Berisha: Do të them “Goodbye” kur të mos kem më fuqi fizike ose mendore
Dritare.net
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar mundësinë e largimit të tij nga drejtimi i partisë dhe krijimin e një lidershipi të ri në PD.
Në një intervistë për Euronews Albania, Berisha deklaroi se do të largohet nga drejtimi i demokratëve vetëm në momentin kur të ndiejë se nuk ka më kapacitetin fizik apo mendor për të përmbushur detyrat e tij.
“Momentin që unë të ndjej pamundësinë më të vogël fizike në detyrimet e mia fizike ose mendore, absolutisht, me lehtësi dhe pa vështirësi do të them ‘Goodbye’”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se për sa kohë ndien se ka të njëjtën energji dhe mund të kontribuojë në betejën politike, nuk ka ndërmend të tërhiqet nga drejtimi i partisë.
“Unë nuk jam demon pushteti. Unë kam pasur të gjitha pushtetet. Po tani luftoj me një përkushtim. Këto vite kanë qenë vitet më interesante të jetës sime, sepse beteja kundër një diktature të dytë është jashtëzakonisht motivuese”, deklaroi kreu i Partisë Demokratike./L.F-dritare.net