
Nga Nertil Jole
Shqiptarët nga të gjitha trevat shqiptare dolën dje të shumtë në qendër të Prishtinës me moton “Liria ka emër”, në mbështetje të liderëve të UÇK-së, në prag të vendimit të shumëpritur të Hagës.
Albin Kurti nuk ishte mes tyre. Mungesën absurde të tij u mundua ta kapërcente me një komunikatë partiake, ku thuhej se “12 shtatori ishte marshim kundër atyre që themeluan Gjykatën Speciale”.
Kjo nuk është një sjellje e rastësishme politike. Është modeli i dëmshëm që kërkon t'i imponohet Kosovës. Një model që nuk ka parësor shtetin, por pushtetin.
I njëjti model u shfaq dje, në mënyrën e vet, edhe në Tiranë, në protestën “mbarëkombëtare” të organizuar pikërisht në të njëjtën datë me marshimin e Prishtinës.
Këtu nis paradoksi.
Ndryshe nga Tirana zyrtare, që rolin historik të UÇK-së nuk e ndan nga kontributi i pazëvendësueshëm i udhëheqësve të saj në luftën për liri, Prishtina zyrtare duket se e ka të vështirë të mohojë luftën e UÇK-së, por tenton të injorojë faktorin politik që drejtoi veprimin e saj ushtarak.
Lavdia e saj pranohet si histori. Por jo si histori e gjallë. Jo si trashëgimi me njerëz, emra dhe përgjegjësi që vazhdojnë të ekzistojnë. Sepse kur historia e gjallë rrezikon pushtetin, ajo bëhet e padëshirueshme.
Prandaj, 12 shtatori e ndau Prishtinën dhe Tiranën në dy fotografi. Në njërën anë, ish-komandantët dhe mijëra bashkëkombas të shqetësuar për fatin e tyre në Hagë. Në anën tjetër, komunikata e turpshme e Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbërritja e “patriotëve” nga diaspora në Tiranë në po të njëjtën ditë.
Ndaj, duket sikur për Albin Kurtin 12 shtatori kishte më shumë rëndësi për të ardhmen e “Bulevardit të Flamingove”, sesa për marshimin kombëtar që kërkonte mbrojtjen e historisë së lavdishme të UÇK-së dhe rikthimin në Atdhe të udhëheqësve të saj.
Kjo është asimetria e hidhur e 12 shtatorit.
Kur kombi marshon për historinë e tij, politika mund të jetë duke bërë llogaritë e pushtetit të saj./Marrë nga Facebook-u i autorit