Sabri Kiçmari
Dritare.net

Ambasadori i Kosovës në Japoni, Sabri Kiçmari, ka rrëfyer në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV historinë e marrëdhënies mes Enver Hoxhës dhe Mao Ce Dunit, bazuar në librin e tij të ri në anglisht, botuar nga Palgrave Macmillan.
Kiçmari tregoi se për librin ka përdorur dokumente të CIA-s, fjalimet e Hoxhës dhe 1700 faqet e “Shënimeve për Kinën”. Sipas tij, disa pjesë të ditarit të Hoxhës duken të rishikuara më vonë, sepse skepticizmi që shfaqet aty ndaj Kinës nuk duket në fjalimet e tij të viteve ’50 dhe ’60. Ai theksoi se kjo është një përshtypje studimore, e cila nuk mund të verifikohet pa dorëshkrimin origjinal.
Ambasadori shpjegoi se aleanca Tiranë–Pekin lindi pas kritikave të Hrushovit ndaj Stalinit, të cilat as Hoxhës e as Maos nuk u pëlqyen. Sipas tij, në këtë marrëdhënie Shqipëria veproi në masë të madhe e pavarur dhe ishte më shumë ajo që i kërkonte Kinës të përshtateshin, sesa Kina që i bënte presion Tiranës.
Momenti më i rëndësishëm, sipas Kiçmarit, ishte roli i Shqipërisë në OKB. Kina nuk ishte anëtare dhe Shqipëria fliste në emër të saj. Në vitin 1971 zëvendësministri i Jashtëm Reis Malile u përball në Asamblenë e Përgjithshme me përfaqësuesin amerikan George Bush, dhe Kina u pranua në OKB në vend të Tajvanit.
“Kina ka detyrim ndaj shqiptarëve”, deklaroi Kiçmari.
Ai kujtoi edhe vitin 1961, kur pas largimit të sovjetikëve Kina i dërgoi Shqipërisë mijëra tonë grurë, ndonëse vetë vuante nga uria. Sipas një shifre që përmendet nga pala kineze, ndihma gjatë 25 viteve arrin rreth 20 miliardë dollarë, por Kiçmari tha se këtë shifër nuk mund ta verifikojë.
Prishja erdhi gradualisht. Sipas ambasadorit, Hoxha u shqetësua fillimisht kur Kina u afrua me Rumaninë dhe Jugosllavinë, ndërsa vizita e Nixonit në Pekin në vitin 1972 shënoi kthesën kryesore. Ndarja përfundimtare erdhi në vitin 1978, me ardhjen në pushtet të Deng Xiaoping-ut, kur Kina tërhoqi mijëra ekspertë nga Shqipëria. Kiçmari e cilësoi ashpërsinë e reagimit të Hoxhës “vështirë të shpjegueshme”, sepse Shqipëria nuk kishte asnjë alternativë.
Duke folur për sot, ambasadori e quajti “të padrejtë” qëndrimin e Kinës ndaj Kosovës. Sipas tij, pas asaj që bëri Shqipëria në 1971, Pekini ka një borxh ndaj shqiptarëve. Megjithatë, ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë marrëdhënie korrekte e racionale me Kinën, pa hequr dorë nga orientimi properëndimor.
Kiçmari tregoi gjithashtu se libri po lexohet nga shumë lexues kinezë dhe se të drejtat e botimit në shqip i ka mbajtur vetë./dritare.net