Rama: Fondet IPARD do zhbllokohen shumë shpejt
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama thotë se fondet e programit IPARD për bujqësinë pritet të zhbllokohen dhe financimi të nisë sërish. Në intervistën me gazetaren Rudina Xhunga, Rama pranoi se bllokimi i fondeve ka qenë problem, por theksoi se raste të ngjashme janë konstatuar nga OLAF edhe në vende të tjera të BE-së. Sipas tij, qeveria po përgatit edhe instrumente të tjera financimi për fermerët dhe synon një fazë të re zhvillimi për bujqësinë.
Rudina Xhunga: Është shumë e rëndësishme kthimi i vëmendjes së njerëzve te bujqësia dhe blegtoria, që s’mund të jenë më kontorno e turizmit, por të prodhojnë për turizmin. Është një goditje shumë e madhe bllokimi i fondeve IPARD për bujqësinë.
Edi Rama: Është e vërtetë. Do të zhbllokohen tani, më në fund. Ajo i ka ndodhur të gjitha vendeve. Për shembull, Greqia është në një situatë më të rëndë sesa jona me të njëjtën strukturë të BE-së, OLAF-in, që ka zbuluar në të gjitha vendet situata të tilla. Nuk është se i ndodhi “Shqipërisë së korruptuar”.
Besoj që ka ndodhur edhe si rezultat i një sektori që ne e gjetëm komplet të shpartalluar, të informalitetit të madh dhe të moskuptimit të shumë gjërave. Gjithsesi, tani jemi afër zhbllokimit dhe do të fillojë prapë financimi.
Nga ana tjetër, kemi vendosur të dyfishojmë sipërmarrjen në dispozicion të fshatit, do të vendosim Bankën Shqiptare të Zhvillimit, që do të fillojë me produktet e para. Kemi vendosur edhe të tjera instrumente, duke stimuluar krijimin e shoqërive të bashkuara. Besoj që do të jemi në një progres tjetër në fushën e bujqësisë./K.C/dritare.net