Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president të Kosovës

Kandidati për president, profesori Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës.

Sejdiu në një postim në Facebook ka thënë se duke u marrë parasysh rrethanat, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur e po ashtu nga devijimi i tërë procesit, ka vendosur të tërhiqet dhe se për këtë ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje. Sejdiu ishte prezantuar si kandidat konsensual për president dy javë më parë, pas marrëveshjes së dakorduar mes VV-së dhe LDK-së.

Por, gjashtë deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja deklaruan se nuk do të votojnë për Sejdiun.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës. Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Mbështetja e gjerë që më është ofruar këto ditë, nga kolegë, miq, personalitetete publike e të shoqërisë civile dhe, në mënyrë të veçantë, nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.


Sejdiu tha se dy javë më parë ishte kontaktuar nga përfaqësues të LDK-së, të cilët e kishin ftuar në takim të përbashkët me delegacionet e kryesuara nga LDK-ja dhe VV-ja.

“Aty u njoftova se, pas një procesi shterues bisedimesh, këto dy parti kanë arritur pajtueshmëri që emri im të propozohet si kandidat jopartiak për President të Republikës së Kosovës. E konsideroj këtë si besim të madh ndaj meje si person dhe një vlerësim për kontributin tim në jetën institucionale të Republikës së Kosovës. Përfaqësuesve të këtyre dy partive ua shpreh mirënjohjen time më të thellë, që më kanë nderuar me një besim të tillë dhe për mbështetjen e tyre përgjatë këtij procesi”, tha Sejdiu.

Ai tha se ka besuar se partitë politike dhe deputetët do ta gjejnë forcën për t’i tejkaluar ndasitë, e për t’i dhënë vendit institucione stabile në këto kohë të vështira.

Sejdiu thotë se Kosova s’ka nevojë “për drama politike dhe thellim të polarizimit, por për maturi dhe bashkim në funksion të forcimit të shtetit’.

“Prandaj, me sinqeritetin më të madh shpresoj se partitë politike do të gjejnë rrugëdalje nga ky rreth vicioz, i cili, më shumë se çdo gjë tjetër, po e venitë shpresën e qytetarëve për një të ardhme prosperuese për ta dhe familjet e tyre. Republika e Kosovës është shtëpia jonë e përbashkët, e lindur nga ideale të pathyeshme dhe sakrifica sublime. Kosova qëndron mbi çdonjërin prej nesh, ndaj, së bashku, ia kemi borxh t’i shërbejmë me devotshmëri, gjithmonë, kurdo dhe pa asnjë kusht”, ka shkruar Sejdiu./KohaDitore