Elton Ilirjani sjell Parashqevi Simakun në pasarelën e New York Fashion Week
Dritare.net

Një finale spektakolare në rozë, tingujt e këngës “E duam lumturinë” dhe prania e Fern Mallis e kthyen prezantimin e koleksionit “REMEMBER AW27” në një homazh emocionues për ikonën shqiptare Parashqevi Simaku.
Sfilata e POET-LAB, krijuar nga stilisti Giuseppe Iaciofano dhe realizuar nën produksionin e Global Fashion Collective, u ndërtua rreth konceptit “Remember”: një udhëtim përmes kujtesës, historive dhe figurave që mbeten.

Ishte Elton Ilirjani ai që i rrëfeu stilistit historinë e Parashqevi Simakut dhe dashurinë e jashtëzakonshme që publiku vazhdon të ketë për të në Shqipëri dhe Kosovë. Lidhja e Iaciofanos me Shqipërinë kishte nisur më herët, gjatë vizitës së tij në vendin tonë, ku së bashku me Eltonin realizoi disa sete fotografike në vende ikonike shqiptare.
Shfaqja nisi me dy fjali të shkëputura nga një intervistë e Parashqevi Simakut në vitet ’90, ndërsa një fotografi e saj duke kënduar në vitet ’80 ishte pjesë e moodboard-it që frymëzoi koleksionin.
Momenti kulmor erdhi në finale. Elton Ilirjani u shfaq në pasarelë me një fustan rozë, me një siluetë engjëllore, ndërsa në sfond u dëgjua një fragment nga “E duam lumturinë”, kënga me të cilën Parashqevi Simaku fitoi Festivalin e Këngës.

Ishte një rikthim simbolik te një prej imazheve më të dashura dhe më të paharrueshme të këngëtares shqiptare.
Në sallë ndodhej edhe një nga emrat më të rëndësishëm të historisë së modës amerikane: Fern Mallis, krijuesja e formatit modern të New York Fashion Week. Ajo e ndoqi sfilatën së bashku me një përfaqësues të CFDA-së, duke i dhënë prezantimit një jehonë të veçantë ndërkombëtare.
Nga Shqipëria e Parashqevi Simakut në New York-un e modës botërore, “REMEMBER AW27” e ktheu kujtesën shqiptare në një moment të gjallë dhe emocionues, në një prej skenave më të rëndësishme të modës./dritare.net
Fotografitë: Getty Images / Arun Nevader
POET-LAB: Giuseppe Iaciofano