Na ndiqni edhe në

Arkiv

Ata si Guximi, në komunizëm, dënoheshin për agjitacion e propagandë

Ata si Guximi, në komunizëm, dënoheshin për agjitacion e
Nga Arben Duka

Në dy-tri muajt e fundit, por edhe më parë, publiku i gjerë është bombarduar nga televizionet me video dhe audio për disa ofiqarë, të menduara dhe të përgatitura nga “të lënduarit” për një hakmarrje të thellë, që mbase kalon dhe cakun e aktit të vdekjes. Videoja që intrigoi më shumë publikun shqiptar, ka qenë ajo që ishte përgatitur për të shkatërruar Shukri Xhelilin. Po të isha unë pronari, ose kryeredaktori i atij televizioni, nuk do t’ia jepja mundësinë “të lënduarës” që hakmarrjen e saj ta merrte nëpërmjet një televizioni. Do ta refuzoja transmetimin e saj, për faktin e thjeshtë se gjithçka qe stisur për hakmarrje dhe jo për drejtësi.

Skenaristja dhe regjisorja e atij filmi banal, sot duhet të ishte prapa hekurave, njëlloj si Shukriu. Është ajo që ka provokuar seksualisht Shukriun, ka lënë të kuptohej se do ta kompesonte me seks, mungesën e arsimit dhe aftësive për për një vend specifik pune. Një vajzë me shkollë të mesme, pa ndonjë veti të veçantë, shkon drejt e në zyrën e kryetarit të bashkisë për të kërkuar punë, duke qenë e bindur se puna në bashki s’i takonte se s’kish shkollën e lartë (kur dhjetëra vajza në Peshkopi me shkollë të lartë ishin të papuna), por ajo do të vinte në dispozicion të kryetarit diplomën e fshehtë që kishte në mesin e këmbëve. Shukriu shumë naiv e ha karremin dhe pa dashje bëhet personazhi kryesor i telenovelës banale që vajza ka në mendje. Po dhe vetë vajza është në të njëjtat kushte me Shukriun. Me premtimet për seks ajo e kishte marrë një vend pune, jo shumë të pëlqyeshëm, por meqë diplomën në mes të këmbëve s’e kish përdorur akoma, bënte shantazh për një vend më komod, të cilin kryetari s’ia firmoste dot aq kollaj, në mungesë të diplomës së vërtetë, por dhe për faktin tjetër se diplomën tjetër nuk e kishte parë akoma, po ishte në atë rrugë.

Shukriu, që nuk është një engjëll nga ata që shpall Papa, është viktimë e një makinacioni të mirëmenduar nga “e dëmtuara”. Po në fakt “e dëmtuara” nuk është një e dëmtuar. Ajo ka përfituar me joshje seksuale një vend pune që nuk i takonte, dhe po me joshje ka kërkuar edhe më tepër se aq. Heroina jonë nuk kish problem se po prishej interesi publik, por gjithçka po e bënte për interesin e saj të ngushtë. Kuptohet lehtë se ajo kishte brenda vetes asete të mëdhaja ligësie. Këto asete ajo i transferoi tek një gazetar dhe ai me goxha asete ligësie të shpalosura nëpër vite. Ligësia u dyfishua, dhe konspiracioni kundër Shukriut u mor në dorë nja një profesionist ligësie. Shukriu, duke qenë nga natyra shumë budalla dhe i brumosur me idenë fikse se “Kryetari të pallon”, vjen që nga Peshkopia në Tiranë për të parë diplomën që vajza kish në mes të këmbëve, por regjia kish vendosur të mos konsumohej i gjithë akti seksual.

Vajza iku nga moteli dhe për çudi pamë se Shukriu nuk bëri as tentativën më të vogël për ta ndaluar, se kështu do akuzohej dhe për përdhunim të vajzës që kish udhëtuar 300 km në makinën e tij për të ardhur pikërisht në atë motel. Më pas dihet si rrodhën ngjarjet. Nën presionin e opinionit dhe medias Shukriu u burgos për një gjë që në fakt nuk e ka bërë. Mbas transmetimit të videos unë pashë se si ligësia kishte triumfuar, se si mijëra njerëz diskutonin me gaz e entuziazëm për shkatërrimin e një njeriu, burri dhe babai. Shukriu mund të shpëtohej, ose mund t’i qe kursyer turpi para botës dhe familjes, që është e lënduara e vetme në gjithë këtë histori të ligë. Gazetari që mori flamurin e nderit, duhet ta dërgonte atë vajzë të denonconte në polici a prokurori dhe jo të instruktohej ligësisht se si mund t’i bëhej gropa tamam mavrisë Shukri. Ligësia, në të kundërt të mirësisë dhe dhembshurisë është një ndjenjë e keqe që përhapet më shpejt se virusi i gripit të derrit, apo gripit të pulave. Rasti i Gjirokastrës nuk është gati i njëjtë, por jam i bindur se fati i Guximtarit do të jetë i njëjtë me fatin e Shukriut.

Gruaja që ka përgatitur audion për t’u hakmarrë karshi padrejtësisë, nuk është një çupëlinë e rëndomtë si ajo e Peshkopisë, por një grua me njëmijë halle mbi kurriz. Por kësaj padrejtësinë nuk ja ka bërë Guximtari, po të tjerë gjyqtarë. Në audio nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme veç shprehjes “ti më puthe direkt” dhe përgjigjes “nuk të këputa ndonjë copë”. Po dhe Guximtari nuk është një nga ata engjëjt që dekreton Papa. Por regjistrimi vetëm i zërit, bëri efektin e bombës. Gjithandej njerëz të gëzuar e entuziastë për shkatërrimin fatal të jetës së njeriu. Guximtari guxoi por në fund ligësia kolektive triumfoi.

Unë jam solidar me zonjën e dëmtuar nga padrejtësia, por nuk jam pjesë e asaj turme dhe gazetarësh që kalojnë në orgazëm nga fatkeqësia e një njeriu tjetër. Mund t’i qe kursyer turpërimi në publik dhe para familjes e shoqërisë, por ja që jetojmë në kohën e triumfit të ligësisë kolektive. Por mbase fundosja fatale e Guximtarit i rikthen pronën qytetares. Dhe ky ishte gjithë qëllimi i regjistrimeve. Apo jo! Për dijeni në komunizëm gjithnjë kursehej familja. Guximtarët nuk dënoheshin për atë që bënin, po për agjitacion-propagandë./dita.al