Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Angjelin Preljocaj, kërcimtari i engjëjve

Angjelin Preljocaj, kërcimtari i engjëjve
Në 1957, Lizë Preljocaj e kishte në bark, ndërsa arratisej me të shoqin nga Vermoshi.

Angjelini lindi dy javë më pas, në Paris.

Në Francë mësoi baletin. Arriti aty nga xhudoja dhe luftimet trup më trup me bashkëmoshatarët në periferitë e Parisit.

Dashuria për një grua e drejtoi te baleti. Ajo grua i dhuroi një libër me foto të Nurejevit të transformuar nga kërcimi. “Desha të bëj të njëjtën gjë” – kujton ai. “Të qëndroja pezull në ajër.” Dhe ia doli.

Dhjetëra botime, mijëra shkrime për të, qindra punë, të gjitha të realizuara në skenat më të rëndësishme të botës së baletit. Dhe miliona duartrokitje. Për Borëbardhën, Dasmën, Akrobatin, Katër Stinët, Pranverën e Stravinskit.

Të gjitha çmimet, të të gjitha kontinenteve, që mund të ëndërrojë një artist.

Franca i ka dhënë gjithçka, njeriut që nuk harron kurrë të thotë se është shqiptar.

Edhe kur lideri i radikalëve të djathtë në Francë, Le Pen, ju hakërrye në ’95 që të kthehej në Tiranë, se ishte i huaj, ai ju përgjigj - “Kthehem dhe e nis nga zero, por nuk jap asnjë shfaqje në qytetet ku drejton partia jote”.

Mbase ka qenë hera e vetme që ky burrë me një portret të imët, sy të mrekullueshëm, gjeste diskrete dhe gjenetikisht i shqetësuar, ka dhënë intervistë.

Gjithë kohës vetëm ka punuar, për të treguar me kërcim, emocionet e një bote, artist i madh i së cilës është.

Në 1957 ai u arratis nga Shqipëria. Në barkun e një gruaje.

53 vjet më pas dha këtë intervistë për Rudina Xhungën, për t'i këshilluar shqiptarët për ditën pa viza drejt Evropës.

Sepse ai është simbol i kësaj dite. Ditës së lirisë./dritare.net

Intervistoi Rudina Xhunga

Çfarë do të ndodhë pas pak në teatër? Si quhet baleti? Cilët janë kërcimtarët që e kanë bërë këtë balet?

Do të jetë një shfaqje që bëhet midis trupës së Balshoit dhe kompanisë sime, në Aix–en–Provence, të cilat do të bashkohen. Është një shfaqje që e ka pasur premierën në Teatrin Balshoi, në Moskë dhe tani do të bëjmë një turne në Evropë.

Unë kam lexuar kritika të shkëlqyera për këtë vepër. Gazeta franceze Le Figaro shkruan: “shikuesit kurrë nuk kanë parë një pjesë të tillë”. “Një hap në boshllëk”, shkruante një tjetër. Financial Times shkruante që francezët dhe rusët në këtë balet rivalizojnë... mos nuk e kishte kuptuar gazetarja që nuk qe rivalitet, por bashkëpunim?

Jo, s’ka as rivalitet dhe as bashkëpunim. Sipas mendimit tim, një prej arritjeve të mëdha të kësaj shfaqjeje është se kur sheh shfaqjen nuk e di se cili është rus, cili francez. Cili është i Balshoit e cili i Aix-en- Provence.

Është një kulm në krijimtarinë tuaj kjo pjesë?

Jo, nuk mendoj se është më i mirë se baletet që kam bërë. Mendoj se kam për të bërë edhe më mirë më pas.

Nisni me premierën Balshoi Teatër. Mandej, cili është kalendari i shfaqjes?

Kemi filluar në Moskë dhe tani jemi në Paris. Do të shkojmë në Amsterdam, Luksemburg, Berlin. Në të gjithë Evropën. Pastaj edhe në Indi.

Nëse keni kohë, mund të kthehemi pak në kohë, në momentin kur larg atdheut, në vitin ’57, në barkun e nënës suaj, Lizë Preljocaj. Sa e shënoi fatin tuaj artistik e njerëzor ajo ikje, ajo arratisje?

Ismail Kadare ka thënë se kam kaluar kufijtë në bark të nënës. Kjo lëvizje më ka dhënë kërcimin. Besoj se është e vërtetë, por në të njëjtën kohë ka shumë gjëra që kam mësuar me mjeshtrit e mëdhenj të baletit. Ato më kanë ndihmuar shumë për të ndërtuar stilin tim dhe për të punuar me veprat e mia, me punën time.

“Kushëriri i Engjëjve” ju quajti Ismail Kadare. U frymëzova shumë për këtë intervistë prej tij. 

Më ka rrahur zemra me emocion kur e kam lexuar. Sa keq që nuk flas dot mirë shqip. Do të vij në Tiranë e të rri tre-katër muaj që të flas më mirë, më shumë. Fjalët kanë për të më ardhur më lehtë.

Po, duhet të vini e ta shëtisni veriun e jashtëzakonshëm shqiptar. Në këmbë, jo me helikopter, si herën e parë.

Po, me këmbë e me biçikletë, mbase.

Ju kujtohet momenti kur takuat gjyshen tuaj? Kur erdhët për herë të parë në Shqipëri? Në kullën e Vermoshit?

Ka qenë diçka e pabesueshme. Vërtet mrekulli. Erdha me nënën e babanë tim, u kthyem në Shqipëri. Shkuam në qytetin ku ka lindur babai im, shkuam me helikopter. Ishte diçka e jashtëzakonshme.

Si tregohet në balet ai moment? Tregohet dot me kërcim ai çast?

Kurrë s’kam bërë balet për këtë ngjarje. Mbase një ditë... Por kam bërë diçka me helikopterin në balet. Në muzikën e atij baleti ka katër akorde. Është bërë një përzierje e zhurmës, e tingullit. Zhurma e helikopterit është përzier me muzikën. Është shumë e bukur dhe mbase frymëzimi më ka ardhur nga ky udhëtim.

Po ndonjë frymëzim tjetër që erdhi pa e ditur ju, nga Shqipëria? Ka tjetër Shqipëri në punën tuaj, në kërcimin tuaj? Ku është Shqipëria tjetër?

Shqipëria nuk është në nivelin e sipërfaqes. Është pak më thellë. Për shembull, tek Dasma, me muzikë të Stravinkskit, dasma është bërë sipas stilit shqiptar. Me ritet shqiptare. Dasma shqiptare më ka frymëzuar shumë për të krijuar Dasmën me muzikën të Stravinskit.

Të gjithë që ju prezantojnë thonë: Balerini francez me origjinë shqiptare. Të gjithë e përmendin origjinën tuaj. Ju s’e fshihni kurrë.

Po, sepse vetë dua gjithmonë të tregoj që jam francez sepse kam lindur në Francë dhe kam kombësinë franceze në letra. Por nuk harroj kurrë të them që jam shqiptar. Babai im është shqiptar, nëna ime është shqiptare. Të dy janë shqiptarë. E kam gjakun shqiptar e s’mund ta harroj këtë të vërtetë.

Më ka pëlqyer shumë mënyra sesi iu drejtuat Lë Penit në 1995-ën, kur ai ju tha të ktheheni në Tiranë.

Kur ai e tha atë frazë, thashë... po, mund të shkoj. S’ka problem. Por një tjetër qytet, Aix–en–Provence tha, ne duam që Angjelinin të vijë këtu ku na kanë dhënë më shumë mundësi për të punuar. Aix-en -Provence është një qytet shumë i bukur e shumë artistik. Me muzikë, me balet, me kulturë shumë të fortë.

Ju e keni provuar lirinë duke u arratisur në barkun e një gruaje, në vitin ’57. Tani, në vitin 2010 shqiptarëve, të cilët mezi po presin çastin kur do të shpëtojnë nga vizat.

Mbase mund të them, “Shqiptarë, ejani, por në bark të nënës”.

Në Durrës, këtë verë, u shfaq Borëbardha juaj ku ju përziet Gustav Mahler, Zhan Pol Gotier, vëllezërit Grim. Ishin të gjithë bashkë. Pse një përrallë?

Më pëlqen shumë përralla sepse mendohet se është për fëmijë, por ndërkohë na përfshin të gjithëve. Që kur jemi fëmijë dëgjojmë përralla që na mundësojnë të rritemi. Për shembull, një djali të vogël i thuhet “ti je i vogël, por mos ki frikë sepse edhe pse je i vogël, mund të bësh gjëra të jashtëzakonshme. Shiko gishton e vogël. Ai është i vogël, por mund të bëjë gjëra pasionale”. Kjo i ndihmon fëmijët të mësojnë ta kuptojnë botën dhe të përshtaten me jetën në një mënyrë intuitive dhe në të njëjtën kohë në një mënyrë që i bën njerëzorë dhe gjithashtu të rritur.

Është dhe një tjetër pjesë e rrallë, e pakrahasueshme, që shokoi publikun kur u dha në premierën e saj për herë të parë në Paris. The Right Of Springs e Stravinskit. Edhe ju e shokuat po aq publikun kur e bëtë balet atë pjesë?

E shkrova në Bernë për herë të parë dhe aty u dha në fillim. Pasi erdhi në Francë, shfaqja e zuri vendin e saj si një lloj prove. Është e vërtetë që fundi i baletit, me lakuriqësinë e asaj vajze që iu ofrua publikut, që ofroi atributet e saj në skenë, mund të tronditë disa njerëz. Por besoj se është gjithashtu diçka natyrale dhe falë muzikës kjo s’mund të tronditë më. Mund të të emocionojë, por jo të të tronditë.

Mua më pëlqen shumë “Akrobati”, gjithashtu. Çfarë është? Një këngë dashurie? Një rrëfim dashurie?

Akrobati  është një poemë e Zhan Zhenesë, një poemë e gjatë, që e ka shkruar për të dashurin e tij i cili ishte akrobat. Teksti është shumë i bukur sepse shpjegon pa ndërprerje për të dashurin, akrobat, sesi të bëhet artist, një akrobat mbi litar. Por ndërkohë që e mëson të bëhet akrobat, e mëson sesi të bëhet artist i vërtetë. Kjo vepër më ka ndihmuar shumë kur isha student i baletit. E lexoja si një lloj mësimi të përhershëm, për të arritur në statusin e artistit.

Çfarë temash sillni ju? Kujt i drejtoheni? Çfarë sillni ju në kërcim?

Më pëlqen të ushqehem me të gjitha gjërat që janë në botën tonë. Më pëlqen të jem pritës si një antenë satelitore, që të kap gjendjet emocionale të botës dhe gjërat që s’mund të thuhen me fjalë. Prandaj bëj kërcimin sepse po ta thosha me fjalë dhe talentin e tij, do të bëja si Ismail Kadare... që do të ishte fantastike. Mund të shkruaja libra për botën. Por meqë nuk shkruaj dot libra për botën, mund të bëj kërcime baleti për botën. Për këtë kam nevojë ta shoh botën, të frymëzohem nga bota, nga bota jonë e përditshme, bota jonë moderne, që të zhvilloj tema moderne dhe të lashta. Janë gjithnjë tema që na sjellin në botën e sotme.

Si tregohet pa fjalë, por me kërcim, malli.

Besoj si dy trupa në hapësirë, që kërkojnë njëri-tjetrin...

Mendoj se koreografia, baleti nuk janë vetëm trupat, por edhe hapësira. Dhe me hapësirën si partner të tretë, dy valltarë dhe hapësirë ne mes, mund të krijosh, të përpunosh një gramatikë të mallit.

Po një dashuri shumë e madhe, si tregohet me kërcim? Me balet?

Duke zvogëluar hapësirën midis dy trupave.

Po një frikë e madhe për të ardhmen, të kaluarën, për identitetin, për veten. Si tregohet me balet?

S’e di, duhet të punoj për këtë. Mendoj se me baletin mund të shprehet gjithçka, por më parë duhet gjetur koha për ta përdorur këtë lëndë si një skulpturë, si argjila që formohet. Baleti duhet të punohet, duhet të përpunohet derisa të dalë diçka. Si një baltëpunues që përpunon baltën e më pas vjen poçi. Pastaj, në këtë poç mund të vësh shumë gjëra. Mund të vendosësh ujin, zhurmën, mund të vendosësh flori, ta vësh si pluhur. Mund të vësh shumë gjëra.

Çfarë ju frymëzon që bëni gjëra kaq të bukura?

Gjithçka më frymëzon. Mund të jetë një libër, një pikturë. Mund të jetë një shikim, njerëz që ecin në rrugë. Kam nevojë t’i kem të larmishme burimet e frymëzimit që të përpiqem të evoluoj në punën time.

Më duket se ka ardhur koha që të ktheni kokën pas edhe nga atdheu për të bërë gjëra me këta njerëz.

Po, do të më pëlqente të kthehesha në Shqipëri. Është një vend që më frymëzon shumë dhe që më mungon gjithashtu.

Jam shumë e lumtur që ju takova sot, që po bëj këtë intervistë. Siç do të thoshte me fjalë të tjera Ismail Kadare, nëpërmjet jush do të çoj në atdhe ca kova qiell..../Paris, 25 tetor 2010/dritare.net